Ushtarakët e revoltuar dukeshin si guerilas të vetëdijshëm që do e humbnin betejën, që pa filluar. Duke e ditur fare mirë se sulltani, i destinuar për të fituar, nuk do t’i falte. Shtetet e Bashkuara, të gatshme të reagonin menjëherë, thanë shpejt e shpejt se qeveria e vetme që do të njihnin ishte ajo e zgjedhur nga populli. Kur presidenti turk ka dëgjuar këto fjalë, gjatë natës, ai me siguri ka kuptuar se ka fituar, madje stërfituar. Tani, fërkimet me Shtetet e Bashkuara, për të siguruar ekstradimin e Gulenit (gjë e cila kurrë nuk do të ndodhë), janë pjesë e lojës që, ata të cilët kuptojnë pak nga politika ndërkombëtare, duhet ta dinë
Nga Antonio Ferrari
Të premten, në mbrëmje vonë, isha i bindur se “grushti i shtetit” në Turqi do të dështonte. Ma konfirmonin burimet e mia të çmuara në atë vend, të cilat i ndjek prej 36 vjetësh. Burime të cilët kurrë nuk e kanë tradhtuar besimin tim, dhe që – për të përdorur një gjuhë të papërpunuar – kurrë nuk më kanë shitur një “shpifje”. Kam pasur një dyshim të vetëm: ky “grusht shteti”, ose “minigrusht”, a mos ishte ndoshta një “autogrusht”? Tani jam pothuajse i sigurt. Shumë elemente më kanë konfirmuar se isha në rrugën e duhur dhe se, siç më thoshin miqtë e mi turq, Erdogani jo vetëm që do t’i vinte përfund ushtarët e pamatur rebelë, por do të bëhet më i fortë se më parë, një hero i Turqisë. I shtoj një “për fat të keq”, sepse ai nuk është një demokrat, është një autokrat, një gjysmë-diktator, siç e kam denoncuar prej kohësh në Corriere della Sera.
Pakti i çeliktë Erdogan-Gulen
Duhet që menjëherë të sqaroj dy gjëra. E para është se forcat legjendare të armatosura turke, mbrojtëset e shtetit laik, nuk janë më legjendare. Ato janë shumë të ndryshme nga forcat që na kanë mësuar librat e historisë, madje edhe ata më të fundit. E dyta është se është krijuar një ndarje pikërisht brenda botës së ushtrisë, me drejtuesit më të lartë në njërën anë, dhe forcat e rangjeve të ulëta në anën tjetër. Këta të fundit, ishin dhe janë të hipnotizuar nga predikimet libertariane të predikuesit sunnit, Fethullah Gulen, i cili që në vitin 1999, pra para se Rexhep Tajip Erdogani të vinte në pushtet, u largua në SHBA dhe kërkoi azil politik. Të dy ishin të lidhur me një pakt të çeliktë mes tyre: politikani karizmatik, atletik dhe tërheqës, pikërisht Erdogan; dhe miliarderi i fuqishëm dhe me shumë ndikim, i cili në Turqi kishte lëshuar rrënjë kudo: në shkolla dhe universitete në pronësi të tij, fondacione, institucione, polici, gjyqësor, shërbimet e inteligjencës, në rangjet e mesme të ushtrisë. Një marrëdhënie e ndërlikuar. Predikuesi, nga Saylorsburgu, Pensilvani, sugjeronte linjën e moderuar, i gatshëm për të ofruar këshillat më oportune; udhëheqësi më i ri në moshë i kombinonte sugjerimet, me përgjegjësitë e pushtetit. Dukej një marrëdhënie e përsosur. Gazetat në pronësi të Gulenit mbështesnin qeverinë e moderuar islamike të Erdoganit; ky i fundit shfrytëzonte njohuritë e mirëbërësit të tij, i cili i kishte hapur dyert e qarqeve më ekekluzive në vend.
Prishja e një miqësie
Mospajtimet e para u shfaqën disa vite më parë, përsëri për arsye të pushtetit. Sulltani i ardhshëm nuk toleronte ndikimin në rritje të “partnerit amerikan”, i cili tani nuk kishte më frena. Hapte zyra në të gjithë botën, duke përfshirë Italinë, me disa qendra shumë të rëndësishme, dhe gjithashtu forconte lidhjet me ndikim edhe me botën katolike. Pranova, së bashku me disa kolegë dhe profesorë, një ftesë për në Stamboll nga gulenianët italianë. Interesantë, por invazivë. Ne ishim natyrisht në pjesën lindore të qytetit, me dreka dhe darka, pa verë, disa takime, aromë tarafesh. Nuk më pëlqeu, ruajta distancën, edhe pse kam qenë kurioz për të kuptuar dhe për të mësuar më shumë mbi pushtetin që grupi mburrej se kishte. I kam takuar edhe në Milano, gjatë festës kombëtare të Turqisë, në hotel “Katër stinët”: më pas, nuk i pashë më.
Në vitin 2013 ndodhi prishja përfundimtare me qeverinë e Erdoganit. Ndarje e dhimbshme dhe e hidhur. Udhëheqësi, gjithnjë e më i sëmurë nga protagonizmi, ishte i bindur se Fethullah Guleni komplotonte kundër tij. Në fakt, predikuesi kishte filluar të denonconte mashtrimet e regjimit, skandalet financiare, lidhjet me Isis, armët që i shkonin terroristëve në Siri. Gazetat e Gulenit u dobësuan dhe u shkatërruan. Pasi u bë president i Republikës, Erdogani përgatiti hakmarrjen e tij. I kërkoi të paktën dy herë tPresidentit Barak Obama që të ekstradojë Gulenin, duke e quajtur atë një “terrorist që dëmton në rrënjë, demokracinë turke”. Obama është përgjigjur gjithmonë me habi diplomatike dhe zemërim të heshtur. Kurrë ndonjëherë Amerika nuk do të kthente një njeri që rrezikon deri edhe vdekjen, nën barrën e fajeve praktikisht inekzistente.
Ajo që i mungonte grushtit të shtetit
Tani, që Guleni ka shumë pasues në mesin e Forcave të Armatosura Turke, kjo nuk ka dyshim. Por ky njeri, i cili iu përgjigj me zemërim akuzave të Erdoganit për grushtin e shtetit të të premtes, sigurisht që nuk është budalla. Nuk improvizohet një grusht shteti, pa mjetet e mjaftueshme, pa komando të cilët shkojnë për të kërkuar dhe për të kapur liderin dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë, pa forca speciale që të marrin televizion, radiot dhe institucionet e medias, duke shpërndarë komunikata emergjence. Ushtarakët e revoltuar dukeshin si guerilas të vetëdijshëm që do e humbnin betejën, që pa filluar. Duke e ditur fare mirë se sulltani, i destinuar për të fituar, nuk do t’i falte. Shtetet e Bashkuara, të gatshme të reagonin menjëherë, thanë shpejt e shpejt se qeveria e vetme që do të njihnin ishte ajo e zgjedhur nga populli.
Kur presidenti turk ka dëgjuar këto fjalë, gjatë natës, ai me siguri ka kuptuar se ka fituar, madje stërfituar. Tani, fërkimet me Shtetet e Bashkuara, për të siguruar ekstradimin e Gulenit (gjë e cila kurrë nuk do të ndodhë), janë pjesë e lojës që, ata të cilët kuptojnë pak nga politika ndërkombëtare, duhet ta dinë. /Corriere della Sera – Në shqip nga Bota.al