Zjarri më shkatërrues në historinë e Los Angeles-it, i cilësuar si i tillë nga presidenti Joe Biden, vazhdon të përhapet, duke zhvendosur mbi 150 mijë banorë. Të pasurit e famshëm janë strehuar në hotele luksoze si Beverly Hills Hotel, ndërsa qytetarët e zakonshëm kanë gjetur strehim te të afërmit ose në hangarë të improvizuar.
Pamjet janë apokaliptike: kolona tymi që errësojnë horizontin, qielli që vezullon i kuq, kodra të gjelbra dhe vila ëndrrash, që tani shtrihen nën shtresa hiri. Flakët nuk bëjnë dallime – ato fshijnë gjithçka, nga pallatet popullore deri te rezidencat e miliarderëve.
E megjithatë, në lajme dhe në rrjetet sociale, duket sikur po digjen vetëm vilat e Paris Hilton-it apo Anthony Hopkins-it. Kopshtet e tyre të kuruara dhe pishinat e mrekullueshme, tashmë të shkatërruara, na japin një goditje të thellë, sepse ato janë pjesë e një imagjinate kolektive që simbolizon ëndrrën amerikane. Los Angeles, qyteti ku sukseset duken gjithmonë brenda mundësive, është bërë tani një kujtesë e dhimbshme se ëndrrat mund të jenë po aq të brishta sa vetë jeta.
Ky është një memento mori, një reflektim mbi përkohshmërinë e gjithçkaje. Hollywood-i, i njohur për imazhin e pavdekshëm të heronjve të tij, duket i pafuqishëm përballë fuqisë së natyrës. Dhe ja ku janë ata – aktorët dhe yjet që shpesh përfaqësojnë fantazitë dhe zilitë tona – të zhveshur nga privilegjet, njerëzorë, të pambrojtur përballë një armiku që nuk kursen askënd.
Ndoshta pikërisht ky kontrast bën që këto zjarre të na prekin kaq shumë. Ato na kujtojnë që jeta është e brishtë dhe se, në fund, askush, as edhe “Supermani” i famshëm, nuk është i paprekshëm në tokën e ëndrrave. Endrrat janë të çmuara, por gjithmonë kalimtare! / bota.al