Policia gjermane ka arrestuar dhjetëra njerëz për shkak të protestave kundër kufizimeve të pandemisë, pasi në mitingjet e mbajtura ditën e djeshme është ushtruar dhunë.
Policia e Berlinit tha se 86 persona u arrestuan pasi hodhën shishe kundër policëve gjatë demonstratës në shesh.
Një oficer u plagos, dhe një tjetër u përfshi në një incident përpara ndërtesës së Reichstag, ku u arrestuan 45 persona.
Në qytetin perëndimor të Dortmundit, një person sulmoi një grup televiziv gjatë protestës, ku dhe u arrestua një 23-vjeçar.
Policia në Këln ka shprehur zemërim se disa protestues në qytet u kërkuan blerësve që të hiqnin maskat kur hynin në dyqane.
“Duket sikur këta njerëz ende nuk e kanë kuptuar që nuk ka të bëjë vetëm me shëndetin e tyre, por edhe për jetën e të tjerëve,” tha shefi i policisë në Këln, shkruan Euronews.
Edhe pse ka nisur lehtësimin gradual i kufizimeve, protestat kundër tyre janë rritur.
Attila Hildmann dhe muzikanti Xavier Naidoo janë dy nga shumë prej tyre që kanë përhapur teori konspirative në Gjermani.
Hildmann kishte shkruar në faqen e tij në Facebook se Gjermania së shpejti do të braktisë demokracinë dhe se forcat sekrete do të instalojnë “një rend të ri botëror”. Ai gjithashtu implikoi Bill Gates në teoritë e tij.
Ndërkohë, Xavier Naidoo, i cili më parë ishte kritikuar gjerësisht për postimet raciste në media sociale ka shprehur dyshimet për ekzistencën e koronavirusit, duke kërkuar prova për të. /bota.al/