Diçka më pak se 54 vjet më parë, dy vite pasi kishte marrë presidencën, Presidenti i SHBA, John Fitzgerald Kennedy u vra gjatë një vizite në Dallas të Teksasit.
Hetimi i Komisionit Uorren konkludoi se një ish marins amerikan, me emrin Li Harvej Osvald kishte qëlluar Kenedin nga një depo aty pranë, por faktet e mjegullt të çështjes kanë nxitur një sërë teorish.
Ato përfshijnë një komplot të CIA-s, një vepër të mafias, një operacion të fshehtë nga zëvendëspresidenti Lindon B. Johnson etj.
Në pritje që Arkivi Kombëtar i SHBA të nxjerrë 3100 dokumenta në lidhje me vrasjen, në 26 tetor, ja disa prej teorive kryesore në qarkullim.
TEORIA E CIA-s
Njerëzit që besojnë se CIA ishte pas vrasjes së Kennedyt, spekulojnë se agjencia kundërshtoi fuqishëm një numër pozicionesh të presidentit, në lidhje me Kubën dhe Komunizmin.
Teoria pohon se refuzimi i Kennedyt për të ofruar mbështetje ajrore për pushtimin e dështuar të Gjirit të Derrave, një mision i mbështetur fort nga CIA për të përmbysur Fidel Castron, e shtyu CIA-n që të eliminonte Kennedyn.
Teoricienët kanë tendencën të besojnë se CIA e ka caktuar Osvaldin si kokë turku.
Teoria e mafies
Një teori sugjeron se CIA ka punuar me mafian për të vrarë Kennedyn. Në atë kohë, të dy organizatat kishin një interes të përbashkët për përmbysjen e Castros, pasi mafia kishte një numër investimesh në kazinotë kubane, në rrezik mbylljeje.
Dokumentet e qeverisë tregojnë se CIA ka punuar me mafian për të rrëzuar Castron; disa teoricienë të konspiracionit pohojnë se të dy organizatat gjithashtu punuan së bashku, edhe me kubanët anti-Castro, për të vrarë Kennedyn.
Teoria e mërgimtarëve kubanë
Disa besojnë se përpjekja është bërë më pak e sofistikuar se një konspiracion federal, por është kryer nga një grup mërgimtarësh kubanë, të cilët panë dështimin e pushtimit në Gjirin e Derrave, si provë të mjaftueshme se Kennedy ishte i papërshtatshëm si president.
Midis 1959, kur Revolucioni Kuban solli Castron në pushtet dhe vrasjes së Kennedy në vitin 1963, popullariteti i tij midis mërgimtarëve kishte rënë në mënyrë të konsiderueshme. Në tetor të vitit 1963, kubanët anti-Castro u takuan me amerikanët e krahut të djathtë për të diskutuar zhgënjimin e tyre me Kennedyn.
Teoricienët spekulojnë se takimi mund të ketë qenë një pikë kthese për vrasjen një muaj më vonë.
Teoria e Lyndon B. Johnson
Një teori spekulon se LBJ kishte frikë se nuk përfshihej në zgjedhjet e vitit 1964 aq shumë, sa ai komplotoi që Kennedy të vritej.
Sipas një kujtimi të vitit 1968 të shkruar nga sekretari personal i Kennedyt, Evelyn Lincoln, është e vërtetë që Kennedy kishte planifikuar të zëvendësonte Johnsonin si zëvendës president. Kennedy i tha Lincoln-it më 19 nëntor 1963 – tre ditë para se të vritej.
Teoricienët e konspiracionit tregojnë këtë, si dëshmi të pjesshme se Johnson mund të ketë pasur një dorë në orkestrimin e vrasjes.
Teoria e KGB-së
Disa teoricienë besojnë se një grup oficerësh sovjetikë kryen vrasjen e Kennedyt, të porositur nga kryeministri Nikita Hrushov.
Në fund të krizës së raketave kubane të vitit 1962, Hrushovi u detyrua përfundimisht të hiqte raketat balistike ndërkontinentale që ai do të vendoste në Kubë, për shkak të kërcënimeve militare amerikane kundër Bashkimit Sovjetik.
Teoricienët e konspiracionit pohojnë se kjo lëvizje motivoi Hrushovin për të vrarë Kennedyn. / Bota.al