Nga Donald Trump*
Jemi mbledhur këtu në Altarin e Lirisë. Në këto brigje, në këtë datë, plot 75 vjet më parë, 10.000 burra derdhnin gjakun e tyre dhe mijëra prej tyre flijuan jetën e tyre, për vëllezërit, vendet e tyre, për mbijetesën e lirisë. Sot, kujtojmë ata që ranë, dhe nderojmë të gjithë ata që luftuan pikërisht këtu në Normandi.
Ata e çliruan këtë tokë për hir të qytetërimt. Me shumë se 170 veteranëve të Luftës së Dytë Botërore që janë sot të pranishëm me ne po u them: Jeni ndër amerikanët më të mëdhenj, që kanë jetuar ndonjëherë. Jeni krenaria e kombit tonë. Dhe ju falënderojmë nga thellësia e zemrave tona.
Këtu kemi mbi 60 veteranë që u zbarkuan gjatë D-Day.
Borxhi ynë për ju është i përjetshëm. Sot, shprehim ndaj jush mirënjohjen tonë të pavdekshme. Kur ishin të rinj, këta burra vunë në rrezik jetën e tyre në një kryqëzatë të madhe – një nga më të mëdhatë e të gjitha kohërave. Misioni i tyre, është historia e një beteje epike dhe luftës së egër dhe të përjetshme ndërmjet të mirës dhe të keqes.
Më 6 qershor 1944, ata i`u bashkuan një force çlirimtare që kishte një fuqi të paparë. Pas muajsh përgatitje, aleatët zgjodhën këtë vijë bregdetare të lashtë për të nisur fushatën e tyre ushtarake, për mposhtjen dhe zhdukjen e tiranisë së ligë të perandorisë naziste.
Beteja filloi në qiell, pastaj zbarkuan forcat tokësore. Ishin britanikë, kanadezë, polakë, norvegjezë, dhe australianë dhe amerikanë. Ky plazh, i koduar me emrin Omaha, u mbrojt nga nazistët me një fuqi zjarri monstruoze. Pikërisht këtu, zbarkuan dhjetëra mijëra amerikanë, dhe mijëra prej tyre u plagosën apo vranë.
Në këtë ditë u them miqve dhe partnerëve tanë: Aleanca jonë e çmuar, u krijua në zjarrin e betejës, u testua në sprovat e luftës, dhe u rikonfirmua në bekimet e paqes. Lidhja jonë është e pathyeshme.
Nga mbarë bota, amerikanët tërhiqen nga ky vend si të ishte një pjesë e shpirtit tonë. Ne vijmë këtu, jo vetëm për shkak të asaj që ata bënë këtu. Ne vijmë këtu, për shkak të asaj që ata ishin. Ata ishin të rinj që kishin gjithë jetën përpara. Ata ishin burra që u thanë lamtumirë bashkëshorteve të tyre të reja, dhe e cilësuan detyrën që i`u ngarkua si fatin e tyre.
Ata ishin baballarë që nuk do të takonin më kurrë bijtë dhe bijat e tyre të mitur, pasi ata kishin një punë për të kryer. Dhe me Zotin si dëshmitar të tyre, ata do ta çonin atë deri në fund. Ata erdhën këtu pa dyshim, pa hezitim dhe pa u ankuar. Më e fuqishme sesa forca e armëve amerikane, ishte forca e zemrave të tyre.
Këta njerëz vrapuan në mesin e një stuhie të shtënash, të motivuar nga një forcë që asnjë ushtri nuk mund ta shkatërrojë: patriotizmi krenar i një populli të lirë, krenar dhe sovran.
Ata nuk luftuan për kontroll dhe dominim, por për liri, demokraci dhe vetëqeverisje.
Ata u nxitën nga dashuria për shtëpinë dhe vendin – rrugët kryesore, oborret e shkollave, kishat dhe fqinjët, familjet dhe komunitetet, që na dhanë burra të tillë. Ata u mbështetën nga besimi se Amerika mund të bëjë çdo gjë, sepse jemi një komb fisnik, me një popull të virtytshëm, dhe që i lutemi një Zoti të drejtë.
Fuqia e jashtëzakonshme e tyre, erdhi nga një frymë vërtet e jashtëzakonshme. Bollëku i guximit të tyre, buroi nga bollëku i besimit të tyre. Veprat e mëdha të një ushtrie, vijnë nga thellësitë e mëdha të dashurisë së tyre. Ndërsa përballeshin me fatin e tyre, amerikanët dhe aleatët e vendosën veten e tyre në pëllëmbën e dorës së Zotit.
Burrat pas meje, do t’ju thonë se ata janë me fat. Siç e ka thënë njëri prej tyre, “Të gjithë heronjtë janë varrosur këtu”. Por ne e dimë se çfarë bënë këta njerëz. E dimë se sa të guximshëm ishin. Ata erdhën këtu dhe e shpëtuan lirinë, dhe më pas, shkuan në shtëpi dhe na treguan se çfarë është liria.
Bijtë dhe bijat amerikane, që na çuan drejt fitores, nuk ishin më pak të jashtëzakonshëm në kohë paqeje. Ata ndërtuan familje, ndërtuan industri, ndërtuan një kulturë kombëtare që frymëzoi të gjithë botën. Në dekadat që pasuan, Amerika e mundi komunizmin, garantoi të drejtat civile, revolucionarizoi shkencën, nisi një njeri në Hënë, dhe më pas vazhdoi të shtynte drejt kufijve të rinj.
Dhe sot, Amerika është më e fortë se kurrë më parë. Shtatë dekada më parë, luftëtarët e D-Day luftuan një armik të keq, që fliste për një perandori mijëravjeçare. Me mposhtjen e asaj të keqeje, ata na lanë një trashëgimi që do të zgjasë jo vetëm për 1 mijë vjet, por për gjithë kohën – për aq kohë sa shpirti e di ç’është detyra dhe nderi; dhe për aq kohë sa liria qëndron në zemrën e njeriut.
U them njerëzve që ndodhet të ulur këtu pas meje, dhe djemve që prehen në fushën e madhe para meje, se shembulli juaj kurrë nuk do të zbehet, se miti juaj nuk do të zhduket asnjëherë, se shpirti juaj – i guximshëm, i palëkundur dhe i vërtetë – nuk do të vdesë kurrë.
Me gjakun dhe lotët që derdhën, jetët që dhanë, dhe sakrificat që bënë, ata nuk fituan thjesht një betejë. Ata nuk fituan vetëm një luftë. Ata që luftuan këtu, fituan një të ardhme për kombin tonë. Ata garantuar mbijetesën e qytetërimit tonë. Dhe na treguan mënyrën se si të duam, si ta kultrivojmë dhe si ta mbrojmë mënyrën tonë të jetesës për shumë nga shekuj që do të vijnë.
Sot, ndërsa qëndrojmë së bashku në këtë Tokë të shenjtë, ne premtojmë se kombet tona do të jenë përgjithmonë të forta dhe të bashkuara. Ne, do të jemi gjithmonë bashkë. Njerëzit tanë do të jenë përgjithmonë të guximshëm. Zemrat tona do të jenë përgjithmonë besnike. Dhe fëmijët tanë, dhe fëmijët e tyre, do të jenë përgjithnjë të lirë. Zoti i bekoftë veteranët tanë madhështorë. Zoti i bekoftë aleatët tanë. Zoti i bekoftë heronjtë e D-Day. Dhe Zoti e bekoftë Amerikën. Faleminderit.
Shënim: Fjala e përmbledhur e presidentit amerikan Donald Trump në një nga plazhet e Normandisë në Francë, aty ku 75 vjet më parë nisi zbarkimi i trupave aleate, të cilat pas disa muajsh çliruan Evropën, dhe mposhtën Gjermaninë naziste tëAdolf Hitlerit.