Bota

Anthony Giddens: Tani, rreziku është fitorja e “Brexit”. Do të ishte dëm i madh për të gjithë

Screen Shot 2016-04-12 at 12.03.49“Tani rreziku i vërtetë ndaj stabilitetit nuk është që David Cameronit i duhet të japë dorëheqjen për shkak të llogarive offshore, por që ai do të dobësohet deri në pikën që të humbasë referendumin mbi Bashkimin Europian. Në atë pikë do të humbiste vendin, por shumë më i madh do të ishte dëmi për Britaninë e Madhe dhe për Europën”. Ky është mendimi i Anthony Giddens, sociologu i Rrugës së Tretë, kthesa reformiste në të majtën perëndimore, ish drejtor i London School of Economics dhe tani pjesëtar i Dhomës së Lordëve, prej ku ka ndjekur dje fjalimin e Kryeministrit Cameron në Dhomën e Ulët.

Si e vlerësoni historinë e Panama Papers, Lord Giddens?

Reflekton një botë të re: epoka e re e interkonjeksionit digjital. Me një pasojë negative dhe një pozitive. E para është që parajsat fiskale ekzistojnë prej kohësh, por kanë fituar një domethënie të re që kur paraja është bërë elektronike: paratë e letrës në thelb nuk ekzistojnë më, ka vetëm shifra në kompjuter. Dhe kjo ka zmadhuar shumë mundësinë e zhvendosjes së shumave të mëdha nga një pikë e globit në tjetrën, pa kontrolle, duke iu shmangur autoriteteve fiskale, duke i bërë të rriten këto shuma, deri në dimensione që më parë kanë qenë të paimagjinueshme.

Dhe pasoja pozitive?

Për arsye të ngjashme është bërë më e vështirë, në mos e pamundur, që të ruhet sekreti dhe privatësia. Digjitalizimi i parasë ka një thembër të Akilit: lë një gjurmë informatike që duar ekspertësh mund ta gjejnë kollaj. Cdo kasafortë digjitale mund të hapet dhe të këqyret prej hacker-ave, atyre që janë të interesuar të bëjnë të qarkullojnë lajmet dhe gazetarëve të interesuar për të përhapur të vërteta të fshehura. Për më tepër, aleanca mediatike si International Consortium, me gazetarë në shtatëdhjetë vende të botës që shkëmbejnë informacione në kohë reale, do të kish qenë e pamundur përpara revolucionit digjital.

Cameroni e ka mbrojtur në parlament ekzistencën e fondeve offshore, si një domosdoshmëri financiare e ligjshme: a është kështu?

Brenda disa limiteve, sepse kompani shumëkombëshe dhe investitorë, për të vepruar në një realitet të globalizuar, kanë nevojë për instrumenta të ngjashme. Por shmangia, në mos evazioni fiskal, përbën një barrë të papërballueshme për ekonominë botërore. Në lojë janë triliona dollarë që duhet të gjenerojnë taksa, në dobi të kolektivitetit, por që në të vërtetë shkojnë në avantazh të një elite të vogël, duke rritur pabarazitë.

Cfarë nevojitet kundër këtij fenomeni?

Ajo që unë do ta quaja një sistem social global. Shteti social reduktoi pabarëzinë në kohën e revolucionit industrial, duke rishpërndarë pasurinë. Në kohën e revolucionit digjital shërbej një aksion i atij lloji, por universal. Dhe taksimi i kapitaleve të fshehura është një prej mjeteve për ta realizuar.

Si ju duk fjalimi i Kryeministrit Cameron në parlament?

Përgjegjësitë individuale në këtë rast, janë më e pakta: duhet të reformohet sistemi dhe Cameroni duket se ka vepruar në limite, ndonëse të paqartë, të ligjit. Nuk besoj se do të jenë Panama Papers që do e bëjnë të japë dorëheqjen, por rreziku për të, për Britaninë e Madhe dhe për Europën është një tjetër.

Cili?

Që Cameroni të dalë nga kjo histori i diskredituar politikisht, aq sa të mos jetë më në gjendje të bindë Mbretërinë e Bashkuar të qëndrojë në Bashkimin Europian, në referendumin e qershorit. Skandali i Panama Papers është pikërisht nga ato lloje ngjarjesh të paparashikueshme që mund të ndikojnë në rezultatin e votimit. Nëse zgjedhja racionale për qytetarët e Britanisë së Madhe do të ishte të qëndronin në BE, impakti i skandalit mund t’i shtyjë të votojnë kundër kryeministrit, pra edhe kundër BE.

Sjellë në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button