“Jeta ime ishte normale, kisha një punë, një grua dhe dy fëmijë. Pastaj, papritmas, gjithçka ndryshoi,” thotë Kim, një burrë rreth të gjashtëdhjetave, me një zë të shuar, ndërsa rrëmon gjërat e tij të pakta nën një urë autostrade në periferi të Seulit. “Kam humbur punën, gruaja nuk jeton më dhe nuk i takoj kurrë fëmijët e mi. Nuk dua të jem barrë për ta. Tani po pres vetëm vdekjen”, shton ai me vështrimin e humbur në hapësirë. Kanë lënë shumë shenjë te ky zotëri jeta e rrugës dhe soju, pija tradicionale alkoolike.
Streha e tij është një grumbull batanijesh të konsumuara dhe kutish kartoni, në një xhungël asfalti dhe metali. Vapa përvëluese e verës, pavarësisht shiut, e bën ajrin të padurueshëm, ndërsa zhurma e automjeteve sipër është një kujtim i vazhdueshëm i indiferencës së një qyteti që ecën shpejt, pa parë kurrë prapa. Automjetet lëvizin si jetët e atyre që i drejtojnë, të pandjeshme ndaj luftës së përditshme që zhvillohet poshtë tyre.
Koreja e Jugut është një nga vendet më të avancuara teknologjikisht dhe më të pasura në botë. Por pas dritave që ndriçojnë rrokaqiejt dhe furisë së metropolit, fshihet një realitet që mbetet në hije. Mes 51 milionë banorëve të saj, rreth 7.7 milionë jetojnë nën kufirin e varfërisë. Në vitin 2022, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, shkalla e varfërisë relative, pra atyre që kanë të ardhura dukshëm më të ulëta se mesatarja kombëtare, ishte mbi 15 për qind. Megjithatë, rreth 10 për qind e tyre jetojnë në varfëri të vërtetë, me vështirësi në aksesin e shërbimeve si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.
Të moshuarit janë më të prekurit: rreth 40 për qind janë në kushte varfërie, shkalla më e lartë midis vendeve anëtare të OSBE-së, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Të moshuarit në vend janë më të prekshëm për shkak të një sistemi jo të përshtatshëm të sigurimeve shoqërore. Shumë, në fakt, nuk janë në gjendje të arrijnë pensionin minimal dhe duhet të vazhdojnë të punojnë ose janë të detyruar të varen nga subvencionet e qeverisë, të cilat jo gjithmonë mbulojnë nevojat thelbësore. Dhe shoqëria gjithashtu ka ndryshuar rrënjësisht. Në të kaluarën, fëmijët kujdeseshin për prindërit e moshuar, duke u ofruar mbështetje dhe ndihmë. Por sot nuk është më kështu. Të rinjtë largohen nga zonat rurale dhe periferitë për t’u zhvendosur në qytetet kryesore dhe për të ndjekur mitin e një karriere profesionale, të nxitur nga presioni i një moderniteti gjithnjë e më individualist.
Për më tepër, rritja e kostove të strehimit, shpesh të tepruara, dhe mungesa e politikave të përshtatshme të strehimit nga ana e qeverisë e përkeqësojnë situatën. Për t’ju dhënë një ide, qiraja mesatare mujore për një apartament me një dhomë gjumi në qendër të Seulit është mbi një milion won (më shumë se 800 euro), ndërsa në periferi është rreth 700 mijë won (rreth 470 euro). Blerja e një shtëpie është thuajse e pamundur: çmimi mesatar i një garsoniere në zonën qendrore të kryeqytetit është 927 milionë won (rreth 620 mijë euro). Kim është vetëm një nga shumë koreanët që kanë parë jetën t’u shkërmoqet. Vlerësohet se ka nga tetë mijë deri në dhjetë mijë njerëz të pastrehë në rrugët e Seulit, por shifrat reale janë shumë më të larta, pasi shumë nuk janë të regjistruar.
Humbja e vendeve të punës dhe shtëpive, shpesh për shkak të borxheve të paqëndrueshme apo problemeve psikologjike, i ka detyruar këta njerëz të jetojnë në skaje. Ata mbijetojnë me mjete të vogla, duke mbledhur kartona, kanaçe dhe plastikë për t’i rishitur për disa qindarka, duke kërkuar dëshpërimisht strehim kudo që të munden. Disa, më me fat, bëjnë herë pas here punë ilegale. “Shoqëria koreane është shumë komplekse, e artikuluar dhe e shpejtë. Të gjithë ata njerëz që nuk mund të ruajnë ritmin, e gjejnë veten të përjashtuar” shpjegon At Vincenzo Bordo, 67 vjeç, misionar italian i Oblates of Mary Immaculate, i cili mbërriti në Korenë e Jugut në vitin 1990. “Që kur kam ardhur këtu, vendi ka ndryshuar shumë. Nga njëra anë, sigurisht për mirë, me një zhvillim vërtet të rëndësishëm ekonomik, që ka sjellë prosperitet. Nga ana tjetër ka humbur shumë vlera tradicionale, para së gjithash ndaj komunitetit, ku njerëzit vazhdimisht e ndihmonin njëri-tjetrin. Sot ne e gjejmë veten përballë një shoqërie më egoiste, e cila injoron ata që janë më të dobët”, shton ai, ndërsa vizitojmë Shtëpinë e Anës, një strukturë e hapur prej tij në vitin 1992 në Songnam, një qytet satelit i Seulit.
Këtu mbi 500 vakte në ditë ofrohen pa pagesë për më në nevojtarët. Për 70 për qind të këtyre njerëzve, ushqimi i ofruar është i vetmi ushqim i ditës. Shumë njerëz veçanërisht të moshuar dhe gra, presin radhën për një vakt të ngrohtë, një buzëqeshje dhe një fjalë ngushëllimi. Fytyrat e tyre flasin për ekzistenca të vështira, të karakterizuara nga vetmia dhe dëshpërimi. “Këtu ne ofrojmë jo vetëm ushqim, por edhe dinjitet, ndjenjën e ndarjes dhe shpresës. Çdo vakt që shërbejmë është një gjest dashurie dhe solidariteti”, thotë misionari, që përveç kësaj strukture ka shumë aktivitete paralele për të ndihmuar të pastrehët dhe fëmijët e rrugës. “Ne kemi disa shtëpi familjare, ku ndihmojmë të rinjtë me probleme të rënda familjare që të kenë një të ardhme, i bëjmë të studiojnë dhe u japim të gjithë ndihmën që kanë nevojë, nga një vend i sigurt për të fjetur deri te ndihma psikologjike. Për të moshuarit dhe veçanërisht për ata që kanë vërtet vullnetin për të ndryshuar, ne kemi programe riintegrimi në punë, me synimin për t’u kthyer atyre një jetë dinjitoze”.
Vështirësitë ekonomike dhe sociale të Koresë së Jugut nuk kufizohen vetëm në varfëri. Një tjetër emergjencë, po aq dramatike dhe shpesh me pasoja, është numri i lartë i vetëvrasjeve. Vetëm në vitin 2022 ishin 12.906. Me një normë prej 24.1 raste për 100,000 banorë, Koreja e Jugut mban rekordin e trishtë të numrit më të lartë midis kombeve të përparuara, duke kaluar Japoninë (17.5) dhe Belgjikën (16.1).
Ky realitet dramatik prek të gjitha grupmoshat, por është veçanërisht serioz tek të rinjtë dhe të moshuarit. Për njerëzit midis moshës 20 dhe 39 vjeç, vetëvrasja përbën më shumë se 70 për qind të vdekjeve të shkaktuara nga faktorë të jashtëm. Një gjest ekstrem që ndodh sepse presioni social dhe i punës është shumë i lartë. Orët e shumta të punës së përditshme, së bashku me konkurrencën ekstreme dhe pritshmëritë e larta, bëjnë që shumë të rinj të jenë të stresuar dhe të tërhiqen në vetvete, duke shkaktuar shpesh shqetësime të rënda psikologjike. Duhet të merret parasysh se kultura koreane, e ndikuar fuqimisht nga konfucianizmi, vlerëson punën e palodhur dhe sakrificën personale, por tenton të stigmatizojë ata që kërkojnë ndihmë.
Si rezultat, shumë njerëz izolohen dhe, duke mos marrë mbështetjen e nevojshme, fillimisht përdorin abuzimin me alkoolin, e më pas përfundojnë duke i dhënë fund jetës së tyre. Nga ana tjetër, të moshuarit, sidomos tek ata mbi 80 vjeç, e bëjnë për të mos qenë barrë financiare për familjet e tyre.
Kostoja njerëzore e një shoqërie hiperkonkurruese
Për të adresuar këtë krizë sociale, qeveria e Koresë së Jugut ka nisur një plan parandalues pesë-vjeçar, me synimin për të ulur shkallën në më pak se 20 vetëvrasje për 100 mijë banorë deri në vitin 2027. Sisteme inovative të inteligjencës artificiale dhe kamera vëzhgimi janë instaluar në ura në Seul – nga ku shumë njerëz janë hedhur në të kaluarën – për të monitoruar dhe parandaluar çdo përpjekje për vetëvrasje. Sistemet teknologjike zbulojnë sjellje të dyshimta dhe dërgojnë alarme në qendrat e kontrollit, duke lejuar ekipet e shpëtimit të ndërhyjnë shpejt. Instrumentim dixhital i ftohtë për t’u marrë me një dramë thellësisht njerëzore.
“Kam jetuar në rrugë për tre vjet dhe, gjatë netëve të ftohta, kam menduar shumë herë për t’i dhënë fund”, thotë Soh, një burrë 52-vjeçar që tani ka gjetur sërish buzëqeshjen. “Kam pasur një librari, e cila në fillim ishte mirë, por më pas lindën borxhet dhe problemet e para, ndaj më duhej ta mbyllja. Për t’i paguar u përpoqa të bëja gjithçka, isha vërtet i dëshpëruar dhe e gjeta veten pa asgjë. Pastaj, për fat, zbulova Casa di Anna dhe fillova të vij këtu për një vakt të nxehtë. Tani falë tyre kam një vend për të fjetur dhe një punë”. Soh pagoi borxhet, madje arriti të hiqte diçka mënjanë. Ëndrra e tij, thotë ai, megjithatë është që së shpejti të fillojë një ekzistencë ndryshe. “Dua të kthehem në lojë dhe të rihap librarinë time të dikurshme”. / bota.al