Bota

Amerika e re

Presidenti Donald Trump nuk humbi aspak kohë për të fshirë trashëgiminë e paraardhësit të tij, si dhe vendosë prioritetet e tij pas ditës së inaugurimit. Fillimisht, faqja e internetit e Shtëpisë së Bardhë u “pastrua” nga të gjithë fjalitë që përmendnin ndryshimet klimatike. Më pas, në urdhërin e tij të parë ekzekutiv, Trumpi udhëzoi institucionet qeveritare që të zhbënin sa më shumë që të mundeshin nga reformat e kujdesit shëndetësor të ish presidentit Obama, në përgatitje të shfuqizimit të ligjit. Më tej vazhduan direktiva të tjera, si për shembull kufizimi i huamarrjes në nivel federal, ndalimi i shpërndarjes së ndihmës federale për fondacione bamirëse të huaja që ofrojnë shërbime aborti, dhe kufizimi i imigrimit.

Trumpi gjithashtu e tërhoqi SHBA nga Partneriteti i Trans-Paqësorit (TPP) dhe shpalli planet e rinegociimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA); t’i japë dritë jeshile dy naftësjellësve të shumëdebatuar; të nisë murin në kufi me Meksikën; dhe të zhvillojë një sistem të mbrojtjes raketore “të fjalës së fundit”, që të mbrohet prej sulmeve nga Korea e Veriut dhe Irani. Ndërkohë, Theresa May vizitoi Trumpi në Uashington të premten, gjë që e bëri atë të parën udhëheqëse të huaj që takonte presidentin e 45 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Çfarë shkruajtën editorialët

“Ka kaluar një kohë shumë e gjatë,q ë kur një president amerikan hidhte poshtë të mirat e tregtisë së lirë”, shkruante e përditshmja britanike, The Independent. Megjithatë, Trumpi nuk e fshehu aspak këtë prirje të tijën në fjalimin e inaugurimit. “Mbrojtja )proteksionizmi) do të na sjellë shumë prosperitet dhe forcë”, deklaroi ai. Megjithatë, mësimi i qartë i historisë është se “ajo thjeshtë i varfëron të gjithë njësoj”. Tërheqja e SHBA nga TPP është një gjë kundërproduktive, shkruante USA Today. Ajo marrëveshje ishte “shpresa më e mirë e Amerikës për të zgjeruar ndikimin e saj dhe kufizuar influencën e Kinës, e cila nuk është pjesë e paktit”. 11 shtetet e tjerë tashmë do të duhet të vendosin, nëse do të ratifikojnë marrëveshjen vetë, apo do i bashkohen një marrëveshjeje alternative që nxitet sot prej Pekinit; “një që e vendos Kinën në qendër”.

Pavarësisht gjithë fjalëve të ashpra të Trumpit në lidhje me marrëveshjet tregtare shumëpalëshe, SHBA e ka mirëpritur idenë e një marrëveshje tregtare dypalëshe me Mbretërinë e Bashkuar, shkruante The Times. Një marëveshje e tillë do i japë besueshmëri pretendimit të Trumpit se ai dëshiron të forcojë aleancat ekzistuese të Amerikës, si dhe do të ndihmojë në fuqizimin e imazhit të tij si një njeri “që di të bëjë ujdi’. Ka zëra për një marrëveshje SHBA-Mbretëri e Bashkuar, që do të firmoset brenda 90 ditësh nga Brexit. Eshtë një shans i mirë për Britaninë, por në këto negociata duhet të hyjmë syhapur. Trumpi njihet për “marëveshje që shkojnë jo në avantazh të ndërsjellë, por në avantazhin e tij”.

Çfarë shkruajtën komentatorët

Si qytetar i SHBA, jam i tmerruar nga Trumpi, shkruante Francis Fukuyama në Politico. Por si politolog, mezi pres të shoh si do të shkojë presidenca e tij. Do të jetë “një test mahnitës se sa të fortë janë institucionet amerikane”. Trumpi me siguri do të ndeshë në pengesa nga Kongresi, si dhe nga një sistem federal që u shpërndan shumë kompetenca shteteve. Kalifornia, për shembull, do të miratojë ligjet e veta për mjedisin, pavarësisht atyre që thotë Trumpi. Dhe aftësia e Trumpit për të përdorur median si një aleat do të kufizohet, nëse ditët e fundit na thonë ndonjë gjë. Futja në një grindje me shtypin për “faktet alternative” të Shtëpisë së Bardhë, që në ditët e para të presidencës, nuk është një shenjë e mirë.

Presidenca e Trumpit ofron mundësi si dhe rreziqe, shkruante Kori Schake në Foreign Policy. Fakti që ai nuk ka një “ideologji të qartë” është gjë e mirë në disa drejtime, pasi e bën atë të “përzgjedhë si të dojë çështjet, si dhe thyen bllokadën bipartizane të Uashingtonit. Planet e tij për shpenzime ekstra në infrastrukturë, për shembull, duhet të fitojnë mbështetje në të dy krahët. Në mos për gjë tjetër, Trumpi ka “injektuar dinamizëm në debate bajate”. Kjo nuk është gjë e vogël, shkruante Daniel Henninger në The Wall Street Journal. Ajo që njerëzit e harrojnë, është se “forca më destabilizuese në politikën e SHBA përpara këtyre zgjedhjeve nuk ishte Donald Trumpi. Ishte pikërisht ajo status quo politike”.

Duhet të shpresojmë për më të mirën, shkruante Peter Wilby në The New Statesman. Por nuk mund të mohohet se Trumpi paraqet risqe. Shqetësimi më i madh është “strategjia e tij gjeopolitika, apo më saktë, mungesa e saj”. Fuqitë e mëdha kanë bashkëekzistuar që nga viti 1945, përmes një mirëkuptimi të ndërsjellë të vijave të kuqe të secilit. “Momentet më të frikshme vijnë kur njëri udhëheqës llogarit gabim se si do të reagojë tjetri”, si për shembull kur Nikitra Hrushovi mendoi se Kenedi do të toleronte raketat sovjetike në Kubë. Trumpi beson se nëse i lë kundërshtarët të hamendësojnë vazhdimisht, do të arrijë “ujdi të mëdha”. Ndoshta kështu ndodh në biznes. “Në marrëdhëniet ndërkombëtare, risqet janë më të lartë”.

Çfarë do të ndodhë?

Presidenti po paditet nga një shoqatë liberale, e cila pretendon se pronësia e hoteleve dhe kompanive që bëjnë biznes me qeveri të huaja është e paligjshme. ata thonë se shkel një klauzolë të Kushtetutës, që ndalon presidentët të marrin pagesa nga fuqi të huaja.

Trumpi ka premtuar një “investigim të madh për manipulimin e votave”. Ndoshta do të përfshijë edhe “ata të regjistruar për votim, por që kanë vdekur”. Ai ka hedhur akuza se deri 5 milionë vota të paligjshme janë hedhur për Hillary Clintonin, por nuk ka ofruar prova. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button