Vitorio Xukoni
Gjysmë shekulli pas revoltës së madhe të të rinjve në ’68-ën dhe zbulimit tronditës të luftës mes brezave, ka sërish një “Great Divide” – (Ndarje të Madhe), ose hendeku mes të rinjve dhe më pak të rinjve, në vendin ku do të vendoset për presidencën e ardhshme të SHBA. Tani që fytyrat e dy konkurrentëve finalë janë bërë më të qarta, falë suksesit të Clintonit mbi Sandersin, shumë më të thellë se sa parashikonin sondazhet, dhe triumfit të pandalshëm të narcizit Donald Trump në Nju Jork, e ardhmja e udhëheqjes politike të SHteteve të Bashkuara kthehetatje ku ishte në vitin e trazuar 1968. Në aleancën, ose të paktën në “armëpushimin” mes brezave. Dhe është ky problemi që Hillary Clintoni do të duhet të zgjidhë, nëse do të dojë të shpresojë të kontrollojë Trumpin, dhe ta mundë në nëntor.
Një problem që nuk shfaqet për republikanët, ku Donald Trumpi ushtron magnetizmin e tij përmes zyrës së regjistrimit, dhe gjithnjë e më shumë, edhe përmes klasave sociale dhe të ardhurave. E bën përmes levës së apelit të tij, ulëritës dhe nacionalist, që bashkon në korin ritmik dhe të dëshpëruar të U-S-A – U-S-A, grupe zgjedhësish që teorikisht duhej të ishin të kundërt mes tyre, të rinj të papunë me arsim të mangët dhe miliarderë klubesh jahtesh, sindikata proteksioniste dhe sipërmarrës të vegjël në prag falimentimi, familje të Amerikës rurale dhe metro-seksualë të magjepsur prej princit, sipas të cilit “asgjë nuk ka më shumë sukses, se sa teprimi”. Trumpi është Trumpi, një fenomen unik, paradoksal, por efikas. Dhe i nënvlerësuar nga të gjithë.
Problemi i “Generation Divide” (Ndarjes Breznore), siç quhej në të kaluarën, është i gjithi i Hillarysë dhe Partisë Demokratike. Për zonjën, të dhënat janë të frikshme: në Nju Jork, që për një kandidat demokrat është një shtet teorikisht i sigurtë dhe elektoralisht i domosdoshëm, 72% e zgjedhësve nën 30 vjeç kanë votuar për Sandersin, dhe për të parë përmbysje të raportit, duhet të ngjitesh mbi 60-vjeçarët. Edhe mes grave, që duhej të ishin, dhe duhet të jenë, vend-ankorimi i sigurtë për ambiciet e HIllarysë, disekuilibri është i madh. Nuk është gjinia, por mosha që shenjon ndarjen mes “Clintonistas” dhe “Sanderistas”.
Të rinjtë, dhe të rejat, mbi të gjitha ato të angazhuara apo të ngecura në labirintin universitar, prej ku dalin me diplomën 4-vjeçare që nuk u garanton një punë, por të thyer prej një borxhi mesatar prej afro 30 mijë dollarë, nuk e gjejnë veten tek Hillary. I kishin besuar shpresat e tyre, ëndrrat e tyre, përpjekjet për rigjetjen e dëshirës për të marrë pjesë në jetën demokratike, tek 74-vjeçari Sanders, më shumë se sa tek ajo. As edhe apeli feminist, që u provua nga Hillary nuk funksionoi, ndoshta sepse vajzat e reja, tha humoristi Bill Maher teksa intervistonte “Sanderisten” Susan Sarandon, besojnë më shumë tek gjyshi, se sa tek mamaja.
Ndoshta me dyshimin se mamatë, dhe baballarët, kanë krijuar, me egoizmin e tyre të përmbushur, një shoqëri që atyre, të rinjve, u duket e padrejtë, e mbyllur, në thelb një “dru i shtrembëruar” prej parasë së financës së madhe, dhe e paaftë të premtojë një të ardhme, të paktën të barabartë, në mos më të mirë, materialisht dhe moralisht.
Pra, është “gjyshi” revolucionar i Partisë Demokratike ai që mban në grusht fitoren e HIllarysë dhe humbjen e Trumpit. Askush tjetër, asnjë prej “zëvendësve” të zonjës, as edhe bashkëshorti, ish presidenti Bill, që deri tani ka shkaktuar më shumë telashe, se sa ka prodhuar avantazhe me daljet e tij në favor të të shoqes, nuk mundet që të tërheqë rininë kokëfortë, e cila e kishte “ndjerë Bernin”. Vetëm ai mund të bindë ata zgjedhës që janë shndërruar në militantë dhe aktivistë, që të bëjnë pranimi e dhimbshëm të “të keqes më të vogël”, të Clintonit në vend të Trumpit, një gjë e cila për një 20-vjeçar përbën gjithmonë heqje dorë nga ëndrrat e veta.
Nga mënyra se si ai do të lëvizë deri të martën e ardhshme, datë 26, kur një lumë votash prej delegatëve për Hillarynë të prodhuara në shtete si Pensilvania apo Merilendi, të thirrur për të votuar, do të sinjalizojë pamundësinë përfundimtare të një përmbysjeje, nga besueshmëria e një pranimi prej tij të humbjes dhe dhënien e mbështetjes për të, do të varet suksesi elektoral i Clintonit kundër Trumpit. Sandersi, i humburi që ka fituar betejën e ideve dhe ka hedhur farat, të cilat pas disa vitesh do të prodhojnë më shumë kandidatë progresistë dhe më të besueshëm, është shndërruar në “kingmaker”, pra ai që mund të japë, ose të heqë një herë e përgjithmonë, kurorën e kundërshtares, duke e ndihmuar që të ndërtojë një urë mbi hendekun mes brezave. Ose të bjerë në tundimin e përjetshëm të të majtave “të pastra e të rrepta”, të vendosura që të shembin tempullin bashkë me të gjithë filistejtë e moderuar, duke ua dorëzuar të tjerëve. Për parim./La Repubblica – Në shqip nga bota.al