BotaMAIN

Assadët: Historia e një regjimi

Kur në vitin 2011 mijëra të rinj dolën në rrugë, me Aleppon në krye, për të kërkuar më shumë demokraci dhe drejtësi, Bashar Assad duhet të ketë menduar për paraardhësin e tij Sulejman al-Wahhish, një alavit me origjinë nga fshati Qardaha, në provincën e Latakisë, emri i të cilit në arabisht do të thotë “bishë”. 

Por ai duhet të ketë kujtuar edhe xhaxhain e tij Rifaat, i mbiquajtur “kasapi i Hamës” për një masakër të urdhëruar në vitin 1982 kundër popullatës sunite. Assadi duhet ta ketë bërë këtë, sepse ka pasur një moment në të cilin presidenti sirian mund të ishte i hapur ndaj kërkesave të të rinjve sunitë. Dhe, në fillim, ai lider me xhaketë dopiopetë që i intrigoi aq shumë perëndimorët, premtoi edhe reforma. 

Më pas, në një fjalim të mbajtur në qershor 2012, për të cilin legjenda thotë se kishte gati dy versione, njëri prej të cilëve nuk u lexua kurrë, (u shkrua nga një grua e re nga stafi i tij, e cila më vonë u zhduk), Bashar gjëmonte: “Ne do t’i mposhtim terroristët!” Të njëjtat fjalë u përdorën të shtunën për të komentuar përparimin e rebelëve proturq në Alepo.

Vite të tëra masakrash, torturash, një luftë civile, një aleancë me Moskën që i kushtoi jetën gjysmë milioni njerëzve, që vdiqën në sulme kimike dhe jo kimike, akuza shumë të rënda për krime lufte, gjyqe të hapura në Evropë, akuza për korrupsion. Por gjithashtu një luftë kundër ISIS-it dhe një aleancë jo gjithmonë e lehtë me Teheranin, për të mbështetur Hezbollahun në Liban.

Këto janë vitet e presidencës së Basharit. Një stuhi e përsosur, e rënduar nga kriza ekonomike, nga më të rëndat në botë, e lidhur ngushtë me atë libaneze dhe me sanksionet e vendosura nga administrata amerikane, e vendosur për të dobësuar aleatin e Moskës në rajon. Një cunami, në realitet, më shumë se një stuhi, të cilit familja Assad megjithatë ka arritur – deri tani – t’i mbijetojë.

“Assad, historia e një klani në pushtet për gjysmë shekulli”, ishin titujt e gazetave në vitin 2020. Rreziku i një grushti shteti në Damask, ishin thashethemet vetëm 48 orë më parë. Saga ka marrë fund si çdo serial çfarëdo në Netflix? Nuk dihet se si reagoi presidenti sirian kur pa statujën kushtuar vëllait të tij më të madh Baselit, të rrëzuar nga rebelët në zonën e Alepos së Re të premten. Por nuk duhet një psikoanalist për të kuptuar se, edhe në këtë rast, Bashari duhet të ketë menduar për historinë e familjes së tij.

Baseli supozohej të ishte president. Ai ishte i preferuari i babait të tij Hafëzit, i vetmi që konsiderohej i denjë. Pasi iu bashkua ushtrisë në moshë shumë të re, ai u bë kreu i Gardës së Republikës. I mbiquajtur “kalorësi i artë” nga shtypi i regjimit për aftësitë e tij të kalërimit, ai u krahasua nga ish-drejtori i CIA-s, Michael Hayden me Sonnyn, tek filmi The Godfather. Për Hafezin ishte një garanci: shumë më i mirë se Maheri, shumë i prirur ndaj dhunës (sot ai është kreu i divizionit të ushtrisë që kontrollon trafikun e kaptagonëve), apo, edhe më tepër, se sa Majadi, djali i fundit, i varur nga heroina dhe me probleme serioze psikiatrike. Dhe më i mirë edhe se sa Bashar.

Por Baseli, i apasionuar pas makinave të shpejta, pësoi aksident në vitin 1994, duke ndryshuar rrjedhën e historisë. Dhe Hafez, gjithnjë e më i dobët – ai vdiq në vitin 2000 nga një atak në zemër ndërsa ishte në telefon me presidentin libanez Émile Lahoud – u detyrua të kthejë Basharin në atdhe. Pasi mbaroi shkollën e mjekësisë, djali i dytë u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar për t’u specializuar në okulistikë.

Edhe pse ai nuk kishte shfaqur kurrë ndonjë interes për jetën politike dhe as nuk kishte karakterin e përshtatshëm për të komanduar, u përfshi shpejt në ushtri dhe u bë president, falë një ndryshimi në ligj që ndalon të miturit nën 35 vjeç të mbajnë poste.

I llastuar, mizor, cinik, Bashar do të bëhej lider ndërsa saga e Asadit pasurohet nga betejat e brendshme mes grave dhe të afërmve, si ajo mes zonjës së parë Asmaa dhe kushërinjve Makhlouf, me vrasje dhe trafikime. 

Kur rebelët pushtuan Alepon, Bashar Assad ishte i sigurt në Moskë. Më pas ai u kthye në Damask, por ka nga ata që tashmë po vënë bast se ai nuk do të qëndrojë shumë atje. / bota.al

Back to top button