Bota

“Armiku” Nr.1. E gjithë bota mobilizohet kundër Donald Trumpit

Screen Shot 2015-12-09 at 22.57.40

Që kur miliarderi amerikan ka kandiduar për zgjedhjet presidenciale, “goditjet” e tij janë tashmë në rend të ditës dhe përfundojnë në të gjithë mediat. Një strategji komunikimi që – sado e kritikuar nga republikanët dhe konservatorët – duket se po funksionon, sipas sondazheve.

Por për kritikët që nuk duan të dëgjojnë të flitet për të, as edhe gabimisht, po përhapen në SHBA aplikacione të ndryshme që lejojnë të “eleminohet” Trumpi dhe të injorohet. Janë disa, si Trumpëeb për shembull, që përdorin armën e satirës, për shembull duke futur një citim të tijin mes emrit dhe mbiemrit. Dhe të tjerë, si Trump Trump, që premtojnë madje të mos shfaqin në shfletuesin e kompjuterit asnjë lajm për Trumpin.

Dhe jo vetëm kaq. Në të gjithë botën shumëfishohen nismat kundër Trumpit: në Skoci, aktivistët kërkojnë të bojkotohen hotelet e tij dhe një universitet ka vendosur t’i heqë diplomën ad honorem.

Ndërkohë, në Mbretërinë e Bashkuar, janë me mijëra personat që po mobilizohen për t’i penguar hyrjen në vend. Brenda pak orësh, në fakt, ka kaluar numrin 200 mijë firma një peticion online që kërkon të mos lejohet të hyjë në të gjithë mbretërinë. Nisma mbështetet nga komunitetet islamike dhe nga politikë të gjithfarëlloj orientimesh. Miliarderi akuzohet se nxit urrejtjen dhe shkel ligjin britanik kundër përhapjes së ekstremizmit. Pra, ky problem me siguri që do të diskutohet në Parlament. Megjithatë, për momentin, Ministrja e Brendshme Theresa May ka zgjedhur heshtjen.

Një tjetër bojkot është vënë në zbatim në Dubai, ku shitja e produkteve të markës Donald Trump është pezulluar në 178 dyqane të një zinxhiri në Gji: “Respektojmë ndjenjat e të gjithë klientëve tanë, dhe në dritën e deklaratave të fundit të kandidatit presidencial, kemi pezulluar shitjen e të gjithë produkteve të Trump Home Decor Range”, ka lajmëruar Sachin Mundhva, drejtor ekzekutiv i Lifestyle, zinxhir dyqanesh për dekorime shumë i përhapur në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Pakistan./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button