Letersi

Autori i “House of Cards: “Politikani efikas nuk duhet të ketë skrupuj”

Screen Shot 2015-04-03 at 21.11.31

Për ish këshilltarin e Margaret Thatcherit, “arti i të qeverisurit nuk është një zanat për njerëz të dashur”. Dhe për të kuptuar një lider “duhet të njohësh jetën e tij dhe marrëdheniet e tij private”

Frank Underwood ka hyrë në shtëpitë tona, duke urinuar mbi varrin e të atit. Duke pështyrë mbi një kryq. Duke shkelur me këmbë rivalët e tij. Duke vrarë një gazetare me të cilën kishte marrëdhënie. Duke na parë në sy. Eshtë pushteti, “baby”.

Frank Underwood, i interpretuar nga Kevin Spacey, është protagonisti i serisë televizive “House of Cards”: historia e një shkallareje pushteti në SHBA, me mbidoza cinizmi. Barak Obama, një prej fansave të serialit televiziv, ka thënë: “Do të më pëlqente që gjërat në Uashington të ishin kaq eficiente”.

Ky serial është frymëzuar nga një trilogji letrare me të njëjtin emër, e fundit të viteve ’80, ngjarjet e të cilës zhvillohen në Londër. Në libra, në vendin e Frank Underwood është konservatori Francis Urquhart. Në vend të Shtëpisë së Bardhë është “Downing Street”. Truri që ka krijuar Urquhartin dhe që tani po bashkëpunon për suksesin e personazhit Underwood është Sir Michael Dobbs, 66 vjeç, përfaqësues konservator në Dhomën e Lordëve, ish shefi i kabinetit i Margaret Thatcherit, të cilit “The Guardian” i ka  vendosur nofkën “Ekzekutori me fytyrë fëmijërore i Westminsterit”.

Intervista me të kryhet përmes Skype-t. Pak kohë më parë, pasi kishte parë Matteo Renzin me një prej romaneve të tij në dorë, ka nxituar t’i shkruajë në një copë letër: “Eshtë një libër argëtues, jo një manual udhëzues”.

Duke përshkruar mungesën e mëshirës në politikë, Dobbs ka entuziasmuar lexuesit dhe telespektatorët. “Di që House of Cards u pëlqen disa të mëdhenjve të Partisë Komuniste Kineze, ministrit të Financave të Anglisë, Osborne e madje edhe kryeministrit David Cameron”, thotë. “Shumë politikanë vijnë tek unë duke më ofruar sugjerime për zhvillimin e ngjarjeve, të tjerë kanë mbetur keq, sepse shpresonin që do të isha frymëzuar prej tyre për një personazh të caktuar”. Ai nuk ka mbajtur asnjëherë një ditar të eksperiencës së tij politike, por këmbëngul se ka parë shumë prej gjërave që ka përshkruar në librat e tij.

Sette: Underwood, në sezonin e tretë thotë: “Nuk njoh asnjë politikan që t’i rezistojë tundimit për të bërë një premtim, të cilin nuk do të mund ta mbajë”.

Dobbs: Politika nuk është një zanat për njerëzit e mirë e të dashur. Eshtë e vështirë. Kështu që duhet të dish të gënjesh. Jo gjithmonë, sigurisht. Por nuk mund të merren vendime të vështirë dhe të arrihet suksesi, duke qenë djalë apo vajzë e mirë.

Thuhet se politikani duhet të jetë transparent dhe të jetoj në një shtëpi të xhamtë.

Eshtë një ide naive e cila mohon mijëvjeçarë të tërë të historisë. Për ato gjëra janë priftërinjtë.

Më mirë një politikan i aftë dhe cinik, apo një politikan i qartë, por më pak i aftë?

Më mirë një politikan efikas. Dhe për të qenë efikasë duhet që shpesh herë të jemi pa skrupuj. Qeveritë ndryshojnë jetën e qytetarëve. Ndonjëherë u duhet të prishin, që pastaj të rindërtojnë. Nuk janë aty për të na bërë të ndihemi rehat dhe shpesh herë duhet të çojnë përpara punën e pisët, atë më të vështirën, të politikës.

Pamëshirshmëria në botën e “House of Cards” është tronditëse.

Eshtë gjithësesi trillim. Tregojmë anën më të errët, ku të gjithë japin më të keqen. Nuk është gjithçka, por është një pjesë ekzistuese e politikës, që është e drejtë ta kuptojmë dhe për të cilën duhet të mësojmë të qeshim.

Underwood është i keq edhe në jetën private.

Disa skena janë bërë me qëllim trazuese. Janë vendosur për të na bërë të mos ndihemi rehat. Dhe për të na bërë që të kuptojmë thellësinë e urrejtjeve dhe pasioneve të tij.

Ju keni shkruajtur edhe “Family Affair”, një radiodramë mbi jetën bashkëshortore të Margaret Thatcherit dhe bashkëshortit të saj, Denis. Tek House of Cards, Claire, bashkëshortja e Underwood, e interpretuar nga Robin Wright, ka një rol kyç.

Për të kuptuar një udhëheqës të madh duhet të njohësh jetën e tij dhe marrëdhëniet e tija private.

Një herë keni thënë se edhe seksualiteti i politikanëve është i ndryshëm nga ai i njerëzve të zakonshëm.

Pasioneve të mëdhenj publikë shpesh herë u korrespondojnë pasione të mëdhenj privatë. Nuk duhet të habitemi.

Underwood ka një raport të keq me shtypin.

I trajton të vërtetën dhe faktet si një mall që mund të blihet, shitet dhe përdoret për një qëllim. Besoj se çdo politikan përpiqet që të përdorë realitetin, duke e manipuluar, për qëllimet e tij. Eshtë e natyrshme. Zgjedhësit kanë inteligjencë të mjaftueshme për të kuptuar nëse politikanet kanë shkuar shumë larg.

Underwood arrin deri aty sa të vrasë një gazetare.

Njoh kryeministra të ndryshëm anglezë që kanë patur të njëjtën dëshirë (qesh). Demokracitë tona janë të mrekullueshme dhe të shëndetshme, edhe falë kësaj marrëdhënieje dashurie dhe urrejtje mes politikanëve dhe medias.

Ju, si politikan, a keni një marrëdhënie të mirë me gazetarët?

Shumë të mirë. Kam punuar disa dekada në këtë sektor. Dhe nëse do të fitoja një stërlinë sa herë që një gazetar më kërkon një rol të vogël tek “House of Cards”, me siguri do të fitoja më shumë, nga sa fitoj kur shkruaj.

Fitimet. Rroga juaj e parë?

Paratë e para në xhep i futa kur isha ende i vogël dhe laja makinat e fqinjëve. Më pas, shumë punë me kohë të pjesshme, kur isha student.

Cfarë studimesh keni kryer?

Isha në Oksford. Kam studiuar verën, veshjet, regbinë… Hahaha. Në fund më dhanë një diplomë në politikë dhe ekonomi. Puna e parë ka qenë me konservatorët, në krah të Margaret Thatcherit.

Margaret Thatcher…

Isha unë, natën e zgjedhjeve të 1979, që i dhashë lajmin se kishte fituar dhe që do të bëhej Kryeministre.

Ju keni qenë shefi i kabinetit të saj. Patët edhe një përplasje me të. Kaq e fortë ishte?

François Mitterrand ka thënë një herë se Thatcheri kishte gojën e Marylin Monroesë dhe sytë e Kaligulës. Vështrimin e saj unë e mbaj mend shumë mirë.

Eshtë e vërtetë që keni filluar të shkruani “House of Cards” për t’u çliruar prej stresit thatcherian?

Pas zgjedhjeve të vitit 1987, të fundit ku Thatcheri mori pjesë dhe që i fitoi, isha me pushime dhe përpiqesha të kuptoja se ç’do të bëja në të ardhmen. Dhe kështu nisa të shkruaj.

Sipas “legjendës, ju u gjendët në një pishinë me një shishe verë mbi tryezë dhe që në ditën e parë si shkrimtar arritët të shkruani mbi një copë letër vetëm një F dhe një U. Shkurtimi i Fuck You.

Si edhe inicialet e Francis Urquhart dhe Frank Underwood.

Ju çfarë shihni në televizor?

Bota e televizionit po jeton një moment shumë të lumtur për krijimet. Problemi është të gjesh

kohën për të parë të gjithë mrekullitë që prodhohen.

Të preferuarit tuaj?

Si mund të zgjedh? Që nga Breaking Bad, tek seritë që transmeton BBC.

E njihni serialin “West Wing”?

E njëjta skenë politike e “House of Card”, Shtëpia e Bardhë, dhe një dramë e ndërtuar në mënyrë shumë të ndryshme. Imponues.

Filmi i preferuar?

“Casablanca”. Pa asnjë dyshim.

Libri?

“Ishulli i Thesarit” i Robert Louis Stevenson.

Menduam që do të citonit William Shakespearin. Një herë keni thënë se tek

“House of Cards” ka shumë dramë shekspiriane.

Eshtë e vërtetë. Kam lexuar Jul Cezarin e Shakespearit kur isha adoleshent. Cezari, njeriu më i pushtetshëm i botës, i vrarë nga miqtë e tij më të mirë.

Në darkë me armikun?

E keni fjalën për kundërshtarët historikë? Do të darkoja me qejf me Jean Claude Junckerin, presidentin e Komisionit Europian.

Nuk e vlerësoni presidencën e Junckerit?

Më duket se Komisioni Europian aspiron të krijojë Shtetet e Bashkuara të Europës. Nuk ka asgjë të gabuar, por besoj se qytetarët europianë nuk kanë të njëjtën aspiratë.

Netflix ka nisur punën për sezonin e katërt të House of Cards.

Beau Willimon dhe ekipi i tij i skenaristëve po punojnë. Konsultohen me mua. Puna me ta është një përvojë shumë e lumtur.

A mund t’i garantoni publikut që edhe në sezonin e katërt, të mirët do të munden?

Po t’jua them, pastaj do të jem i detyruar t’ju vras.

Marrë me shkurtime nga “Sette” dhe përkthyer nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button