Speciale

Aty ku dimri është i ftohtë, i errët dhe i bukur

Screen Shot 2015-11-09 at 17.56.01

Në Groenlandë dita më e shkurtër e vitit mund të ketë pakëz më shumë sesa tre orë dritë dielli – por megjithëse dimri është i gjatë, i ftohtë dhe i errët, mund të jetë gjithashtu një gjë shumë e bukur

Antonia Quirke

Në qytetin bregdetar të Ilulissat-it, në Groenlandën perëndimore, dimri bën me shenjë që është duke ardhur. Shumë shpejt, Gjiri Disko do të ngrijë dhe njerëzit do të marrin slitat, e do të bëjnë vrima në akull, për peshk dhe foka. Por ndërsa deti është ende i shkrirë, aisbergët gjigandë lëvizin, dhe ata thirren me fjalët më ndjellëse të Groenlandës. “Siku” për akull. “Qaqaq” për malor.

Ata janë objektet më të mëdha pluskuese në hemisferën veriore, dhe duke lëvizur me varkë midis tyre, pamja është komplekse, si një xhungël. Disa shfaqen të zbehta – ngjyrë hiri si gëzofi, disa si krem i derdhur. Disa janë aq blu, pothuaj si një detergjent i fuqishëm – akulli në këtë gjerësi gjeografike mund të jetë ngjyrë blu, ose i bardhë, ose i zi, ose ngjyrë diamanti të tejdukshëm.

Mund të jetë 1-vjeçar, ose 250,000 vjecar, në formë koralesh, ose si kërpudha. Ka aisbergë si kështjella, brigje të thikta dhe maja që shpojnë qiellin – ishuj të plotë me përbërje perle ose xhami vullkanik, shumë herë më të mëdha nën ujë, që zgjaten në thellësi, në një tjetër dimension.

Kur eksploruesi i madh norvegjez, Fridtjof Nansen shkroi rreth udhëtimeve të tij kryq e tërthor, si pinonier i Groenlandës në 1888-ën, ai vuri re se këto krijesa të mrekullueshme, jokonformiste, e bënë atë të mendonte për tokën e përrallave, për fëmijërinë, por edhe për vdekjen.

Melankolia endet në brendësi të kësaj panorame. Ngjitur me kësulën e akullit, në akullnajën e vetmuar Eqi disa ditë më vonë, unë gjej kasollen e një baze kampi, mbetur prej ekspeditës polare franceze në vitin 1948, e cila ende qëndron mbi shkëmbin e saj të zi. Janë ende aty edhe mbeturinat dhe pajisjet e gatimit.

Muret mbajnë shkrime origjinale, të cilat flasin për brengën e papritur të të gjendurit në këtë breg shumë verior. “Oh, unë jam një barrë e padobishme”, ka gërvishtur dikush në dru. “Këtu. Në mesin e akullit. 1949”.

Jashtë, akullnaja kërcet dhe rënkon – ajo rrjedh akull, tingulli është shushatës dhe i vazhdueshëm – zhurma të mbytura të largëta, si edhe shpërthime si dinamit, apo si armë të një ushtrie në afrim.

Qielli më në fund zbret në një vjollcë të mavijosur, të gjatë sa një stinë – nata pa fund. “A nuk ju zë depresioni ju?” – i pyes njerëzit. Ka një fjalë groenlandeze për këtë ndjenjë. “Perlerorneq”, që do të thotë barrë.

Shoqja ime e re, Nikolena tallet. “Dielli është i mërzitshëm”, thotë ajo. Ajo e dashuron dimrin, kohë kur mblidhet kruspull bashkë me fqinjët e saj adoleshentë, për maratona filmi mbi 10 orë të gjata. Ose duke shkëmbyer histori rreth “Qivitoq”-ëve, njerëz të dëbuar për një arsye ose një tjetër në natyrën e egër, ku nga inati dhe dëshpërimi, ata kanë mësuar të përshtaten. Nikolena thotë se njëherë pa një plak me lecka duke qëndruar midis drerëve që iknin në rrëmujë e sipër, dhe ai papritur kërceu, por në formën e një lepuri arktik.

Unë çuditem nëse peshkatarët, jashtë vetëm në slitat e tyre, i kanë frikë “Qivitoq”-ët? Njëzetenëntë vjeçari Fari tund kokën, duke bërë me gjeste për nga qeni i tij i preferuar, Malesornia, ujk dhe gjysëm i egër, që hungëron në mbrojtje të padronit të tij.

Vitin e fundit, kur Slita e Farit ra përmes akullit larg prej shtëpisë, Malesornia e tërhoqi, duke e nxjerrë në tokë të sigurt… dhe pastaj, i lagur dhe i mpirë për tetë orë në errësirë, Fari shpërndante tojën e tij për peshq Shojzë (nga të Atlantikut Verior). Cfarë këmbëngulje! Groenlandezët mendojnë se europianët alarmohen shumë. Kaq shumë muhabete, ata më qortojnë mua, kaq shumë zhurmë! Madje edhe gjuha groenlandeze nuk e përmban bujën ose ekzagjerimin. Numrat arrijnë deri në 12. Pas kësaj përdoret “shumë” për prakticitet dhe për të mos u dukur.

“Cila është gjëja më e çuditshme që ti ke parë ndonjëherë, përmes një vrime që ke hapur në akull?”, pyes unë, duke shpresuar që Fari të thotë një Narvhal, domethënë një çatall spiral që i del përpara nga nofulla e sipërme, për të cilin Vikingët njëherë e një kohë besonin se vinte nga njëbrirëshi mitologjik i ngecur në stomakun e tij. Fari mendohet paksa, duke vënë në grep cironka peshku pollok. Në dysheme pranë këmbëve të tij ka pendë të hequra nga trungu i fokave. “Një njeri”, tund kokën ai pas një çike. “Një njeri të ngrirë. Ai duhet të kishte rënë nga një varkë peshkimi”.

Dhe Fari thjesht mbledh supet. Për groenlandezin e zgjuar, ky është një ekuilibër i përsosur: Ti gjuan, ti merr jetë, dhe një ditë fare mirë mund të japësh jetën tënde. Kështu që Fari e la njeriun në varrin e tij prej akulli, pa e vështruar për herë të dytë, dhe e çoi slitën diku tjetër, në veri të akullnajës së madhe, atje ku të gjithë mendimet për qytetin dhe shoqërinë, thjeshtë largoheshin tutje. Për ditë të tëra nuk mendonte për asgjë, përveç peshkut, Malesornias, dhe natës së gjatë polare.

BBC Travel / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button