Analiza

ANALIZE / Gaz, grurë dhe sanksione: Ndeshja e vërtetë mes Kremlinit dhe Perëndimit

pipeline1Më shumë se një përplasje muskujsh, kjo është një lojë shahu, në të cilën cdo hapi përpara të njërit i përgjigjet një sprapsje në të njëjtën masë e tjetrit, dhe ku lojtarët duhet të mbajnë parasysh faktorë që në dukje janë anësorë, por, potencialisht vendimtarë. Për shembu, Europa – ose të paktën qeveria angleze – nuk mund të mos e dëgjojë lobin e ndërtimeve në Londër, e bindur që nëse do të bllokonte udhëtimet e superpasanikëve rusë, do të shkaktonte një “shembje” të tregut të shtëpive lukoze e si pasojë do të plaste fluska e cmimeve. Por edhe Putinit i duhet të shqetësohet për reagimin popullor që do të shpërthente – në rast të një embargoje tregtare – nëse do të zhdukeshin, për shembull, letrat higjienike nga supermerkatat ruse, si një herë e një kohë, në Bashkimin Sovjetik. Sepse Rusia nuk është Irani, lidhjet ekonomike, financiare, tregtare janë shumë të ngushta, ato mbërrijnë deri në banesa: pa paratë e Gazpromit, gjigandit rus të gazit, Champions League e futbollit do të ishte më e varfër dhe dy skuadra, si Chelsea dhe Shalke 04 do të duhej të rishikonin menjëherë pgat e futbollistëve. Për të bërë sa më pak dëm, duhet ndërhyrë jo me sëpatë, por me bisturinë e neurokirurgut. E vështirë kjo gjë, kur në terren, dëgjohen zhurmat e cizmeve të ushtarëve dhe në lojë janë ëndrra gjeopolitike të ushqyera prej një kohe të gjatë.

Interesat në loj janë të shumtë dhe të rëndësishëm, edhe po të shohësh vetëm Ukrainën. Tani, në dimër, fushat janë të pista dhe të shkreta, por një kolaps hipotetik i këtij vendi dhe ekonomisë së tij, do të shkaktonte me shumë gjasa një krizë ushqimi të nivelit botëror, si dhe një rritje të madhe të cmimeve të grurit. Ukraina është prodhuesi i nëntë në botë i grurit, por është eksportuesi i gjashtë: pa dhjetë milionë tonelatat që ajo eksporton, tregu ndërkombëtar do të pësonte tronditje këtë verë. Megjithatë, për momentin, të gjithë e kanë mendjen tek gazi. Ukraina nuk prodhon, por nëpër territorin e saj kalon “Vëllazëria”, gazsjellësi që transporton drejt Europës 15 përqind të nevojave të saj të përvitshme, ose, gjysma e eksporteve të Gazpromit drejt perëndimit. Dy herë, në 2006 dhe 2009, rusët e bllokuan furnizimin, duke akuzuar Kievin për shkelje të kontratës, por në të vërtetë duke shantazhuar Europën, me të ftohtin dhe errësirën. A vlen më ky kërcënim. Hëpërhë, jo, dhe Putini e di mirë. Dimri po mbaron dhe depozitat europiane janë të mbushura.  Ndonjë prpoblem mund të shfaqet vitin tjetër. Por, ekspertët thonë se Putini duhet të bëjë kujdes kur tërheq litarin. Në qarkullim ka shumë metan dhe tashmë është bërë i zakonshëm transporti i tij me anije në gjendje të lëngët. Moska duhet të bëjë kujdes që të mos e shtyjë klientin e saj kryesor që të gjejë furnizues të rinj: gjysma e të ardhurave të eksportit rus vijnë pikërisht nga metani. Guri tjetër i shahut, në ndeshjen mes Moskës dhe perëndimit, është nafta. Një burim i pasur të ardhurash për Kremlinin: Rusia është një prej gjigandëve, vendi ku nxirret 13 përqind e naftës së botës. Përpjekja për të bllokuar eksportin – sic ka ndodhur me Iranin – e një prodhuesi kaq të rëndësishëm do të ishte bumerang. Cmimi i naftës do të rritej dhe Rusia, duke ua shitur shteteve neutralë, në fund do të dilte fituese: 60 cent më shumë në xhep, për cdo rritje me një dollar të cmimit të një fucie. Por, as Putini nuk mund të rrijë i qetë: Obama mund të reagojë duke shfuqizuar urdhërin që ndalon eksportin e naftës së nxjerrë në SHBA, duke e furnizuar tregun të paktën për pak kohë.

Nafta, nga ana tjetër, mes Rusisë dhe Perëndimit nuk është vetëm fuci. Shumë menaxherë europianë dhe amerikanë, në këto orë, janë nervozë në lidhje me investimet e tyre. Praktikisht, kushdo që ka një farë peshe në botën e energjisë, është e sigurtë që ka investuar fuqishëm në Rusi gjatë këtyre viteve, dhe ka lidhur marrëveshje me gjigandët rusë, Rosneft apo Gazprom: Exxon, Shell, Bp, Total, Eni, Enel, apo edhe Saras e familjes Moratti. Por fatin e atyre investimeve e kanë shumë për zemër edhe rusët, të cilët kanë nevojë për para dhe teknologji të reja për të shfrytëzur burimet e tyre. I njëjti diskutim vlen edhe në përgjithësi: 75 përqind e investimeve të huaj në Rusi vjen nga SHBA. E qartë që Moska i ka me merak ata që kanë hedhur para. Që nga General Electric, e deri tek Renault, kompania aksionere e të cilës me Avtovaz mbulon pothuajse 30 përqind të tregut të automjeteve në vend. Në rast të një embargoje tregtare, rusët rrezikojnë të shohin të zhduken letrat higjienike apo kosi i frutave, por europianët shohin të zhduken 40 përqind e të ardhurave globale (si psh Birra Carlsberg), apo 10 përqin e shitjeve botërore (si kosi Danone).

Po sikur të jenë rusët ata që do të ngrenë zërin? Përvec gazit dhe naftës, Putini zotëron edhe një kartë financiare. Vite të tërë shitje të naftës i kanë fryrë shumë rezervat valutore të Moskës. Hipoteza që t’i kthejë shpinën dollarit, ndoshta për ta shkëmbyer pasurinë në Euro, është në vetvete e ndërlikuar. Por, Putini mund të kërcënojë se do të shesë portofolin e tij të titujve të Thesarit të SHBA. Vetëm pesë shtete (Kina, Japonia, Brazili, Taivani dhe Zvicra) kanë në kasafortë më shumë tituj amerikane se sa Kremlini. Por përvec Kinës dhe Japonisë (më shumë se një mijë miliardë dollarë), të tjerët nuk kanë paketa decizive. Për shembull, nëse Rusia do të vendoste të shiste 160 miliardë dollarët që ka, nuk do ta trondiste dot një treg tashmë mbi 5 500 miliardë dollarësh.

MAURIZIO RICCI

La Repubblica

Leave a Reply

Back to top button