Bota

Arktiku, epiqendra e Luftës së Ftohtë të shekullit të ri

Arktiku është kthyer në qendër të garës së madhe mes fuqive të mëdha. Ose ndoshta nuk është rikthyer, por aty ka qenë gjithmonë. Epiqendër e konfliktit që gjatë Luftës së Dytë Botërore, sot mund të jetë shkaku i Luftës së Ftohtë të shekullit të ri. Dhe ndryshimi i klimës është një faktor vendimtar në këtë drejtim.

Ditët e fundit, Norvegjia ka bërë të ditur se do të hapë Tromsøn dhe portet e veta për nëndetëset amerikane. Kritikave të norvegjezëve iu shtuan edhe protestat e fuqishme të Rusisë. E cila, pavarësisht deklaratave qetësuese të ministrit të mbrojtjes së Norvegjisë, se nuk bëhet fjalë për krijimin enjë baze të përhershme, ka folur për cënim të “marrëdhënieve të fqinjësisë”, që nuk do të mbetet pa përgjigje.

Dhe përgjigja nuk ka vonuar. Në tetor Rusia realizoi operacionin më të madh me nëndetëse që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Asaj të parës. Të paktën 10 nëndetëse të vendosura në gadishullin rus të Kolas u përfshinë në stërvitjet ushtarake, të cilat u monitoruan në vazhdimësi prej NATO-s dhe Norvegjisë. Po kështu nëndetëse ruse janë zbuluar edhe në Detin Barents dhe atë Norvegjez. Dhe nuk ishin thjesht stërvitje ushtarake, por demonstrim i forcës së rusëve. Veç të tjerash, qëllimi ishte të tregonte aftësinë e Rusisë për të rrezikuar brigjet e Amerikës.

E vërteta është se Kremlini e ka shtuar së tepërmi aktivitetin në Arktik, duke riaktivizuar baza nga epoka sovjetike, si dhe ndërtuar të reja. E gjitha bazohet në doktrinën e re detare të Rusisë, e cila e konsideron Arktikun një zonë konflikti ushtarak në të ardhmen. Dhe në këtë rast, një konflikt i mundshëm nuk parashikohet prej shkaqeve tradicionale, por prej zhvillimeve aktuale klimatike.

Ndryshimi i klimës tregon se temperaturat në Arktik janë rritur shumë. Rezultati? Mund të krijohet një rrugë kalimi nga Azia në Amerikë dhe Evropë, e cila do të shkurtonte ndjeshëm rrugët e transportit. Nga ana tjetër, gjasat janë që nëntoka e Arktikut të përmbajë lëndë të para, sidomos gaz, që mund të shndërrohen në burim të jashtëzakonshëm të ardhurash për atë që do t’i zotërojë në të ardhmen.

NATO e ka monitoruar me kujdes këtë shtim të veprimtarive ushtarake nga ana e Rusisë dhe bazat e Tromsø janë përgjigja e saj. Eshtë episodi më i fundit i Luftës së Ftohtë të shekullit të ri. Këtë herë nuk është një garë për armatim, por një garë për zotërimin e Arktikut. / bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button