Analiza

Autoritarizmi në epokën e informacionit

Nga Jacob Shapiro

Rendi global, i udhëhequr nga SHBA-ja, ka një neveri të veçantë ndaj autoritarizmit, dhe me arsye të forta. Centralizimi i pushtetit politik, në duart e një individi ose partie politike, fyen ndjeshmëritë liberale demokratike. Kjo gjithashtu, çon shpesh në regjime politike, që janë shtypëse në shtëpi dhe agresive jashtë vendit.

Por ky nuk është gjithmonë rasti. S’ka asgjë që ndalon regjimet autoritare nga ruajtja e paqes, apo sigurimi i zbatimit të barabartë të sundimit të ligjit, madje më shumë se sa një qeveri demokratike. Kritikët e autoritarizmit, mendojnë diçka më të keqe:totalitarizmin, një regjim autoritar, në të cilin udhëheqja dëshiron një kontroll total jo vetëm mbi shtetin, por edhe mbi individin.

Totalitarizmi, supozohet të jetë praktikisht i pamundur në shekullin XXI-të. Regjimet totalitare të Gjermanisë naziste dhe Rusisë staliniste, erdhën në epokën e tyre në gjysmën e parë të shekullit XX-të, kur televizioni ishte në fillimet e veta, dhe shumë para ardhjes së internetit.

Këto regjime, qenë në gjendje të kontrollonin plotësisht informacionin që konsumonin qytetarët e tyre, çka luante një rol të madh në aftësinë e tyre për të siguruar, në mos legjitimitetin e brendshëm, të paktën pajtueshmërinë e verbër të popullatës me urdhrat e qeverisë.

Koreja e Veriut, është një shtet realisht totalitar, dhe kostoja e mbajtjes së këtij sistemi, ka qenë izolimi gati i plotë nga bota, duke lënë shumicën e koreano-veriorëve të shokuar, të varfër dhe të kequshqyer. Dallga në rritje, e rritjes ekonomike, duhej të ngrinte lart të gjitha “anijet”, dhe informimi përmes internetit, duhet të ishte një mekanizëm imunizues kundër rishfaqjes së rregjimeve të tilla.

Por gjërat nuk po funksionojnë kështu. Javën e kaluar, RBK Group, një kompani mediatike ruse, raportoi se qeveria ruse po përgatitet të shkëpusë përkohësisht vendin nga interneti, për të testuar elasticitetin e hapësirës ruse të internetit, nëse një agresor i jashtëm do të shkëpusë lidhjen e Rusisë me internetin global.

Testi, që pritet të ndodhë diku para datës 1 prillit, është i fundit në një seri lëvizjesh nga ana e Moskës, për të ndërtuar një infrastrukturë të pavarur dhe të qartë ruse të internetit. Rusia, e  cilëson zhvillimin e kësaj infrastrukture si një domosdoshmëri me synime mbrojtëse, e imponuar nga një SHBA gjithnjë e më agresive, që së bashku me aleatët e saj, mund të manipulojë internetin për të dëmtuar interesat ruse.

Por Rusia po bën shumë më tepër, sesa thjesht planifikimin e masave mbrojtëse për rastet e paparashikuara. Ajo e ka konsideruar forcimin e infrastrukturës së vet të internetit, si një prioritet kombëtar që prej vitit 2014, kur Ministria e Komunikimit simuloi efektet e shkëputjes nga interneti, duke u mbështetur në një sistem të brendshëm rezervë.

Në tetorin e vitit 2017, Këshilli i Sigurimit i Rusisë, i kërkoi qeverisë të zhvillojë një infrastrukturë të pavarur të internetit. Në dhjetor 2018, në parlament u propozua një projektligj, që do të krijonte Programin Kombëtar të Ekonomisë Dixhitale, që parashikon ndryshime të rëndësishme në infrastrukturën e internetit të Rusisë, ofruesit e internetit dhe kompanitë e telekomunikacionit.

Ajo që e frikëson Moskën, është se asnjë nga 12 organizatat që mbikëqyrin serverët qëndrorë të DNS, nuk janë në Rusi. Dhe nëse Rusia do të ndalohej nga DNS, qasja e saj në informacion jashtë vendit do të pengohej, dhe efektet do të ishin katastrofike. (Në vitin 2018, 5.1 përqind e PPB-së ruse erdhi nga ekonomia dixhitale, një sektor që po bëhet gjithnjë e më jetik, teksa Rusia po përpiqet të largojë veten nga nafta.

Por ka edhe aspekte të tjera, që nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e interesave kibernetikë të Rusisë. I gjithë trafiku i internetit në Rusi, tani nuk do të udhëhiqet nga operatorët e rrjetit të themeluar, por nga Shërbimi Federal i Rusisë për Mbikëqyrjen e Komunikimeve, Teknologjisë së Informacionit dhe Medias, Roskomnadzor.

Të gjithë operatorët e rrjetit rus, do të duhet të instalojnë “mjete të posaçme teknike” të paidentifikuara, të ofruara nga Roskomnadzor, që kur të aktivizohen, do t’i japin mundësi Roskomnadzor të bllokojë trafikun nga jashtë. Në fakt, infrastruktura e re e internetit e pavarur e Rusisë, po ndërtohet me një dizajn autoritar dhe potencialisht totalitar.

Ndryshimet, mund të kenë një efekt të madh se si rusët përdorin internetin. Aktualisht, as Roskomnadzor dhe as Putin, nuk mund të vendosin të ndalojnë qasjen e rusëve në ndonjë faqe interneti të caktuar. Vetëm gjykatat në vend, kanë autoritetin të vendosin nëse një faqe apo shërbim internet, është e paligjshme.

Rusia është një shtet autoritar, kryesisht nga nevoja. Eksperimentet e tij të shkurtra me sundimin popullor, ishin jetëshkurtra dhe shpesh sollën kaos, dhunë dhe korrupsion të shfrenuar. Për shkak të madhësisë dhe diversitetit të Rusisë, autoritarizmi është shoqëruar shpesh me impulse totalitare, të shprehura nga Okhrana e Carit ose nga NKVD e Bashkimit Sovjetik.

Me Putinin, Rusia nuk i është nënshtruar përgjithësisht mjeteve të tilla të rënda. Mjaftoi që regjimi i Putinit të shihej si një rend që ka kthyer sigurinë ndaj shoqërisë ruse pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, dhe më pas rikthimin e Rusisë në vendin e saj të ligjshëm në botë, si një fuqi e madhe globale.

Por, ndërsa sfidat e Rusisë janë rritur, janë shtuar edhe masat represive. Moska është vetëm shembulli më i fundit, i një vendi që kufizon qasjen në internet. Kina, e ka censuruar internetin për dekada të tëra. Gjithsesi, kinezët kanë gjetur mënyra të ndryshme, për të kapërcyer disa nga kufizimet e Partisë Komuniste.

Vitet para se Xi Jinping të bëhej president në vitin 2012, shumë qytetarë kinezë po bëheshin më aktivë në mediat sociale, ndonjëherë duke përdorur edhe internetin, për të kritikuar qeverinë e tyre. Kjo është një shenjë se sa ka ndryshuar Kina gjatë 7 viteve që kur Xi erdhi në pushtet, dhe kur kritika të tilla online, po bëhen të paimagjinueshme.

Xi ka ndërmarrë një numër hapash, për të vëzhguar sjelljen e qytetarëve në internet, dhe mbi çfarë informacioni ata mund të kenë qasje. Presidenti kinez ka thënë, se nuk do të lejojë askënd të dhunojë sovranitetin kibernetik të Kinës. Por kjo është një ide e çuditshme.

Interneti, sipas përkufizimit, nuk është ssovran. Ai është një rrjet global i kompjuterave të lidhur nga kabllot nënujore, dhe satelitëve në hapësirë. Interneti është i fuqishëm, pikërisht sepse nuk i përket asnjë vendi në veçanti. Kurrë më parë, qeniet njerëzore nuk kanë pasur një qasje kaq të shpejtë, dhe të lehtë tek informacioni.

Dhe pikërisht kësaj lirie, i druhet qeveria në Kinë. Xi po përballet me detyrën jashtëzakonisht të vështirë, të përmirësimit të ekonomisë së Kinës, dhe njëkohësisht forcimit të legjitimitetit yë Partisë Komuniste. Dhe për ta bërë këtë, Xi mendon se duhet të kontrollojë, se si mendojnë qyteterat e zakonshëm kinezë.

Por edhe në SHBA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA), mund të monitorojë shumicën e asaj, ku mund të kenë qasje qytetarët e Shteteve të Bashkuara. Një raport i “The Ëall Street Journal” i vitit 2013, vlerëson se 75 përqind e trafikut të internetit në SHBA, mund të monitorohet nga NSA.

Ndryshe nga Rusia apo Kina, SHBA-ja nuk ka asnjë shtysë politike të kontrollojë qasjen në internet të qytetarëve amerikanë. Por kjo nuk eliminon domosdoshmërisht problemin themelor. Qeveritë kineze dhe ruse, diktojnë atë që njerëzit e tyre mund të shohin në internet, nga frika e mendimeve të pavarura, të cilat mund të çojnë në kundërshtimin e regjimet e tyre.

Në Shtetet e Bashkuara, problemi nuk është një diktator totalitar, që do të ndalonte mendimin e pavarur, por mungesa e një mendimi të tillë. Kur një përdorues i internetit në SHBA, kërkon një temë në Google, motori i kërkimit prodhon shpesh mijëra apo edhe miliona rezultate. Në shumicën e kohës, përdoruesit nuk klikojnë tek të gjitha.

Uebajti “Advanced Ëeb Ranking”, ka zbuluar se 75 për qind e përdoruesve, klikojnë në njërën nga pesë gjërat e para që kërkojnë tek motori i kërkimit. Në njëfarë kuptimi, informacioni që konsumon amerikani i zakonshëm në Google, nuk është domosdoshmërisht më i saktë apo i pandjeshëm, është informacioni që ka vendosur algoritmi i Google, se është më i dobishmi.

E njëjta gjë vlen edhe për Facebook, Tëitter apo ndonjë faqe tjetër të mediave sociale.

Ajo që konsumojnë përdoruesit, përcaktohet nga algoritma të dizajnuara nga koduesit e fshehur në kampuset e tyre të korporatave. Interneti ka demokratizuar informacionin, por jo dijen. Ajo se çfarë informacioni kërkojnë amerikanët, përcaktohet nga nocione të paracaktuara se si gjërat duhet të jenë, më tepër sesa nga një kërkim rigoroz për atë që është.

Interneti, si çdo teknologji, është një mjet. Mund të përdoret nga diktatorët për të kontrolluar mendimet dhe besimet. Ai mund të përdoret nga demagogët, për të zhdukur paragjykimet e masave. Mund të përdoret nga vendet, për të sulmuar njëri-tjetrin. Mund të përdoret nga shkencëtarët, për të ndarë kërkime dhe të dhëna të rëndësishme.

Dhe mund të përdoret për të lidhur njerëz të ndryshëm, nga pjesë të ndryshme të botës. Kur përdoret për të “armatosur” informacionin, interneti mund të ndërtojë kulte të personalitetit të shekullit të 21-të. Në ekzistencën e tij pasive, interneti mund të çojë në një lloj mendimi në grup, një mentalitet të turmës, që shurdhon tek dikush ndjenjën e botës reale.

Burimi më i madh i pushtetit politik, ka qenë gjithmonë informacioni, dhe interneti është mjeti më i madh për transmetimin e informacionit, që kur u shpik shtypshkronja. Për mirë apo për keq, individët nuk mund të jetojnë pa të, dhe shtetet po mësojnë mënyra të reja për ta përdorur atë për qëllime të vjetra dhe të njohura.

“Geopolitical Futures” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button