
Ekziston një vend, në zemër të Europës, që e ka bërë neutralitetin themelin e politikës së tij të jashtme. Një neutralitet i armatosur, dhe shumë mirë i tillë, i cili zyrtarisht nis në vitin 1815, por rrënjët i ka që në vitin 1515. Një neutralitet i mundësuar edhe nga pozicioni i veçantë gjeografik i vendit, i futur mes Alpeve.
Po flasim për Zvicrën, e cila në ditët e fundit, më 12 dhjetor, mori një vendim pa precedent në historinë e saj: Berna ka vendosur të ndryshojë para kohe politikën e sigurisë kombëtare. Në përgjithësi, Zvicra e përditëson strategjinë e saj çdo 5–10 vjet dhe dokumenti i fundit daton në vitin 2021 (i plotësuar në shtator 2022 në dritën e luftës në Ukrainë). Por “në kushtet e përkeqësimit të situatës së sigurisë”, Këshilli Federal ka nisur riorientimin e politikës së sigurisë për vitet në vijim, me synimin për “të përballuar nivelin e rritur të kërcënimit duke forcuar rezistencën e Zvicrës, duke përmirësuar masat e mbrojtjes dhe parandalimit dhe duke rritur kapacitetet mbrojtëse të vendit”.
Mbledhja e 12 dhjetorit hapi zyrtarisht procedurën e konsultimit dhe ngarkoi departamentet përkatëse me zbatimin e saj, duke vendosur si afat përfundimtar të konsultimeve datën 31 mars 2026.
Berna ka vlerësuar se, për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në vitet e fundit, është e nevojshme të hartohet një strategji e re e sigurisë kombëtare, në bashkëpunim me të gjithë aktorët e interesuar. Kjo strategji do të shërbejë si udhërrëfyes i përgjithshëm për të gjithë sistemin kompleks të mbrojtjes së vendit, përfshirë organizimin e Forcave të Armatosura dhe blerjen e sistemeve të armatimit, por do të prekë gjithashtu shoqërinë civile, ekonominë dhe botën akademike.
Dokumenti i ri synon, në përgjithësi forcimin e rezistencës, duke reduktuar dobësitë dhe varësitë kritike, për ta bërë vendin më pak të cenueshëm ndaj sulmeve dhe për të minimizuar dëmet e mundshme, përmirësimin e mbrojtjes dhe parandalimit, në mënyrë që Zvicra të jetë më e përgatitur për të parandaluar sulme të mundshme dhe për t’u mbrojtur më efektivisht nga pasojat e tyre, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, pra aftësinë për t’u mbrojtur në mënyrën më efektive të mundshme nga një sulm i armatosur, nëse është e nevojshme edhe në bashkëpunim me partnerët.
Berna flet për një “zbatim të shpejtë” të planit të ri, duke marrë parasysh situatën ndërkombëtare, dhe parashikon që ai të jetë plotësisht funksional deri në vitin 2028.
Është e rëndësishme të sqarohet një aspekt që lidhet me neutralitetin zviceran, sidomos në dritën e asaj që ndodhi në fillim të luftës në Ukrainë. Në atë kohë u hap një debat i fortë mbi kuptimin dhe statusin e neutralitetit zviceran, kur në shkurt 2022 Berna miratoi sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë. Megjithatë, Zvicra ndjek rregulla të qarta për të ruajtur neutralitetin në konfliktet ushtarake: ajo nuk përdor forcat e saj të armatosura dhe nuk lejon përdorimin e armëve me origjinë zvicerane në luftëra.
Sanksionet u vendosën sepse pushtimi i Ukrainës nga Rusia u konsiderua një “shkelje e rëndë e normave më themelore të së drejtës ndërkombëtare”. Jo rastësisht, një nga selitë kryesore të OKB-së ndodhet në Gjenevë.
Zvicra nuk lejon dërgimin e drejtpërdrejtë të armëve drejt zonave të luftës nga ose përmes territorit të saj, por kjo nuk ka mjaftuar për propagandën ruse, që e ka paraqitur Zvicrën si të rreshtuar me bllokun e NATO-s. Përkeqësimi i kushteve të sigurisë në Europë, pra kërcënimi ndaj sigurisë së kontinentit nga Rusia, e shtyu Bernën që në korrik 2023 të bashkohej me mekanizmin e mbrojtjes ajrore të integruar ESSI (European Sky Shield Initiative), të udhëhequr nga Gjermania.
Por pse është kaq i rëndësishëm përditësimi i parakohshëm i dokumentit të sigurisë kombëtare zvicerane? Kjo është prova përfundimtare se kërcënimi ndaj kontinentit europian është real. Një kërcënim që Zvicra e krahason me atë sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, kur në vend ndërtoheshin shtëpi dhe pallate të pajisura me strehime antibërthamore.
Me vendimin për të rishkruar strategjinë e saj përpara afatit natyror, Berna po na thotë gjithashtu se koha për të marrë masa mbrojtëse është e kufizuar dhe se kërcënimi është serioz, nëse synimi është të jetë “më mirë e pajisur” pra, më mirë e armatosur, sesa është sot për ta përballuar atë. / bota.al



