Kryetar Johnson. Nënkryetar Vance, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara. Anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ju falënderoj shumë. Dhe të dashur bashkëqytetarët e mi: Amerika është rikthyer!
Gjashtë javë më parë, isha nën kupolën e këtij Capitoli dhe shpalla agimin e epokës së artë të Amerikës. Që nga ai moment, ka pasur vetëm veprim të shpejtë dhe të pamëshirshëm për të afruar epokën më të madhe dhe më të suksesshme në historinë e vendit tonë. Ne kemi arritur në 43 ditë, më shumë sesa shumica e administratave arrijnë në katër ose tetë vjet – dhe sapo kemi filluar. Ju falënderoj.
Kthehem sonte në këtë sallë për të raportuar se vrulli i Amerikës është rikthyer. Shpirti ynë është rikthyer. Krenaria jonë është rikthyer. Besimi ynë është rikthyer. Dhe ëndrra amerikane po shpërthen – më e madhe dhe më e mirë se kurrë më parë. Ëndrra amerikane është e pandalshme, dhe vendi ynë është në prag të një rikthimi siç bota nuk ka parë kurrë më parë, dhe ndoshta nuk do të shohë kurrë më. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë.
Zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit ishin një mandat siç nuk është parë prej shumë dekadash. Ne fituam të shtatë shtetet vendimtare, duke na dhënë një fitore në Kolegjin Zgjedhor me 312 vota.
Ne fituam votën popullore me një diferencë të madhe dhe fituam qarqe në vendin tonë, 2,700 kundrejt 525, në një hartë që shfaqet pothuajse tërësisht e kuqe për Republikanët. Tani, për herë të parë në historinë moderne, më shumë amerikanë besojnë se vendi ynë po ecën në drejtimin e duhur, sesa ata që mendojnë se po ecën në drejtimin e gabuar. Në fakt, është një rekord befasues: një ndryshim prej 27 pikë përqindje, më i madhi ndonjëherë.
Gjatë gjashtë javëve të fundit, kam firmosur gati 100 urdhra ekzekutivë dhe kam ndërmarrë më shumë se 400 veprime ekzekutive, një rekord për të rikthyer logjikën e shëndoshë, sigurinë, optimizmin dhe pasurinë në mbarë vendin tonë të mrekullueshëm. Njerëzit më zgjodhën për ta bërë këtë punë, dhe unë po e bëj.
Në fakt, shumë kanë deklaruar se muaji i parë i presidencës sonë – kjo është presidenca jonë – ka qenë më i suksesshmi në historinë e kombit tonë. Nga shumë njerëz.
Dhe ajo që e bën edhe më mbresëlënëse është se e dini kush është në vendin e dytë? George Washington. Si ju duket kjo? Si ju duket?
Brenda disa orëve pas betimit, shpalla një emergjencë kombëtare në kufirin tonë jugor. Dhe urdhërova dislokimin e ushtrisë amerikane dhe të Patrullës Kufitare për të zmbrapsur pushtimin e vendit tonë. Dhe çfarë pune të jashtëzakonshme kanë bërë ata. Si rezultat, kalimet e paligjshme të kufirit muajin e kaluar ishin, me diferencë, më të ulëtat e regjistruara ndonjëherë.
Ata dëgjuan fjalët e mia dhe zgjodhën të mos vijnë. Shumë më e kollajtë në këtë mënyrë. Në krahasim, në kohën e Joe Bidenit, presidentin më të keq në historinë amerikane, kishte qindra mijëra kalime të paligjshme në kufi çdo muaj dhe praktikisht të gjithë ata, përfshirë vrasës, tregtarë droge, anëtarë bandash dhe njerëz nga institucionet e shëndetit mendor dhe azilet, u liruan në vendin tonë. Kush do të donte ta bënte një gjë të tillë?
Kjo është hera e pestë që mbaj një fjalim të tillë para Kongresit, dhe, sërish, shoh demokratët përballë meje dhe e kuptoj që nuk ka absolutisht asgjë që mund të them për t’i bërë ata të lumtur, për t’i bërë të ngrihen, të buzëqeshin ose të duartrokasin. Asgjë që mund të bëj. Mund të gjej një kurë për sëmundjen më shkatërruese, një sëmundje që do të shkatërronte të gjithë kombet, ose të shpallja sekretin e ekonomisë më të madhe në histori, ose ndalimin e krimit në nivelet më të ulëta të regjistruara ndonjëherë, dhe këta njerëz që janë ulur këtu nuk do të duartrokasin, nuk do të ngrihen dhe sigurisht nuk do të brohorasin për këto arritje të jashtëzakonshme. Nuk do ta bëjnë, pavarësisht gjithçkaje. Pesë herë kam qenë këtu. Është shumë e trishtueshme. Dhe thjesht nuk duhet të jetë kështu.
Pra, demokratë që jeni ulur përpara meje, vetëm për këtë natë, pse të mos bashkoheni me ne për të festuar kaq shumë fitore të pabesueshme për Amerikën? Për të mirën e kombit tonë, le të punojmë së bashku dhe ta bëjmë Amerikën vërtet të madhe përsëri.
Çdo ditë, administrata ime po lufton për të sjellë ndryshimin që Amerika ka nevojë për të ndërtuar të ardhmen që meriton, dhe ne po e bëjmë këtë. Ky është një moment për ëndrra të mëdha dhe veprime të guximshme. Menjëherë pas marrjes së detyrës, vendosa një ngrirje të menjëhershme për të gjitha punësimet federale, një ngrirje për të gjitha rregulloret e reja federale dhe një ngrirje për të gjithë ndihmën e huaj.
Anulova “mashtrimin e ri të gjelbër”. U tërhoqa nga marrëveshja e padrejtë e klimës e Parisit, e cila po na kushtonte triliona dollarë që vendet e tjera nuk po i paguanin. U tërhoqa nga e korruptuara Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dhe gjithashtu u tërhoqa nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së, që ishte kundër Amerikës.
Ne i dhamë fund të gjitha kufizimeve mjedisore të Biden-it, të cilat po e bënin vendin tonë shumë më pak të sigurt dhe krejtësisht të papërballueshëm. Dhe, më e rëndësishmja, i dhamë fund mandatit absurd të administratës së mëparshme për makinat elektrike, duke shpëtuar punëtorët dhe kompanitë tona të automjeteve nga shkatërrimi ekonomik.
Për të çliruar ekonominë tonë, kam urdhëruar që për çdo rregull të ri, 10 rregulla të vjetra duhet të eliminohen — ashtu siç bëra në mandatin tim të parë shumë të suksesshëm.
Dhe në atë mandat të parë, vendosëm rekorde në eliminimin e rregullave dhe rregulloreve të panevojshme si asnjë president tjetër më parë. Urdhëruam që të gjithë punonjësit federalë të kthehen në zyrë. Ata ose do të paraqiten në punë fizikisht, ose do të largohen nga puna. Dhe i kemi dhënë fund qeverisë së politizuar, ku, për shembull, një president në detyrë lejohet të ndjekë penalisht në mënyrë të pamëshirshme kundërshtarin e tij politikë, siç bënë me mua. Si përfundoi kjo? Jo mirë. Jo mirë.
Dhe unë kam ndalur gjithë censurën qeveritare dhe kam rikthyer lirinë e fjalës në Amerikë. Është rikthyer. Dhe dy ditë më parë, firmosa një urdhër që e shpall anglishten gjuhën zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë riemërtova Gjirin e Meksikës si Gjiri i Amerikës. Dhe po ashtu, e riemërtova, në nder të një presidenti të madh, William McKinley, malin McKinley. Alaska e bukur, e duam Alaskën. E duam Alaskën.
I kemi dhënë fund tiranisë së të ashtuquajturave politika të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në të gjithë qeverinë federale. Dhe, në fakt, edhe në sektorin privat dhe në ushtrinë tonë. Dhe vendi ynë nuk do të jetë më “WOKE” sipas këtyre kritereve. Ne besojmë se, nëse je mjek, një kontabilist, një avokat ose një kontrollues i trafikut ajror, duhet të punësohesh dhe të promovohesh bazuar në aftësi dhe kompetencë, jo në bazë të racës apo gjinisë. Shumë e rëndësishme. Duhet të punësohesh bazuar në meritë. Dhe Gjykata e Lartë, me një vendim të guximshëm dhe shumë të fuqishëm, na ka lejuar ta bëjmë këtë. Faleminderit. Faleminderit shumë. Faleminderit.
Ne kemi hequr helmin e teorisë kritike të racës nga shkollat tona publike dhe kam firmosur një urdhër i cili e bën politikë zyrtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, që ekzistojnë vetëm dy gjini: mashkull dhe femër. Po ashtu, kam firmosur një urdhër ekzekutiv për të ndaluar burrat që të konkurrojnë në sportet e femrave.
Tre vjet më parë, Payton McNabb ishte një atlete e shkëlqyer në shkollën e mesme, një nga më të mirat, duke u përgatitur për një të ardhme në sportet universitare. Por kur një burrë hyri në ndeshjen e volejbollit të vajzave, ai goditi topin aq fort në fytyrën e Payton-it, duke i shkaktuar një dëmtim traumatizues të trurit, duke e paralizuar pjesërisht anën e djathtë dhe duke i dhënë fund karrierës së saj sportive. Ishte një goditje siç nuk kishte parë kurrë më parë. Nuk kishte parë kurrë diçka të tillë. Payton është këtu sonte në galeri, dhe Payton, nga tani e tutje, shkollat do të përjashtojnë burrat nga ekipet e vajzave ose do të humbasin të gjitha fondet federale.
Dhe nëse doni të shihni shifra të vërteta, mjafton të shikoni çfarë ka ndodhur në boksin e femrave, peshëngritje, atletikë, not apo çiklizëm, ku një burrë përfundoi një garë me distancë të gjatë pesë orë e 14 minuta para një gruaje, duke vendosur një rekord të ri me një diferencë prej pesë orësh. Është poshtëruese për gratë dhe shumë e keqe për vendin tonë. Nuk do ta tolerojmë më.
Ajo që sapo përshkrova është vetëm një fraksion i vogël i revolucionit të logjikës së shëndoshë që tani – falë nesh – po përfshin mbarë botën. Logjika e shëndoshë është bërë një temë e zakonshme, dhe ne kurrë nuk do të kthehemi pas, kurrë – nuk do ta lejojmë të ndodhë.
Ndër përparësitë e mia më të larta është shpëtimi i ekonomisë sonë dhe ofrimi i një lehtësimi të menjëhershëm dhe të ndjeshëm për familjet punëtore. Siç e dini, trashëguam nga administrata e mëparshme një katastrofë ekonomike dhe një makth inflacioni.
Politikat e tyre rritën çmimet e energjisë, shtuan kostot e ushqimeve dhe e bënë jetën e përditshme të papërballueshme për miliona e miliona amerikanë. Asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur diçka e tillë. Vuajtëm inflacionin më të keq në 48 vjet. Por ndoshta edhe në të gjithë historinë e vendit tonë. Si president, po luftoj çdo ditë për ta zhbërë këtë dëm dhe për ta bërë Amerikën sërish të përballueshme.
Joe Biden, në veçanti, e la çmimin e vezëve të dalë jashtë kontrollit. Çmimet e vezëve, jashtë kontrollit. Dhe ne po punojmë fort për t’i ulur sërish. Sekretar, bëj një punë të mirë për këtë – trashëgove një kaos të plotë nga administrata e mëparshme. Bëj një punë të mirë.
Një fokus i madh i luftës sonë kundër inflacionit është ulja e shpejtë e kostos së energjisë. Administrata e mëparshme uli me 95% numrin e licencave të reja për naftë dhe gaz, ndaloi ndërtimin e tubacioneve dhe mbylli mbi 100 termocentrale – ne po i rihapim shumë prej tyre tani.
Dhe, sinqerisht, nuk kemi parë kurrë diçka të tillë. Prandaj, ditën e parë në detyrë, shpalla një emergjencë kombëtare të energjisë. Siç më keni dëgjuar të them shumë herë, kemi më shumë ar të lëngshëm nën këmbët tona sesa çdo komb tjetër në botë, dhe me diferencë të madhe, dhe tani i kam dhënë autorizimin e plotë ekipit më të talentuar ndonjëherë për ta nxjerrë atë. Quhet: “Drill, baby drill!”
Administrata ime po punon gjithashtu për një tubacion gjigant të gazit natyror në Alaskë, një nga më të mëdhenjtë në botë, ku Japonia, Koreja e Jugut dhe vende të tjera duan të jenë partnerët tanë me investime prej triliona dollarësh secila. Nuk ka pasur kurrë diçka të tillë. Do të jetë vërtet spektakolare. Gjithçka është gati për të nisur. Lejet janë dhënë.
Dhe më vonë këtë javë, do të marr gjithashtu një vendim historik për të zgjeruar në mënyrë dramatike prodhimin e mineraleve kritike dhe të rralla këtu në Shtetet e Bashkuara.
Për të luftuar më tej inflacionin, ne jo vetëm do të ulim koston e energjisë, por do t’i japim fund shpërdorimit flagrant të parave të taksapaguesve. Për këtë qëllim, kam krijuar Departamentin e Ri të Efiçencës Qeveritare. D.O.G.E. Ndoshta keni dëgjuar për të. Ndoshta. Në krye të tij është Elon Musk, i cili është këtu sonte në galeri.
Faleminderit, Elon. Ai po punon shumë. Faleminderit shumë, e vlerësojmë. Të gjithë këtu – madje edhe kjo anë e sallës, besoj – e vlerësojnë. Thjesht nuk duan ta pranojnë. Vetëm dëgjoni disa nga shpërdorimet tronditëse që kemi zbuluar deri tani:
22 miliardë dollarë nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore për të ofruar strehim dhe makina falas për emigrantët e paligjshëm.
45 milionë dollarë për bursa të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në Birmani.
40 milionë dollarë për të përmirësuar përfshirjen sociale dhe ekonomike të migrantëve sedentë. Askush nuk e di çfarë do të thotë kjo.
8 milionë dollarë për promovimin e LGBTQI+ në kombin afrikan të Lesotos, për të cilin askush nuk ka dëgjuar ndonjëherë.
60 milionë dollarë për fuqizimin e popullsive indigjene dhe afrikano-karaibe në Amerikën Qendrore. 60 milionë.
8 milionë dollarë për të bërë minjtë transgjinorë – kjo është e vërtetë.
32 milionë dollarë për një operacion propagandistik të krahut të majtë në Moldavi.
10 milionë dollarë për rrethprerjen e meshkujve në Mozambik.
20 milionë dollarë për programin arabisht të “Sesame Street” në Lindjen e Mesme. 20 milionë dollarë për një program.
1.9 miliardë dollarë për një komitet të ri për dekarbonizimin e shtëpive, i drejtuar – dhe e dimë se kush është e përfshirë – në momentin e fundit paratë u kaluan për një grua me emrin Stacey Abrams. A keni dëgjuar ndonjëherë për të?
3.5 milionë dollarë për një kontratë konsulence për monitorimin luksoz të peshqve.
1.5 milionë dollarë për besimin e votuesve në Liberi.
14 milionë dollarë për kohezionin social në Mali.
59 milionë dollarë për dhomat e hotelit për emigrantët e paligjshëm në qytetin e Nju Jorkut. Një biznesmen i pasurive të paluajtshme është pas kësaj, ka bërë shumë para.
250,000 dollarë për të rritur inovacionin e klimës lokale vegane në Zambia.
42 milionë dollarë për ndryshimin social dhe të sjelljes në Ugandë.
14 milionë dollarë për përmirësimin e prokurimeve publike në Serbi.
47 milionë dollarë për përmirësimin e rezultateve të mësimit në Azi. Azia po ecën shumë mirë në mësim, e dini çfarë? Ndoshta na duhen vetë këto fonde.
101 milionë dollarë për kontrata të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në Departamentin e Arsimit – shuma më e madhe e paguar ndonjëherë, nuk ka pasur asgjë që i afrohet.
Nën administratën Trump, të gjitha këto mashtrime – dhe ka edhe më keq – por nuk mendova se ishte e përshtatshme të flisja për to, do eleminohen. Janë aq të tmerrshme. Shumë të tjera janë zbuluar dhe ekspozuar, dhe janë eliminuar me shpejtësi nga një grup njerëzish shumë inteligjentë, kryesisht të rinj, të udhëhequr nga Elon, dhe e vlerësojmë këtë. Ne kemi zbuluar qindra miliarda dollarë mashtrim.
Dhe i kemi rikthyer këto para, kemi ulur borxhin për të luftuar inflacionin dhe për shumë çështje të tjera – kemi marrë shumë nga këto para mbrapsht. E kapëm në momentin e duhur. Dhe ky është vetëm fillimi.
Zyra e Përgjegjshmërisë Qeveritare, zyra federale e qeverisë, ka vlerësuar se mashtrimi vjetor në vendin tonë tejkalon 500 miliardë dollarë. Dhe ne po punojmë shumë për ta ndaluar atë. Do ta ndalim.
Gjithashtu, po identifikojmë nivele tronditëse të paaftësisë dhe mashtrimit të mundshëm në programin e Sigurimeve Shoqërore për të moshuarit tanë, tek të cilët mbështeten njerëzit që i duam.
Besoni ose jo, bazat e të dhënave qeveritare listojnë 4.7 milionë anëtarë të Sigurimeve Shoqërore të moshës 100 deri në 109 vjeç. Ato listojnë 3.6 milionë njerëz të moshës 110 deri në 119 vjeç. Nuk njoh asnjë prej tyre. Njoh disa njerëz që janë mjaft të moshuar, por jo aq shumë. 3.47 milionë njerëz nga 120 deri në 129 vjeç. 3.9 milionë njerëz nga 130 deri në 139 vjeç. 3.5 milionë njerëz nga 140 deri në 149 vjeç. Dhe po u paguhen ende para shumë prej tyre, dhe ne po hetojmë.
Shumë para po paguhen, sepse thjesht vazhdojnë të paguhen dhe të paguhen, dhe askush nuk bën asgjë – dhe kjo dëmton vërtet Sigurimet Shoqërore, dëmton vendin tonë. 1.3 milionë njerëz të moshës 150 deri në 159 vjeç, dhe sipas bazave të të dhënave të Sigurimeve Shoqërore, mbi 130,000 njerëz janë të moshës mbi 160 vjeç. Kemi një vend më të shëndetshëm nga sa mendoja, Bobby.
Dhe për të përfunduar, 1,039 njerëz janë të listuar të moshës 220 deri në 229 vjeç. Një person i listuar midis 240 dhe 249 vjeç – dhe një person është listuar 360 vjeç. Më shumë se 100 vjet – më shumë se 100 vjet më i vjetër se vendi ynë. Por do të zbulojmë se ku po shkojnë këto para, dhe nuk do të jetë aspak e bukur.
Duke eliminuar të gjithë mashtrimin, shpërdorimin dhe vjedhjen që mund të gjejmë, ne do të mposhtim inflacionin, do të ulim normat e hipotekave, do të zvogëlojmë pagesat për makinat dhe çmimet e ushqimeve, do të mbrojmë të moshuarit tanë dhe do të vendosim më shumë para në xhepat e familjeve amerikane.
Dhe sot, normat e interesit pësuan një ulje të bukur, një ulje të madhe dhe të bukur – më në fund! Dhe në të ardhmen e afërt, dua të bëj atë që nuk është bërë për 24 vjet: të balancojmë buxhetin federal. Do ta balancojmë.
Me këtë synim, kemi zhvilluar në detaje atë që e quajmë “Gold Card,” e cila do të dalë në shitje shumë, shumë shpejt. Për 5 milionë dollarë, do t’u ofrojmë mundësinë njerëzve më të suksesshëm në krijimin e vendeve të punës nga e gjithë bota të blejnë një rrugë drejt shtetësisë amerikane.
Është si “Green Card,” por më e mirë dhe më e sofistikuar. Dhe këta njerëz do të duhet të paguajnë taksa në vendin tonë. Ata nuk do të duhet të paguajnë taksat në vendin nga vijnë – paratë që kanë fituar, nuk do të dëshironit ta bënin këtë. Por ata do të paguajnë taksa dhe do të krijojnë vende pune. Gjithashtu, do të financojnë studentët tanë, duke paguar për ta, në mënyrë që të mund t’i mbajmë ata në vendin tonë në vend që t’i dëbojmë. Një student i shkëlqyer në një nga universitetet më të mira, si shembull, dëbohet dhe nuk lejohet të qëndrojë për të krijuar qindra e mijëra vende pune dhe për të pasur sukses të madh për një kompani.
Pra, ndërkohë që ne po dëbojmë kriminelët, vrasësit, trafikantët dhe pedofilët që u lejuan të hyjnë në vendin tonë nga politika e kufijve të hapur e këtyre njerëzve – Demokratët, administrata Biden – politika të hapura, të çmendura, që po shkatërrojnë vendin tonë, ne tani do të sjellim njerëz të zgjuar, punëtorë dhe krijues të vendeve të punës. Ata do të paguajnë shumë para, dhe me ato para ne do të ulim borxhin tonë.
Amerikanët na kanë dhënë një mandat për ndryshime të mëdha dhe të thella. Për gati 100 vjet, burokracia federale është rritur deri në pikën që ka shkatërruar liritë tona, ka fryrë defiçitet tona dhe ka penguar potencialin e Amerikës në çdo mënyrë të mundshme. Kombi i themeluar nga pionierë dhe sipërmarrës tani po mbytet nga miliona e miliona faqe rregullash dhe borxhe: Miratime që duhet të zgjasin 10 ditë, por zgjasin 10 vjet, 15 vjet, madje 20 vjet – përpara se të refuzohen.
Ndërkohë, kemi qindra mijëra punonjës federalë që nuk po paraqiten në punë.
Administrata ime do të rimarrë pushtetin nga kjo burokraci e pakontrollueshme dhe do ta rikthejë demokracinë e vërtetë në Amerikë.
Dhe çdo burokrat federal që kundërshton këtë ndryshim do të largohet menjëherë nga detyra. Sepse po e thajmë moçalin. Është shumë e thjeshtë. Dhe ditët e sundimit nga burokratë të paemëruar kanë marrë fund.
Faza e ardhshme e planit tonë për të krijuar ekonominë më të madhe në histori është që ky Kongres të miratojë ulje taksash për të gjithë. Ato janë gati. Janë aty dhe presin votën tuaj. Dhe jam i sigurt që njerëzit në të djathtën time – nuk e kam fjalën për të djathtën republikane, por pikërisht këtu – jam i sigurt që do të votoni për këto ulje taksash, sepse përndryshe nuk besoj se njerëzit do t’ju votojnë më ndonjëherë. Po ju bëj një nder të madh duke jua thënë këtë. Por e di që ky grup këtu do të votojë për uljet e taksave.
Kjo është një pjesë shumë, shumë e rëndësishme e planit tonë. Kemi pasur sukses të jashtëzakonshëm në mandatin tonë të parë me një pjesë të madhe të planit tonë. Ne po kërkojmë ulje të përhershme të taksave mbi të ardhurat për të gjithë. Dhe për të ofruar ndihmë urgjente për amerikanët që janë goditur më rëndë nga inflacioni, po propozoj heqjen e taksës mbi bakshishet, heqjen e taksës mbi orët shtesë dhe heqjen e taksës mbi përfitimet e Sigurimeve Shoqërore për të moshuarit.
Gjithashtu, dua që interesi mbi kreditë e makinave të bëhet i zbritshëm nga taksat – por vetëm nëse makina është prodhuar në Amerikë. Dhe për ta thënë hapur, industria jonë e automobilave do të njohë një rritje të jashtëzakonshme si askush më parë. Fabrika po hapen kudo. Po bëhen marrëveshje – nuk është parë kurrë diçka e tillë. Ky është një kombinim i fitores së zgjedhjeve dhe tarifave. Tarifat – një fjalë e bukur, apo jo?
Kjo, së bashku me politikat tona të tjera, do ta bëjë industrinë tonë të automobilave të lulëzojë. Do të lulëzojë. Sot, bisedova me drejtuesit e tre kompanive më të mëdha të makinave dhe ata janë shumë të emocionuar. Në fakt, tashmë disa kompani automobilistike kanë shpallur ndërtimin e fabrikave gjigante të makinave në Amerikë, me Honda që sapo shpalli një fabrikë të re në Indiana, një nga më të mëdhatë në botë. Dhe kjo ka ndodhur që nga fitorja jonë e madhe më 5 nëntor – një datë që, shpresoj, do të hyjë në histori si një nga më të rëndësishmet për vendin tonë.
Si pjesë e planit tonë për uljen e taksave, ne duam të ulim taksat mbi prodhimin vendas dhe mbi të gjitha sektorët e manifakturës. Dhe ashtu siç bëmë më parë, ne do të ofrojmë 100% zbritje të investimeve – dhe kjo do të zbatohet me efekt prapaveprues që nga 20 janari 2025. Ky ishte një nga arsyet kryesore pse uljet tona të taksave patën kaq shumë sukses në mandatin e parë, duke krijuar ekonominë më të fuqishme në historinë e vendit tonë. Mandati i parë ishte i jashtëzakonshëm.
Por nëse nuk e prodhoni produktin tuaj në Amerikë, atëherë nën administratën Trump, do të paguani tarifë – dhe në disa raste, një tarifë shumë të lartë. Vendet e tjera kanë përdorur tarifat kundër nesh për dekada me radhë, dhe tani ka ardhur koha që ne t’i përdorim kundër tyre. Mesatarisht, Bashkimi Evropian, Kina, Brazili, India, Meksika dhe Kanadaja – i keni dëgjuar këto? – dhe shumë vende të tjera na ngarkojnë tarifa shumë më të larta se sa ne i ngarkojmë atyre.
Kjo është shumë e padrejtë. India na tarifon për makinat, me tarifa më të larta se 100%. Tarifa mesatare e Kinës për produktet tona është dyfishi i asaj që ne u tarifojmë atyre. Dhe tarifa mesatare e Koresë së Jugut është katër herë më e lartë. Mendojeni pak: Katër herë më e lartë. Dhe ne u japim atyre ndihmë ushtarake dhe mbështetje në kaq shumë mënyra të tjera. Por ja çfarë ndodh. Kjo po ndodh si nga miqtë, ashtu edhe nga armiqtë tanë.
Ky sistem nuk është i drejtë për Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka qenë kurrë. Prandaj, më 2 prill – doja ta bëja më 1 prill, por nuk doja të akuzohesha për “Ditën e Gënjeshtrave” – kështu që do ta bëjmë më 2 prill. Jam një njeri shumë supersticioz. Më 2 prill, tarifat reciproke hyjnë në fuqi. Çfarëdo tarife që vendosin ata mbi ne, ne do të vendosim mbi ta. Kjo është reciproke.
Nëse ata na taksojnë, ne do t’i taksojmë. Nëse ata vendosin barriera jotarifore për të na mbajtur jashtë tregjeve të tyre, atëherë ne do të vendosim barriera jotarifore për t’i mbajtur ata jashtë tregut tonë. Dhe ka shumë raste të tilla. Ata nuk na lejojnë as të hyjmë në tregjet e tyre.
Ne do të marrim triliona dhe triliona dollarë dhe do të krijojmë vende pune si kurrë më parë. E bëra këtë me Kinën, dhe e bëra me të tjerët, dhe administrata Biden nuk mund të bënte asgjë për ta ndaluar, sepse kishte ecur shumë.
Ne kemi qenë të grabitur për dekada nga pothuajse çdo vend në Tokë, dhe nuk do ta lejojmë më të ndodhë.
Shumë është thënë muajt e fundit për Meksikën dhe Kanadanë. Ne kemi defiçite të mëdha me të dyja. Por akoma më e rëndësishme, ata kanë lejuar që fentanili të hyjë në vendin tonë në nivele të papara ndonjëherë, duke vrarë qindra mijëra qytetarë tanë, duke shkatërruar familje të tëra. Asgjë e tillë nuk është parë ndonjëherë.
Ata, në thelb, po marrin qindra miliarda dollarë subvencione nga ne. Ne po u paguajmë subvencione Kanadasë dhe Meksikës me qindra miliarda dollarë.
Dhe Shtetet e Bashkuara nuk do ta bëjnë më këtë. Nuk do ta bëjmë më.
Falë politikës sonë “Amerika e Para,” në vetëm disa javë kemi parë 1.7 trilionë dollarë investime të reja në Amerikë. Kombinimi i fitores sonë zgjedhore dhe politikave tona ekonomike ka sjellë një bum të paparë investimesh:
SoftBank, një nga më të mëdhenjtë në botë, njoftoi një investim prej 200 miliardë dollarësh.
OpenAI dhe Oracle, nën drejtimin e Larry Ellison, njoftuan 500 miliardë dollarë investime. Këtë nuk do ta kishin bërë nëse Kamala do të kishte fituar.
Apple njoftoi 500 miliardë dollarë investime. Tim Cook më telefonoi dhe më tha: “Nuk mund t’i shpenzoj aq shpejt.” Besoj se shuma do të jetë shumë më e madhe.
Dhe dje, Taiwan Semiconductor, prodhuesi më i madh i çipave në botë, njoftoi një investim prej 165 miliardë dollarësh për të ndërtuar çipat më të fuqishëm në Tokë, këtu në SHBA.
Ne nuk u dhamë asnjë qindarkë. Aktualisht, CHIPS Act është një dështim i tmerrshëm. Ne u kemi dhënë qindra miliarda dollarë, dhe nuk ka bërë asnjë ndryshim. Ata i marrin paratë tona dhe nuk i shpenzojnë.
E vetmja gjë që kishte rëndësi për ta ishte se nuk donin të paguanin tarifat, kështu që erdhën dhe po ndërtojnë këtu. Dhe shumë kompani të tjera po vijnë.
Ne nuk kemi nevojë t’u japim para. Ne thjesht duam të mbrojmë bizneset dhe njerëzit tanë, dhe ata do të vijnë sepse nuk do të kenë nevojë të paguajnë tarifa nëse ndërtojnë në Amerikë. Kjo është fantastike.
Ju duhet ta anuloni CHIPS Act, dhe çdo para që mbetet, Z. Kryetar, duhet ta përdorni për të ulur borxhin. Ose për çdo qëllim tjetër që dëshironi.
Politika jonë e re tregtare do të jetë gjithashtu një fitore e madhe për fermerët amerikanë – i dua fermerët! Tani ata do të shesin prodhimet e tyre në tregun tonë të brendshëm, SHBA, sepse askush nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë me ta.
Sepse mallrat që vijnë nga vendet dhe kompanitë e tjera janë vërtet, vërtet në një pozitë të keqe në shumë drejtime.
Ato nuk inspektohen, mund të jenë shumë të pista dhe të neveritshme kur hyjnë, dhe ato derdhen brenda ambalazheve duke dëmtuar fermerët tanë amerikanë. Tarifat do të vendosen mbi produktet bujqësore që hyjnë në Amerikë, dhe fermerët tanë, duke filluar nga 2 prilli, mund të kenë një periudhë të vogël përshtatjeje. E kemi kaluar këtë më parë, kur bëra marrëveshjen me Kinën. 50 miliardë dollarë blerje, dhe u thashë fermerëve: “Thjesht kini durim me mua,” dhe ata e bënë. E bënë. Ndoshta do të duhet të bëjnë durim me mua përsëri. Por kjo do të jetë edhe më e mirë. Ishte e shkëlqyer atëherë. Problemi ishte që Biden nuk e zbatoi. Ai nuk e zbatoi.
50 miliardë dollarë blerje dhe ne po bënim shumë mirë, por Biden nuk e zbatoi dhe kjo i dëmtoi fermerët tanë. Por tani fermerët tanë do të kenë kohën e tyre më të mirë. Pra, fermerë: shijojeni këtë periudhë. Ju dua shumë! Ju dua shumë!
Gjithashtu, kam vendosur një tarifë prej 25% mbi aluminin, bakrin, drurin dhe çelikun e huaj, sepse nëse nuk kemi çelik, për shembull, dhe shumë gjëra të tjera, ne nuk kemi një ushtri – dhe, sinqerisht, nuk do të kemi një vend për shumë gjatë.
Sot, këtu me ne është një punëtor krenar i çelikut amerikan, një njeri i jashtëzakonshëm, nga Decatur, Alabama – Jeff Denard. Ai ka punuar në të njëjtën fabrikë çeliku për 27 vjet në një punë që i ka mundësuar të shërbejë si kapiten i departamentit lokal të zjarrfikësve vullnetarë.
Ka rritur shtatë fëmijë me gruan e tij të mrekullueshme, Nicole, dhe ndër vite ka ofruar një shtëpi të dashur për më shumë se 40 fëmijë të strehuar. Punë e jashtëzakonshme. Faleminderit, Jeff. Faleminderit.
Histori si ajo e Jeff-it na kujtojnë se tarifat nuk kanë të bëjnë vetëm me mbrojtjen e vendeve të punës amerikane. Ato kanë të bëjnë me mbrojtjen e shpirtit të vendit tonë.
Tarifat kanë të bëjnë me pasurimin e Amerikës dhe me rikthimin e madhështisë së saj. Dhe kjo po ndodh. Dhe do të ndodhë shumë shpejt.
Po, do të ketë një trazirë të vogël, por do ta përballojmë. Nuk do të zgjasë shumë.
Dhe shikoni se ku na çoi Biden. Në pikën më të ulët të historisë sonë.
Jeff, të falënderoj shumë. Dhe gjithashtu dua të falënderoj një tjetër person që ka kushtuar jetën e saj për kujdesin ndaj fëmijëve të strehuar dhe komunitetit. Punon shumë për këtë. Një person me shumë dashuri.
Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Puna e Melanias ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme, duke ndihmuar në përgatitjen e liderëve të ardhshëm të kombit tonë për të hyrë në fuqinë punëtore.
Asaj i janë bashkuar sonte dy gra të reja mbresëlënëse, shumë mbresëlënëse:
Haley Ferguson, e cila përfitoi nga iniciativa e Zonjës së Parë “Fostering the Future” dhe tani është gati të përfundojë studimet e saj për t’u bërë mësuese.
Elliston Berry, e cila u bë viktimë e një imazhi të falsifikuar në internet të krijuar nga një bashkëmoshatar.
Me ndihmën e Elliston-it, Senati sapo miratoi ligjin “Take It Down Act.” (Hiqe nga Interneti).
Dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Faleminderit shumë, John.
Dhe faleminderit Senatit. Punë e shkëlqyer.
Publikimi i imazheve të tilla në internet është një gjë e tmerrshme. Dhe sapo të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, mezi pres ta firmos këtë ligj.
Dhe po, do ta përdor edhe për veten time, nëse nuk keni problem. Sepse askush nuk trajtohet më keq në internet sesa unë. Askush.
Kjo është fantastike. Faleminderit shumë, Senat. Faleminderit.
Por nëse vërtet na intereson mbrojtja e fëmijëve të Amerikës, asnjë hap nuk është më i rëndësishëm se sigurimi i kufijve të vendit tonë.
Në katër vitet e fundit, 21 milionë njerëz kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Shumë prej tyre ishin vrasës, trafikantë njerëzish, anëtarë bandash dhe kriminelë nga rrugët e qyteteve më të rrezikshme në botë.
Për shkak të politikave të çmendura dhe shumë të rrezikshme të kufijve të hapur të Joe Biden, tani ata janë futur thellë brenda vendit tonë.
Por ne po i nxjerrim jashtë. Dhe po i nxjerrim jashtë me shpejtësi.
Dua të falënderoj Tom Homan dhe Kristi, dua të falënderoj edhe Paul nga Patrulla Kufitare.
Çfarë pune të mrekullueshme kanë bërë – të gjithë, Patrulla Kufitare, ICE, zbatimi i ligjit në tërësi është i pabesueshëm. Ne duhet të kujdesemi për forcat tona të rendit. Duhet ta bëjmë.
Vitin e kaluar, një studente e shkëlqyer 22-vjeçare e infermierisë, Laken Riley, më e mira në klasën e saj, e admiruar nga të gjithë, doli për një vrapim në kampusin e Universitetit të Xhorxhias.
Atë mëngjes, Laken u sulmua në mënyrë të pamëshirshme, u dhunua, u rrah brutalisht dhe u vra në mënyrë të tmerrshme.
Laken u mor prej nesh nga një anëtar i egër i një bande emigrantësh të paligjshëm, i cili ishte arrestuar ndërsa kalonte kufirin jugor të hapur të Biden dhe më pas u lirua në Shtetet e Bashkuara nën politikat e pamëshirshme të asaj administrate të dështuar. Ishte, vërtet, një administratë e dështuar.
Më pas, ai u arrestua dhe u lirua në një qytet strehë të drejtuar nga Demokratët – një katastrofë – para se t’i merrte jetën kësaj vajze të bukur, këtij engjëlli të ri.
Me ne këtë mbrëmje janë nëna e dashur e Laken-it, Allyson, dhe motra e saj, Lauren.
Vitin e kaluar, u premtova prindërve të pikëlluar të Laken-it se do të siguronim që vajza e tyre të mos kishte vdekur më kot.
Pikërisht për këtë arsye, ligji i parë që firmosa si presidenti juaj i 47-të detyron ndalimin e të gjithë kriminelëve të rrezikshëm të huaj që kërcënojnë sigurinë publike.
Ky është një akt shumë i fortë, shumë i fuqishëm. Quhet “Ligji Laken Riley”.
Kështu që, Allyson dhe Lauren, Amerika nuk do ta harrojë kurrë të bukurën tonë, Laken Hope Riley.
Faleminderit shumë.
Që nga marrja e detyrës, administrata ime ka nisur goditjen më të madhe ndaj kufirit dhe emigracionit të paligjshëm në historinë amerikane, dhe shumë shpejt arritëm numrin më të ulët të kalimeve të paligjshme të regjistruara ndonjëherë.
Faleminderit.
Media dhe miqtë tanë në Partinë Demokratike vazhdimisht thoshin se na duheshin ligje të reja, se duhet të kishim legjislacion për të siguruar kufirin. Por në fund doli se ajo që na duhej ishte thjesht një president i ri.
Joe Biden nuk i hapi vetëm kufijtë – ai i fluturoi emigrantët e paligjshëm mbi kufijtë për të mbingarkuar shkollat, spitalet dhe komunitetet tona në të gjithë vendin.
Qytete të tëra si Aurora, Kolorado, dhe Springfield, Ohajo, u rrëzuan nën peshën e një pushtimi emigrantësh dhe korrupsioni siç nuk është parë kurrë më parë.
Qytete të bukura, të shkatërruara.
Por, ashtu siç premtova në fjalimin tim të inaugurimit, ne po arrijmë çlirimin e madh të Amerikës. Por ende mbetet shumë për të bërë.
Këtu sonte është një grua që e kam njohur, Alexis Nungaray nga Hjustoni, një grua e jashtëzakonshme.
Vitin e kaluar, vajza e saj 12-vjeçare, e çmuara Jocelyn, u nis për të shkuar në një dyqan pranë shtëpisë.
Ajo u rrëmbye, u lidh, u ngacmua për dy orë nën një urë dhe u vra në mënyrë të tmerrshme.
Të arrestuar dhe të akuzuar për këtë krim të neveritshëm janë dy përbindësha emigrantë të paligjshëm nga Venezuela, të liruar në Amerikë nga administrata e mëparshme, përmes politikës së saj qesharake të kufirit të hapur.
Vdekja e kësaj vajze të bukur 12-vjeçare dhe dhimbja e nënës dhe familjes së saj preku të gjithë kombin tonë.
Alexis, të premtova se ne gjithmonë do ta kujtojmë vajzën tënde të mrekullueshme.
Dhe sonte, e mbajta fjalën.
Një gjë që mësova për Jocelyn-in është se ajo i adhuronte kafshët dhe natyrën.
Përtej Gjirit të Galvestonit, aty pranë vendit ku jetonte Jocelyn në Hjuston, gjendet një Park Kombëtar i Mbrojtjes së Kafshëve të Egra, një parajsë e qetë dhe e virgjër me 34,000 hektarë për të gjitha krijesat e Zotit, në brigjet e Gjirit të Amerikës.
Alexis, pak çaste më parë, unë e riemërtova zyrtarisht atë park në kujtim të dashur të vajzës tënde të bukur, Jocelyn.
Zoti Nënkryetar, nëse mundeni, a mund të më jepni urdhrin zyrtarisht?
Faleminderit shumë.
Të tre përbindëshat e arrestuar për vrasjen e Jocelyn-it dhe Laken-it ishin anëtarë të një prej bandave më të rrezikshme në botë, banda venezueliane “Tren de Aragua.”
Dy javë më parë, e shpalla zyrtarisht këtë bandë, së bashku me MS-13 dhe kartelet e pamëshirshme të drogës meksikane, si organizata të huaja terroriste.
Tani ato janë zyrtarisht në të njëjtën kategori si ISIS.
Dhe ky nuk është lajm i mirë për ta. Mijëra e mijëra terroristë të tillë u mirëpritën në SHBA nga administrata Biden.
Por tani, secili prej tyre do të gjurmohet dhe do të dëbohet me forcë nga vendi ynë, ose, nëse janë shumë të rrezikshëm, do të burgosen dhe do të gjykohen në këtë vend – sepse nuk duam që ata të kthehen më kurrë.
Me ne këtë mbrëmje është një luftëtar në vijën e parë të kësaj beteje, një agjent i Patrullës Kufitare, Roberto Ortiz. Një njeri i madh.
Në janar, Roberto dhe një agjent tjetër po patrullonin pranë lumit Rio Grande, në një zonë të njohur si “Ishulli i Kartelit” – që nuk më duket një vend shumë i këndshëm.
Kur banditë të armatosur rëndë hapën zjarr mbi ta, Roberto pa që partneri i tij ishte i ekspozuar ndaj një rreziku të madh dhe ndërhyri menjëherë, duke u kundërpërgjigjur dhe duke i dhënë agjentit tjetër disa sekonda vendimtare për të shpëtuar – vetëm për pak.
Kam disa pamje nga ai moment dhe nuk ishte aspak një situatë e mirë. Agjent Ortiz, ne të përulemi për guximin tënd të madh, për zjarrin që hodhe mbi armiqtë e Amerikës dhe për trimërinë që tregove.
Ne të nderojmë, dhe do të të nderojmë gjithmonë.
Faleminderit shumë, Roberto.
Faleminderit, Roberto. Dhe në fakt, kam pasur rastin ta njoh gjatë telefonatave të mia të shumta me kufirin. Ai është një zotëri i madh, një njeri i madh.
Toka në jug të kufirit tonë tani është nën kontrollin e plotë të karteleve kriminale që vrasin, përdhunojnë, torturojnë dhe ushtrojnë pushtet absolut.
Ata kanë kontroll total mbi një komb të tërë dhe paraqesin një kërcënim të madh për sigurinë tonë kombëtare. Kartele po zhvillojnë luftë në Amerikë, dhe ka ardhur koha që Amerika të zhvillojë luftë ndaj karteleve – dhe ne po e bëjmë këtë.
Pesë net më parë, autoritetet meksikane, për shkak të politikave tona tarifore që po i zbatojmë ndaj tyre – mendoni për këtë – na dorëzuan 29 nga drejtuesit më të mëdhenj të karteleve në vendin e tyre. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Ata duan të na bëjnë të lumtur. Për herë të parë.
Por ne kemi nevojë që Meksika dhe Kanadaja të bëjnë shumë më tepër sesa kanë bërë. Ata duhet ta ndalojnë fentanilin dhe drogat që derdhen në SHBA.
Ata do ta ndalojnë.
Kam dërguar në Kongres një kërkesë të detajuar për financim, duke përcaktuar saktësisht se si do t’i eliminojmë këto kërcënime për të mbrojtur atdheun tonë dhe për të përfunduar operacionin më të madh të deportimit në historinë amerikane.
Më të madh se çdo operacion i mëparshëm, madje edhe ai i presidentit Dwight D. Eisenhower, një njeri i moderuar, por që besonte fort në kufijtë e sigurt.
Amerikanët presin që Kongresi të më dërgojë këtë financim pa vonesë, në mënyrë që unë ta firmos menjëherë dhe ta kthej në ligj.
Pra, Zoti Kryetar, John Thune, të dy ju – shpresoj që do ta bëni këtë.
Zoti Kryetar, faleminderit.
Zoti Lider, faleminderit.
Faleminderit shumë.
Silleni tek unë. Do ta firmos aq shpejt, saqë nuk do ta besoni dot.
Dhe ndërsa rimarrim sovranitetin tonë, duhet gjithashtu të rikthejmë rendin dhe ligjin në qytetet dhe komunitetet tona.
Vitet e fundit, sistemi ynë i drejtësisë është përmbysur nga ekstremistë të majtë radikalë.
Shumë juridiksione kanë pushuar praktikisht së zbatuari ligjin kundër kriminelëve të rrezikshëm që përsërisin shkeljet, ndërsa në të njëjtën kohë kanë politizuar organet e rendit për t’i përdorur kundër kundërshtarëve politikë – përfshirë mua.
Administrata ime ka vepruar me shpejtësi dhe vendosmëri për të rikthyer drejtësinë e ndershme, të barabartë dhe të paanshme, nën sundimin kushtetues të ligjit.
Duke filluar nga F.B.I. dhe Departamenti i Drejtësisë.
Pam, suksese.
Kash, kudo që të jesh, suksese.
Suksese.
Ata tashmë kanë filluar me forcë të madhe. Ata do të bëjnë një punë fantastike. Do të ndiheni shumë krenarë për ta.
Ne po u japim sërish oficerëve tanë të policisë mbështetjen, mbrojtjen dhe respektin që e meritojnë kaq shumë. Ata duhet ta kenë. Ata kanë një punë të vështirë dhe shumë të rrezikshme, por ne do ta bëjmë atë më pak të rrezikshme.
Problemi është se të këqijtë nuk e respektojnë ligjin, por ata po fillojnë ta respektojnë. Dhe shumë shpejt do ta respektojnë plotësisht. Kjo përfshin gjithashtu departamentet tona të zjarrfikësve në të gjithë vendin.
Zjarrfikësit tanë janë njerëz të pabesueshëm dhe nuk do t’i harrojmë kurrë. Dhe përveç kësaj, ata votuan për mua në shifra rekord, kështu që nuk kam zgjidhje tjetër!
Një vit më parë, këtë muaj, një oficer policie 31-vjeçar nga Nju Jorku, Jonathan Diller – një njeri i mrekullueshëm dhe një oficer i shkëlqyer – u qëllua për vdekje gjatë një ndalese trafiku në Long Island.
Shkova në funeralin e tij. Krimineli i pamëshirshëm i akuzuar për vrasjen e tij kishte 21 arrestime të mëparshme – dhe ishin arrestime të rënda.
Ai ishte vërtet një nga më të këqijtë. Krimineli tjetër, që ndodhej në sediljen pranë tij, kishte 14 arrestime të mëparshme dhe quhej “Vrasësi.”
Ai kishte vrarë njerëz të tjerë. Thonë se shumë prej tyre. Mora pjesë në shërbimin e oficerit Diller dhe kur takova gruan e tij dhe djalin e tij njëvjeçar, Ryan, ishte vërtet një moment frymëzues.
E veja e tij, Stephanie, është këtu sonte. Stephanie, faleminderit shumë. Stephanie, do të sigurohemi që Ryan të dijë se babai i tij ishte një hero i vërtetë, një nga më të mirët e Nju Jorkut.
Dhe do të heqim nga rrugët vrasësit gjakftohtë dhe kriminelët që përsërisin shkeljet – dhe do ta bëjmë këtë shpejt.
Kjo duhet të ndalet. Ata dalin nga burgu pas 28 arrestimeve, shtyjnë njerëzit në shinat e metrosë. I godasin njerëzit pas koke me shkopinj bejsbolli. Ne duhet t’i largojmë nga rrugët tona.
Tashmë kam firmosur një urdhër ekzekutiv që kërkon dënim me vdekje të detyrueshëm për këdo që vret një oficer policie. Dhe sonte, po i kërkoj Kongresit ta kthejë këtë politikë në ligj të përhershëm.
Gjithashtu po kërkoj një ligj të ri kundër krimit që ashpërson dënimet për kriminelët përsëritës, ndërsa forcon mbrojtjen për oficerët e policisë amerikane, në mënyrë që ata të mund të bëjnë punën e tyre pa frikë për jetën e tyre. Ata nuk duan të vriten. Dhe ne nuk do të lejojmë që të vriten.
Me ne në galeri sonte është një i ri që e do vërtet policinë.
Quhet DJ Daniel.
Ai është 13 vjeç dhe gjithmonë ka ëndërruar të bëhet oficer policie. Por në vitin 2018, DJ u diagnostikua me kancer në tru. Mjekët i dhanë atij maksimumi pesë muaj jetë. Kjo ishte më shumë se gjashtë vjet më parë.
Që nga ajo kohë, DJ dhe babai i tij kanë qenë në një mision për ta bërë ëndrrën e tij realitet. DJ është betuar si oficer nderi në disa departamente policie.
Policët e duan. Departamentet e policisë e duan. Dhe sonte, DJ, ne do të të bëjmë nderin më të madh nga të gjitha.
Po i kërkoj drejtorit të ri të Shërbimit Sekret, Sean Curran, që zyrtarisht të të emërojë një agjent të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara.
Mjekët e DJ-së besojnë se kanceri i tij ka të ngjarë të ketë ardhur nga një kimikat me të cilin u ekspozua kur ishte më i ri.
Që nga viti 1975, rastet e kancerit tek fëmijët janë rritur me më shumë se 40%.
Përmbysja e kësaj tendence është një nga përparësitë kryesore të komisionit tonë të ri presidencial për të “Rikthyer Shëndetin e Amerikës,” i kryesuar nga Sekretari i ri i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr.
Me një mbiemër si Kennedy, do të mendonit se të gjithë këtu do të ishin duke brohoritur. Sa shpejt harrojnë!
Qëllimi ynë është të heqim toksinat nga mjedisi ynë, helmimet nga furnizimi ynë ushqimor dhe të mbajmë fëmijët tanë të shëndetshëm dhe të fortë.
Për shembull, jo shumë kohë më parë, një në 10,000 fëmijë kishte autizëm.
Një në 10,000. Dhe tani është një në 36. Diçka nuk shkon. Një në 36. Mendoni për këtë. Dhe ne do ta zbulojmë se çfarë po ndodh.
Dhe nuk ka njeri më të mirë për ta zbuluar këtë sesa Bobby dhe të gjithë njerëzit që po punojnë me të.
Ju keni më të mirët që po punojnë për ta kuptuar këtë çështje. Është një punë shumë e rëndësishme.
Administrata ime gjithashtu po punon për të mbrojtur fëmijët tanë nga ideologjitë toksike në shkollat tona.
Disa vite më parë, January Littlejohn dhe burri i saj zbuluan se shkolla e vajzës së tyre kishte bërë fshehurazi tranzicionin social të vajzës së tyre 13-vjeçare. Mësuesit dhe administratorët komplotuan për të mashtruar January dhe burrin e saj, ndërsa e inkurajonin vajzën e tyre të përdorte një emër dhe përemra të rinj.
Ata/ato.
Gjithçka u bë pa e njoftuar January-n, e cila është këtu sonte dhe tani është një avokate e guximshme kundër kësaj forme abuzimi ndaj fëmijëve.
January, faleminderit.
Histori si kjo janë arsyeja pse, menjëherë pasi mora detyrën, firmosa një urdhër ekzekutiv që ndalon shkollat publike të indoktrinojnë fëmijët tanë me ideologjinë transgjinore.
Gjithashtu, firmosa një urdhër për të ndërprerë të gjitha financimet e taksapaguesve për çdo institucion që merret me gjymtimin seksual të të rinjve tanë.
Tani dua që Kongresi të miratojë një ligj që e ndalon dhe e kriminalizon përgjithmonë ndryshimin e seksit tek fëmijët dhe që i jep fund, njëherë e përgjithmonë, gënjeshtrës se një fëmijë mund të jetë i “bllokuar” në trupin e gabuar.
Kjo është një gënjeshtër e madhe.
Dhe mesazhi ynë për çdo fëmijë në Amerikë është ky: Ti je perfekt, saktësisht ashtu siç të krijoi Zoti.
Sepse ne po e eleminojmë “wokeness” nga shkollat tona, nga ushtria jonë – dhe tashmë është larguar – dhe nga shoqëria jonë.
Ne nuk e duam atë. “Wokeness” është problem, është e keqe. Tani ka mbaruar. Ka mbaruar.
Dhe ndihemi shumë më mirë për këtë, apo jo? Nuk ndihemi më mirë?
Anëtarët tanë të shërbimit nuk do të jenë aktivistë dhe ideologë, ata do të jenë luftëtarë dhe heronj. Ata do të luftojnë për vendin tonë.
Dhe Pete, urime. Sekretar i Mbrojtjes. Urime.
Dhe ai nuk është fare i dhënë pas lëvizjes “woke”, këtë mund t’jua them me siguri. E njoh mirë.
Kam kënaqësinë të raportoj se në janar, Ushtria e Shteteve të Bashkuara pati muajin më të mirë të rekrutimit në 15 vitet e fundit.
Dhe të gjitha forcat e armatosura po arrijnë disa nga rezultatet më të mira të rekrutimit në historinë tonë.
Çfarë ndryshimi i jashtëzakonshëm! Dhe e dini që vetëm pak muaj më parë, situata ishte krejt e kundërta. Ne nuk mund të rekrutonim askënd, nuk mundnim të rekrutonim.
Tani kemi disa nga rezultatet më të mira ndonjëherë. Çfarë kthese e jashtëzakonshme.
Është vërtet diçka e bukur për t’u parë. Njerëzit e duan sërish vendin e tyre. Është shumë e thjeshtë. Ata e duan Amerikën dhe e duan të qenit pjesë e ushtrisë sonë sërish.
Kështu që është një gjë e mrekullueshme. Dhe faleminderit shumë. Punë e shkëlqyer. Faleminderit.
Sonte, ne kemi këtu një të ri, Jason Hartley, i cili e njeh peshën e thirrjes për shërbim ndaj atdheut. Babai i Jason-it, gjyshi i tij dhe stërgjyshi i tij të gjithë kanë veshur uniformën.
Jason-i humbi tragjikisht babanë e tij, i cili ishte gjithashtu një zëvendës-sherif i qarkut Los Angeles, kur ishte ende një fëmijë. Tani ai dëshiron të vazhdojë trashëgiminë e familjes së tij në shërbim.
Jason-i është maturant në shkollën e mesme, një atlet i jashtëzakonshëm që ka fituar gjashtë tituj në sporte të ndryshme.
Thonë se është një atlet shumë i mirë. Ai është gjithashtu një student brilant, me një mesatare 4.46 – që është e shkëlqyer.
Ëndrra e tij më e madhe është të ndjekë Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point.
Dhe Jason, kjo është diçka shumë e madhe – të pranohesh në West Point. Është jashtëzakonisht e vështirë të hysh atje. Por jam i lumtur të të informoj se aplikimi yt është pranuar. Së shpejti do t’i bashkohesh korpusit të kadetëve.
Faleminderit.
Jason, do të jesh pjesë e “Long Gray Line”, Jason.
Si Komandant i Përgjithshëm, fokusi im është të ndërtoj ushtrinë më të fuqishme të së ardhmes. Si hap i parë, po i kërkoj Kongresit të financojë një mburojë moderne të mbrojtjes nga raketat – një “Golden Dome Missile Defense Shield” – për të mbrojtur atdheun tonë.
Dhe gjithçka do të prodhohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ronald Reagan deshi ta realizonte këtë shumë kohë më parë, por teknologjia thjesht nuk ekzistonte asokohe – as që i afrohej.
Por tani e kemi teknologjinë. Është e pabesueshme, në të vërtetë. Dhe vende të tjera e kanë – Izraeli e ka. Edhe vende të tjera e kanë. Dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë gjithashtu, apo jo, Tim? Edhe ne duhet ta kemi. Pra, dua t’ju falënderoj.
Por kjo është diçka shumë, shumë e rëndësishme – kjo është një botë e rrezikshme – dhe ne duhet të jemi të mbrojtur.
Ne duam të jemi të mbrojtur, dhe ne do t’i mbrojmë qytetarët tanë si kurrë më parë.
Për të forcuar bazën tonë industriale të mbrojtjes, do të ringjallim industrinë amerikane të ndërtimit të anijeve, duke përfshirë ndërtimin e anijeve tregtare dhe ushtarake.
Dhe për këtë qëllim, sonte po njoftoj se do të krijojmë një Zyrë të re të Ndërtimit të Anijeve në Shtëpinë e Bardhë, e cila do të ofrojë stimuj të veçantë tatimorë për ta sjellë këtë industri përsëri në Amerikë, atje ku i takon.
Dikur, ne prodhonim kaq shumë anije. Tani nuk i prodhojmë më si dikur. Por ne do t’i prodhojmë sërish, dhe shumë shpejt. Dhe do ta bëjmë shumë shpejt. Dhe kjo do të ketë një ndikim të madh.
Për të forcuar më tej sigurinë tonë kombëtare, administrata ime do të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë.
Dhe ne tashmë kemi filluar ta bëjmë këtë.
Vetëm sot, një kompani e madhe amerikane njoftoi se po blen të dy portet përreth Kanalit të Panamasë dhe një sërë strukturash të tjera të lidhura me të.
Dhe disa kanale të tjera gjithashtu. Kanali i Panamasë u ndërtua nga amerikanët, për amerikanët – jo për të tjerët. Të tjerët mund ta përdorin, sigurisht. Por ai u ndërtua me një kosto të jashtëzakonshme në gjak dhe pasuri amerikane.
38,000 punëtorë vdiqën gjatë ndërtimit të Kanalit të Panamasë. Ata vdiqën nga malaria, nga pickimi i gjarpërinjve dhe nga mushkonjat.
Nuk ishte një vend i lehtë për të punuar. Ata paguheshin shumë për të shkuar atje, duke e ditur që kishin një shans 25% për të vdekur.
Ishte gjithashtu projekti më i shtrenjtë që ishte ndërtuar ndonjëherë në historinë e vendit tonë, nëse e përllogarisim me koston e sotme. Ai u dha nga administrata e Carter-it për 1 dollar.
Por ajo marrëveshje është shkelur rëndë. Ne nuk ia dhamë Kinës; ia dhamë Panamasë. Dhe ne do ta marrim përsëri.
Dhe ne kemi Marco Rubio në krye të kësaj çështjeje.
Suksese, Marco.
Tani e dimë se kë të fajësojmë nëse diçka shkon keq. Jo, Marco ka qenë i jashtëzakonshëm dhe do të bëjë një punë të shkëlqyer.
Mendojeni pak. Ai mori 100 vota.
Në fakt, ai u miratua me 99, por vota e 100-të ishte nga ky zotëri këtu, dhe jam shumë i sigurt për këtë, kështu që le të supozojmë se mori 100 vota.
Dhe unë ose jam shumë, shumë i lumtur për këtë, ose jam shumë i shqetësuar për këtë. Por ai tashmë e ka treguar veten – ai është një zotëri i madh, është i respektuar nga të gjithë dhe ne e vlerësojmë që votuat për Marcon.
Ai do të bëjë një punë fantastike. Po bën një punë të shkëlqyer. Punë e shkëlqyer.
Dhe gjithashtu kam një mesazh sonte për njerëzit e jashtëzakonshëm të Groenlandës. Ne mbështesim fuqimisht të drejtën tuaj për të përcaktuar të ardhmen tuaj. Dhe nëse zgjidhni, ne ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne kemi nevojë për Groenlandën për sigurinë kombëtare dhe madje edhe për sigurinë ndërkombëtare. Dhe po punojmë me të gjithë ata që janë të përfshirë për ta arritur këtë. Por ne kemi nevojë për të, vërtet, për sigurinë botërore. Dhe mendoj se do ta marrim – në një mënyrë ose në një tjetër, do ta marrim.
Ne do t’ju mbrojmë.
Ne do t’ju bëjmë të pasur.
Dhe së bashku, do ta çojmë Groenlandën në lartësi që nuk i keni menduar kurrë më parë.
Është një popullsi shumë e vogël, por një pjesë e madhe e tokës dhe shumë, shumë e rëndësishme për sigurinë ushtarake. Amerika po qëndron sërish e fortë kundër forcave të terrorizmit islamik radikal.
Tre vjet e gjysmë më parë, terroristët e ISIS-it vranë 13 anëtarë të shërbimit amerikan dhe shumë të tjerë në sulmin në Abbey Gate, gjatë tërheqjes katastrofike dhe të paaftë nga Afganistani. Jo për shkak se po tërhiqeshim, por për mënyrën se si u tërhoqëm. Ndoshta momenti më turpërues në historinë e vendit tonë.
Sonte, kam kënaqësinë të njoftoj se sapo kemi kapur terroristin kryesor përgjegjës për atë masakër, dhe ai tani është rrugës për t’u përballur me drejtësinë amerikane.
Dua të falënderoj posaçërisht qeverinë e Pakistanit për ndihmën e tyre në arrestimin e këtij përbindëshi.
Kjo ishte një ditë shumë e rëndësishme për ato 13 familje, të cilat i kam njohur shumë mirë, shumicën prej tyre, prindërit e të cilëve u vranë. Dhe për shumë të tjerë që u plagosën rëndë – mbi 42 persona – në atë ditë fatale në Afganistan.
Çfarë dite e tmerrshme.
Një paaftësi e tillë u tregua atë ditë – saqë kur Putin pa çfarë ndodhi, me siguri tha: “Wow, ndoshta kjo është mundësia ime.”
Kaq keq ishte. Nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Njerëz jashtëzakonisht të paaftë.
Kam folur me shumë nga prindërit dhe të dashurit e viktimave, dhe ata janë në zemrat tona sonte. Sapo fola me ta në telefon.
Çdo njëri prej tyre telefonoi, dhe të gjithë ishin në linjë. Dhe nuk bënë asgjë tjetër përveçse qanë nga lumturia. Ata ishin shumë të lumtur. Sa të lumtur mund të jenë, në këto rrethana.
Fëmija i tyre – vëllai, motra, djali, vajza – u vra pa asnjë arsye.
Në Lindjen e Mesme, ne po i kthejmë pengjet tona nga Gaza.
Në mandatin tim të parë, ne arritëm një nga marrëveshjet e paqes më historike të gjeneratave të fundit: Marrëveshjet Abraham.
Dhe tani, ne do të ndërtojmë mbi këtë themel për të krijuar një të ardhme më paqësore dhe më të begatë për të gjithë rajonin.
Shumë gjëra po ndodhin në Lindjen e Mesme. Njerëzit kanë folur shumë për këtë kohët e fundit, me gjithçka që po ndodh në Ukrainë dhe Rusi.
Shumë gjëra po ndodhin në Lindjen e Mesme. Është një zonë e vështirë, në të vërtetë.
Po punoj gjithashtu pa pushim për t’i dhënë fund konfliktit të egër në Ukrainë. Miliona ukrainas dhe rusë janë vrarë ose plagosur pa patur nevojë në këtë luftë të tmerrshme dhe brutale, pa asnjë fund në horizont.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar qindra miliarda dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës – pa asnjë garanci sigurie, pa asgjë. A dëshironi ta vazhdoni këtë për pesë vjet të tjera? Po? Ju do të thoni po. Pocahontas thotë po.
Çdo javë vriten më shumë se 2,000 njerëz – ndoshta edhe më shumë. Janë të rinj rusë, janë të rinj ukrainas. Nuk janë amerikanë, por unë dua që kjo të ndalojë.
Ndërkohë, Evropa ka shpenzuar më shumë para për të blerë naftë dhe gaz nga Rusia sesa ka shpenzuar për të mbrojtur Ukrainën. Dhe me një diferencë të madhe.
Mendojeni pak.
Ata kanë shpenzuar më shumë për të blerë naftë dhe gaz rus sesa për mbrojtjen e Ukrainës. Ne kemi shpenzuar ndoshta 350 miliardë dollarë – si të marrësh karamele nga një fëmijë. Kjo ndodhi.
Ata kanë shpenzuar 100 miliardë dollarë. Çfarë diference e madhe. Dhe ne kemi një oqean që na ndan nga konflikti. Ata nuk e kanë. Por ne po shkojmë shumë mirë me ta dhe shumë gjëra të mira po ndodhin.
Biden ka autorizuar më shumë para për këtë luftë sesa Evropa ka shpenzuar – me miliarda dhe miliarda dollarë më shumë. Është e vështirë të besohet që ata nuk e kanë ndaluar në një moment.
Ejani tani, le të barazohemi. Duhet të jeni të barabartë me ne. Por kjo nuk ndodhi.
Më herët sot, mora një letër të rëndësishme nga Presidenti Zelensky i Ukrainës.
Letra thotë: “Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të afruar paqen e qëndrueshme.”
“Askush nuk e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit,” tha ai.
“Ekipi im dhe unë jemi gati të punojmë nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe që zgjat. Ne vlerësojmë shumë ndihmën që Amerika ka dhënë për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj. Sa i përket marrëveshjes mbi mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo moment.”
E vlerësoj që ai e dërgoi këtë letër. E mora vetëm pak më parë. Njëkohësisht, kemi zhvilluar bisedime serioze me Rusinë. Dhe kam marrë sinjale të forta se ata janë të gatshëm për paqe.
A nuk do të ishte e bukur?
Është koha për ta ndalur këtë çmenduri. Është koha për ta ndalur vrasjen. Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse do të ndalosh luftërat, duhet të flasësh me të dyja palët.
Gati katër vjet më parë, në mes të tensioneve të shtuara, një mësues historie i quajtur Marc Fogel u ndalua në Rusi dhe u dënua me 14 vjet.
E rëndë.
Administrata e mëparshme mezi lëvizi një gisht për ta ndihmuar.
Ata e dinin që ishte i pafajshëm, por nuk kishin asnjë ide se nga ta fillonin.
Por verën e kaluar, i premtova nënës së tij 95-vjeçare, Malphine, se do ta sillnim djalin e saj në shtëpi i sigurt.
Dhe pas 22 ditësh në detyrë, unë e bëra pikërisht këtë. Dhe ata janë këtu sonte.
Për Marc-un dhe nënën e tij të mrekullueshme, jemi të lumtur që ju kemi të sigurt dhe të shëndoshë këtu me ne.
Fati e deshi që Marc Fogel të lindte në një qytet të vogël rural në Butler, Pensilvani, ku nëna e tij ka jetuar për 78 vitet e fundit. Dhe unë rastësisht isha atje më 13 korrik për një miting. Nuk ishte një ditë e këndshme. Dhe pikërisht atje, para se të dilja në skenë, takova nënën e tij të bukur.
Dhe i thashë se nuk do ta harroja kurrë atë që më tha për djalin e saj.
Dhe nuk e harrova kurrë, apo jo? Nuk e harrova kurrë.
Më pak se 10 minuta më vonë, në të njëjtin miting, u dëgjuan të shtëna dhe një vrasës i sëmurë dhe i çmendur hapi zjarr nga një distancë e largët në një turmë prej mijëra njerëzish.
Jeta ime u shpëtua për një fije floku.
Por disa nuk patën aq fat.
Corey Comperatore ishte zjarrfikës, veteran, i krishterë, bashkëshort, baba i përkushtuar dhe, mbi të gjitha, një mbrojtës.
Kur të shtënat çanë ajrin – ishte një tingull i tmerrshëm – Corey e kuptoi menjëherë se çfarë po ndodhte dhe çfarë duhej të bënte.
Ai u hodh mbi gruan dhe vajzat e tij dhe i mbrojti nga plumbat me trupin e tij.
Corey u qëllua rëndë.
Ju e dini historinë nga atje – ai e dha jetën e tij për të shpëtuar të tyren.
Dy të tjerë, njerëz të mrekullueshëm, gjithashtu u plagosën rëndë, por falë ndihmës së dy mjekëve të shkëlqyer, ata mbijetuan.
Sonte, jemi të nderuar që kemi këtu bashkëshorten e Corey-t, Helen, dashurinë e tij të jetës që nga shkolla e mesme, dhe dy vajzat e tyre të dashura, Allyson dhe Kaylee.
Faleminderit.
Helen, Allyson dhe Kaylee: Corey po ju sheh nga lart tani, duke ju mbështetur dhe duke brohoritur për ju. Ai ju do. Ai po ju brohoret nga lart.
Corey na u mor shumë shpejt, por fati i tij ishte të na linte të gjithëve me një shembull të ndritur të përkushtimit të pashoq të një patrioti të vërtetë amerikan.
Ishte një dashuri si ajo e Corey-t që ndërtoi vendin tonë, dhe është dashuria si ajo e Corey-t që do ta bëjë Amerikën më madhështore se kurrë më parë.
Unë besoj se jeta ime u shpëtua atë ditë në Butler për një arsye shumë të rëndësishme.
Zoti më shpëtoi për të bërë Amerikën përsëri të madhe.
E besoj këtë. E besoj me gjithë zemër.
Faleminderit.
Nga patriotët e Lexington dhe Concord, te heronjtë e Gettysburg dhe Normandisë, nga luftëtarët që kaluan lumin Delaware te pionierët që ngjitën malet Rocky dhe nga legjendat që fluturuan në Kitty Hawk te astronautët që prekën hënën – amerikanët kanë qenë gjithmonë ata që sfiduan të gjitha gjasat, kapërcyen të gjitha rreziqet, bënë sakrificat më të jashtëzakonshme dhe bënë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur fëmijët tanë, vendin tonë dhe lirinë tonë.
Dhe siç kemi parë sonte në këtë sallë, e njëjta forcë, i njëjti besim, e njëjta dashuri dhe frymë është ende e gjallë dhe e fortë në zemrat e popullit amerikan.
Pavarësisht përpjekjeve të atyre që duan të na censurojnë, të na heshtin, të na thyejnë, të na shkatërrojnë, sot Amerika është një komb krenar, i lirë, sovran dhe i pavarur.
Dhe do të mbetet gjithmonë e lirë, sepse ne do të luftojmë për këtë deri në frymën e fundit. Ne nuk do të lejojmë kurrë që ndonjë gjë t’i ndodhë vendit tonë të dashur. Sepse ne jemi një komb vepruesish, ëndërrimtarësh, luftëtarësh, të mbijetuarish.
Të parët tanë kaluan një oqean të pafund, hynë në një botë të panjohur dhe krijuan fatet e tyre nga shkëmbi dhe toka e një kufiri të egër dhe të rrezikshëm.
Ata ndoqën fatin tonë përtej një kontinenti pa kufij.
Ata ndërtuan hekurudhat, shtruan autostradat dhe zbukuruan botën me mrekullitë amerikane si Empire State Building, Diga madhështore Hoover dhe Ura e artë Golden Gate.
Ata ndriçuan botën me elektricitet, u çliruan nga forca e gravitetit, ndezën motorët e industrisë amerikane, shkatërruan komunistët, fashistët dhe marksistët anembanë globit dhe na dhanë mrekulli të panumërta moderne të farkëtuara nga hekuri, qelqi dhe çeliku.
Ne qëndrojmë mbi supet e këtyre pionierëve që ndërtuan epokën moderne.
Këta punëtorë që ndërtuan horizontet e qyteteve tona.
Këta luftëtarë që derdhën gjakun e tyre në fushat e betejës, dhanë gjithçka që kishin për të drejtat tona dhe për lirinë tonë.
Tani është koha jonë për të marrë përsipër kauzën e drejtë të lirisë amerikane.
Dhe është radha jonë për ta marrë fatin e Amerikës në duart tona dhe për të nisur ditët më emocionuese në historinë e vendit tonë.
Kjo do të jetë epoka jonë më e madhe; me ndihmën e Zotit, gjatë katër viteve të ardhshme, ne do ta çojmë këtë komb edhe më lart.
Dhe do të krijojmë qytetërimin më të lirë, më të përparuar, më dinamik dhe më dominues që ka ekzistuar ndonjëherë mbi faqen e dheut.
Ne do të krijojmë cilësinë më të lartë të jetës.
Do të ndërtojmë komunitetet më të sigurta, më të pasura, më të shëndetshme dhe më të fuqishme kudo në botë.
Ne do të pushtojmë kufijtë e mëdhenj të shkencës dhe do ta udhëheqim njerëzimin në hapësirë.
Do ta ngulim flamurin amerikan në planetin Mars dhe madje edhe më përtej.
Dhe gjatë gjithë kësaj, ne do ta rizbulojmë fuqinë e pandalshme të shpirtit amerikan.
Dhe do ta rinovojmë premtimin e pakufishëm të ëndrrës amerikane.
Çdo ditë, ne do të ngrihemi dhe do të luftojmë, luftojmë, luftojmë për vendin që qytetarët tanë besojnë dhe për vendin që njerëzit tanë meritojnë.
Bashkatdhetarë amerikanë, bëhuni gati për një të ardhme të jashtëzakonshme, sepse epoka e artë e Amerikës sapo ka filluar.
Do të jetë diçka që nuk është parë kurrë më parë.
Faleminderit, Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë Amerikën! / Në shqip nga bota.al