Analiza

“Barack të urrej!” Dhe për Moskën armiku është sërish Amerika

moscow

Z. Barack Obama, pikërisht ai, nuk është i mirëpritur në tavolinën e birrarisë “Ladia”, pas stacionit Kurskij. E po kështu në nja dy kafene në Arbat ose prapa Sheshit të Kuq. Në hyrje të çdonjërit të këtyre lokaleve gjendet pikërisht një shënim i shkruajtur me dorë, i cili specifikon që me personin e lartpërmendur nuk dëshiron të ketë të bëjë aspak! Ndërsa në një dyqan mjalti në qendër gjendet një shpjegim i gjatë: “Për shkak të sanksioneve tona personale, zotëri Obama është i ndaluar të frekuentojë këtë dyqan”. Asgjë e jashtëzakonshme, bën mirë një grimë shpirt i lirë, frymëzuar nga patriotizmi dhe ndjenja në rritje e bllokadës. Si ata posterat që ka filluar të shfaqen në vetratat e minimarketeve, apo edhe ndonjë limuzine. Në disa është shkruar me nxitim: “Stop Obama”. Të tjerë “godasin” më në shënjestër: “Obama është një zuzar”.
Objektivi është gjithmonë ai, presidenti “armiqësor”. Turistët amerikanë mbeten të mirëpritur. Por diçka ka ndryshuar në sjelljen e përgjithshme, mosbesimi është rritur si në kohët e Luftës së Parë të Ftohtë, asaj që përfundoi 25 vite të shkuara. Instituti i sondazheve “Levada Center”, i urryer nga Vladimir Putini për mungesën e respektimit të rezultateve të tij, që shpesh përgënjeshtrojnë ato zyrtare, ka nxjerrë dy ditë më parë se 81 % e rusëve e konsideron SH.B.A. një vend armik dhe tradhëtar. Vetëm vitin e kaluar, “antiamerikanët”, nëse mund të quhen kështu, ishin vetëm 40%. E njëjta gjë për konsideratën ndaj europianëve. Nuk u beson atyre 71 % e popullsisë, dyfishi krahasuar me një vit më parë.
Analiza e fenomenit është bërë shpejt dhe Aleksej Grazhdankin, zëvendësdrejtor i Levada-s, e shpjegon kështu: “Rusët i konsiderojnë amerikanët dhe aleatët e tyre si shkaktarë të krizës së imponuar ekonomike, për shkak edhe të sanksioneve. Për më shumë janë të ofenduar për rolin e të këqijve të përjetshëm, ku i fusin mediat e huaja sa herë ka kriza ndërkombëtare.
Dhe ja ku shfaqet roli i propogandës së kryqëzuar. Nga njëra anë ka televizione shtetërorë dhe gazeta të mirë pozicionuara, që vazhdojnë të godasin si çekan me mesazhin e tyre: “Nëse bërja e pazarit është sot pothuajse e pamundur, nëse kursimet tuaja janë të paqëndrueshme së bashku me kuotimin e bursës, nëse papunësia është sërish një problem, është i gjithi faji i amerikanëve”.
Nga ana tjetër shumë rusë, mbi të gjitha të rinjtë, janë tashmë poliglotë, lundrojnë në internet, ndjekin shpesh dhe përtej dyshimit faqet e lajmeve të botës së jashtme. Dhe e bëjnë me pedantizëm, por edhe me pak paragjykim: ndihen të akuzuar që janë tregtarë lufte dhe imperialistë, që duan një luftë në Europë, që mendojnë vetëm për strategji ushtarake dhe projekte pushtimi.
Jo në gjithçka, natyrisht. McDonalds-i, që feston në mijëra tabela të reklamave 25 vjetorin e pranisë së tij në Moskë, mbetet zinxhiri i fast food-it më ti dashur, përballë amerikanes tjetër Burger King. Në kinema krijohen radhë për të ndjekur filmat amerikanë. Në krye të biletarisë gjënden tetë tituj të prodhuar në SHBA, nga dhjetë gjithsej. I pari është fantastikoshkencori Jupiter Ascending, i ndjekur nga anglobritaniku The Imitation Game, mbi jetën e gjeniut, matematikanit Alan Turing i persekutuar në Britaninë e Madhe të pas luftës, sepse ishte homoseksual. Temë mes të tjerash e pakëndshme dhe famëkeqe për qeverinë ruse.
Edhe mbrojtësit e të drejtave të pakicave, të lirive civile, që janë në rritje konstante në vend, i kanë ngrirë betejat e tyre. Prej muajsh nuk flitet më për manifestime anti-Putin. Deri tek kundërshtari i madh Aleksej Navalnyj,  i konsideruar  “armiku numër një”  nga Kremlini, i cili shtyn çdo rast që i vjen dhe përpiqet të fitojë kohë. Si nacionalist që është thonë miqtë e tij, nuk i vjen të lidhet me linjën antiruse që vjen nga Perëndimi. Kështuqë, dikush në Kremlin shkrihet nga kënaqësia.
Sanksionet dhe menaxhimi i krizës, thotë burimi i zakonshëm rigorozisht anonim, i ka konsoliduar të gjithë rreth Putinit, madje edhe ka ndalur rrezikun e opozitës së rrugës. Prandaj dhe nuk ka si të mungojë ironia e një zëvendësministri shakaxhi të Pekinit, i cili tre ditë më parë në Kombet e Bashkuara, duke folur për sanksionet ndaj Rusisë, u thoshte kolegëve perëndimorë: “Jeni të sigurt se keni bërë gjënë e duhur?”/La Repubblica/
e.xh./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button