Pavarësisht humbjes ndaj Napolit, kampionati kalon ende nga Torino. Që titulli të përfundojë gjetiu, Juventusi duhet të gabojë ndërsa rivalët të prekin përsosmërinë në ndeshjet e mbetura.
Maks Alegri është munduar të kuptojë atë që nuk funksionoi të dielën në mbrëmje dhe në një shpjegim për televizionin bardhezi ka deklaruar: “Ndeshja po shkonte drejt barazimit, por kisha nevojë për freskinë e Mario Manxukiçit në krah. Shumëkush akuzoi Dibalën, por mendoj se ndaj Napolit gabuam vetëm në daljet me top, pasi u treguam të ngadaltë”. Trajneri bardhezi nuk pranon alibi e të flasë për mbilodhje, por një saktësim e bëri teksa tha: “Ne luajmë mbi 60 ndeshje në vit e deri tani kemi në këmbë 57 takime. Këto janë shifra reale të sezonit tonë dhe nuk janë thjesht justifikime, por fakti është që të tjerët ndalen në nëntor, ndërsa ne deri pak javë më parë ishim në luftë në tre fronte”.
FAKTORI HYSAJ – Napoli shpeshherë ndeshjet e veta i ka zgjidhur në momentet e fundit, ndërsa Juvja është një ekip më stabël që i bën menjëherë situatat e qarta. Edhe Alegri është në këtë gjatësi vale, teksa nuk pranon që skuadra e tij vuan pasojat e mbrëmjes së Madridit: “Na mungoi agresiviteti, sidomos në fazën pa top. Edhe zëvendësimi i hershëm i Kielinit na penalizoi jo pak. Në Madrid bëmë një ndeshje të shkëlqyer në shumë aspekte, ndërsa ndaj Napolit situata ishte disi më ndryshe. Luajmë për titull, ndaj nuk mund t’i lejojmë vetes shpërqendrime për situata që tashmë janë pjesë e së shkuarës”. N
ë fund, një koment të veçantë, trajneri 51-vjeçar i kushtoi Elseid Hysajt, i cili limitoi Mario Manxukiçin që në momentin kur kroati hyri në fushë. “Kërkova freskinë e Marios dhe duhej të sulmonte më shumë. Skuadrën e porosita të spostonte ekuilibrin në gjysmëfushën kundërshtare dhe të kërkonin Marion kundër Hysajt, por nuk ia dolëm dot mbanë”. / Panorama Sport