Bota

Apokalipsi i Evropës

Vizionet e katastrofës ‘përbashkojnë’ kontinentin, teksa establishmenti politik priret larg qasjes për “më shumë Evropë”

Screen Shot 2016-01-30 at 11.01.04

Nga Matthew Karnitschnig

Berlin – Nga natyra, idealistët dhe dyshuesit mbi Evropën shihen rrallë në sy me njëri-tjetrin, duke u përplasur mbi çdo gjë nga trangujt tek paketat financiare të shpëtimit. Por, kur vjen puna për të parashikuar të ardhmen e Europës, kundërshtarët kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Përfundimi i tyre:Fundi i BE-së, mund të jetë shumë i afërt.

“Evropa mund të shkatërrohet”- deklaroi në një fjalim të kohëve të fundit president i Parlamentit Evropian, Martin Shulc, duke shtuar se “dështimi i BE-së është një skenar realist”. Një tjetër parashikimi i zymtë, nuk mund të mos vinte edhe nga goja e Marin Lë Pen. Duke reflektuar mbi pasojat e mundshme të Brexit muajin e kaluar, politikania nacionaliste franceze, parashikoi se

referendumi britanik “do të jetë fillimi i fundit të Bashkimit Evropian”.

“Unë e krahasoj Brukselin me Murin e Berlinit. Në qoftë se Britania e Madhe rrëzon një pjesë e murit, gjithçka ka marrë fund”-  është shprehur Lë Pen për të përditshmen britanike “The Telegraph”. Shulc dhe Lë Pen, mund të kenë axhenda të ndryshme politike – ai dëshiron të shpëtojë BE-në, ndërsa ajo dëshiron ta shkatërrojë atë – por simetria e pikëpamjeve të tyre

mbi gjendjen e kontinentit, reflekton pesimizmin e thellë që gjallon në të gjithë bllokun mbi perspektivën e BE-së.

Jo shumë kohë më parë, profecitë e shkatërrimit të Evropës, do të qenë hedhur poshtë si absurde. Integrimi i mëtejshëm dukej si diçka e mirëqenë. Kur flitej për forcimin e lidhjeve midis vendeve anëtare, debati përqëndrohej mbi atë se kur dhe si, dhe jo nëse. Në grahmat e krizës së borxhit, “më shumë Evropë” u bë apeli i kontinentit. Këto ditë, ky term tingëllon më shumë si një kërcënim.

Për një farë kohe, BE-ja u duk po aq e pashmangshme sa edhe Shtetet e Bashkuara. Sot, blloku 28-anëtarësh ka më shumë të ngjarë të nxisë krahasime në Bashkimin Sovjetik ose Perandorinë e Habsburgëve. Ndryshime të tilla në humorin publik, janë shkaktuar shpesh nga një ngjarje e vetme. Në këtë rast, qe një mori krizash, duke filluar nga problemet e euros tek refugjatët, nga kërcënimi i Brexit tek rritja e “Orbanizmit”.

Ndër të parët që paralajmëruan ‘vdekjen’  e Evropës, nuk ishte askush tjetër përveç Angela Merkelit. “Nëse dështon euro, dështon edhe Evropa”- tha kancelarja gjermane gjatë ditëve të para të krizës së euros në vitin 2010. Kjo shprehje, u bë shpejt firma e saj. Gjermanët janë mbështetës të fuqishëm të Evropës, dhe Merkeli e përdori këtë stof për t’i shitur paketat e shpëtimit financiar Greqisë dhe anëtarëve të tjerë të lodhur të eurozonës, duke nënvizuar se çfarë ishte në rrezik.

Pak vetë besonin, se Evropa se me të vërtetë gjendej në prag të dështimit. Megjithatë, për lideren që shumë vetë e cilësojnë si ndërmjetësen dominuese në BE-së, ky paralajmërim theu një tabu. Prej atëhere, parashikimi i katastrofës së Evropës është bërë diçka gjithnjë e më në modë.

Në fakt,është e vështirë të kalojë një javë pa një politikan të shquar evropian që paralajmëron Apokalipsin e BE-së. Në ditët e sotme, krizat e mëdha dhe të vogla, nga fitorja e partisë konservatore Ligjit dhe Drejtësisë në Poloni deri tek ri-futja e kontrolleve kufitare kombëtare, përshkruhen si kërcënime vdekjeprurëse për të ardhmen e Evropës.

“Bashkimi Evropian mund të shkatërrohet, dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt, nëse izolimi dhe jo solidariteti bëhet rregull”- tha ministri i jashtëm i Luksemburgut Zhan Aselborn në mesin një përkeqësimi të krizës së refugjatëve. Bashkëatdhetari i tij, presidenti i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, tha më herët gjatë këtij muaji, se një pezullim i rregullave të kufijve të hapur sipas marrëveshjes së Shengenit, mund të përshpejtonte rënien e euros. “Euro nuk ka asnjë kuptim pa Shengenin, pa lirinë e lëvizjes për punëtorët, lirinë e udhëtimit, nga e cila përfitojnë të gjithë evropianët”-tha ai.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha javën e kaluar se BE-ja kishte “jo më shumë se dy muaj” kohë për të shpëtuar Shengenin ose do “të përballet me pasoja të rënda”. Volfgang Shojble, ministri gjaknxehtë financave i Gjermanisë, shkoi një hap më tej, duke thënë se liria e lëvizjes ka shkaktuar “një rrezik masiv për Evropën”.

Ajo që shqetëson disa eurofilë, është se kakofonia e shkaktuar nga kjo gjendje e zymtë, mund të bëhet një profeci vetë-përmbushëse. “Sa më shumë që ne flasim për një ndarje të plotë, aq më shumë ka të ngjarë që ajo të ndodhë”- tha Ulrike Guero, themeluese i Laboratorit Evropian të Demokracisë në Shkollën Europiane të Qeverisjes në Berlin.

Deri më tani, publiku evropian nuk duket tepër i shqetësuar nga perspektiva. Udhëheqësit e BE-së si Junker, Shulc dhe Tusk thjesht nuk kanë shumë ndikim në shumicën e vendeve. Shumë evropianë as nuk e dinë se kush janë ata. Disa ekonomistë dhe analistë politikë, i zhvlerësojnë profecitë e shkatërrimit të BE-së, si një hiperbolë politike.

Tek e fundit, Evropa ekzistonte edhe para se krijimit të Shengenit. Dhe ndërsa euro mund të

jetë më pak bindëse pa kufijtë e hapur, shpërbërja e monedhës së përbashkët do të ishte jashtëzakonisht e komplikuar, në mos katastrofike. Për më tepër, vendet anëtare, për të mos përmendur investitorët globalë, kanë investuar shumë tek euro për ta lënë atë të shkatërrohet. Gjithësesi, një çrregullim klasik europian, një seri gjysmë-masash që e mbajnë unionin të paprekur me çdo kusht, pa adresimin e shkaqeve për problemet e saj, mund të jetë më keq sesa një kolaps i plotë në një periudhë afatgjatë. “Skenari më i keq është një sistem që s’mund të vdesë”- thotë Guero. “Është si një bretkocë, që nuk kërcen nga uji i valë”-përfundon ajo./ “Politico”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button