Bota

Bashkimi Evropian nuk mund të kërkojë dialog me diktatorët

Nga Daria Navalnaya

Parlamenti Evropian i dha Çmimin Sakharov 2021 për të Drejtat e Njeriut dhe Lirinë e Mendimit, liderit të opozitës ruse Alexei Navalny, i burgosur padrejtësisht nga Kremlini. Çmimi u tërhoq nga vajza e tij Daria Navalnaya, që mbajti një fjalim emocionues para europarlamentarëve. Ajo apeloi ndaj zyrtarëve evropianë që të mos harrojnë idealet mbi të cilat u themelua dikur unioni, dhe të mbrojnë kudo të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut.

****

Fjala që mbajti Daria Navalnaya para Parlamentin Evropian:

Kur mësova se im atë, Alexey Navalny, fitoi Çmimin Sakharov, u lumturova shumë për dy arsye. Së pari ky është një nder i madh, një vlerësim për meritat dhe punën e tij, e cila është bërë dhe po vazhdon falë tij dhe bashkëpunëtorëve që ka. Dhe më e rëndësishmja: Ajo është një sinjal për dhjetëra miliona qytetarë të vendit tim, të cilët duan një fat më të mirë për Rusinë dhe po luftojnë për ta arritur atë.

Së dyti, babai im e merr këtë çmim nga Parlamenti Evropian, dhe kur ndodh kjo, ke një mundësi të jashtëzakonshme për të folur përpara Parlamentit Evropian. Fatkeqësisht, për arsye që tashmë dihen, babai nuk mund të ishte këtu sot, prandaj mendova me vete: Epo, mendoj se dikush tjetër duhet të shkojë në Strasburg dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi.

Dhe me kalimin e kohës, kam arritur të kuptoj se ndërkohë që ardhja këtu është e mrekullueshme, ajo ndoshta është saktësisht e njëjtë me makthin tim më të keq dhe atë të familjes sime. Unë marrë pjesë në konferenca dhe samite të ndryshme, duke mbajtur fjalime në emër të babait tim. Ndonjëherë atij i jepet ndonjë çmim.

Por unë jam një person që udhëton shumë. Unë shkruaj fjalime, të cilat nisin nganjëherë me ndonjë shaka. Por ndërkohë im atë ndodhet në burg. Dhe ndërkohë unë do të vazhdoj të udhëtoj duke lexuar artikuj mbi kushtet e tmerrshme në të cilat mbahet babai im në burg. Për këtë nuk ka shumë për të bërë. Ndaj unë udhëtoj dhe flas nëpër botë. Dhe ai vazhdon të mbahet në burg. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me Alexey Navalny. Ku janë tani fituesit e vitit të kaluar, opozita bjelloruse? Kryesisht në burg. Ku është fituesi i Çmimit Nobel për Paqe në vitin 2010, Lui Xiaobo?

Ai vdiq në burg. Ndaj unë i bëj shpesh vetes një pyetje:Pse është kaq e vështirë të çlirosh nga robëria ata që luftojnë për të drejtat e njeriut? Pse ata futen ende në burg jo vetëm në të gjithë botën, por edhe në vendet evropiane, gjeografikisht të tilla, në shekullin XXI-të?

Evropa është e madhe dhe e plotfuqishme. Vullneti i qytetarëve evropianë shprehet në rezolutat e deputetëve të Parlamentit Evropian. Dhe zgjidhjet në vendet e BE-së janë të drejta dhe të ndershme. Ato mbështeten nga Britania e Madhe, SHBA, Australia, Zelanda e Re dhe e gjithë bota e lirë. Por ata që ashtu si im atë vazhdojnë të qëndrojnë në burg, po shohin gjithnjë e më shumë nga aleatët e tyre që flaken pas hekurave.

E dini, e kam dëgjuar shumë herë, dhe jam e sigurt se do ta dëgjoj përsëri. Ndoshta edhe në korridore pas kësaj ceremonie. Do të më thonë:“E kuptojmë pse ndihesh kështu Dasha, pasi ka të bëjë me familjen dhe të dashurit e tu. Por në botën reale, ne duhet të veprojmë në mënyrë më pragmatike”.

Dhe po në ato korridore unë do të tund kokën dhe do t’u përgjigjem:“Po, po, sigurisht. E çfarë tjetër mund t’u them? Unë jam thjeshtë një studente 20-vjeçare, dhe nuk ndihem shumë komode të debatoj me pragmatistë me përvojë. Megjithatë, sot duke përfituar nga fakti që kam këtë mikrofon përpara, do të doja ta kundërshtoja këtë pragmatizëm.

Ky është çmimi Sakharov. Dhe Andrei Sakharov ishte ndoshta një nga njerëzit më jo pragmatikë në botë. Unë nuk e kuptoj arsyen pse ata që mbrojnë marrëdhëniet pragmatike me diktatorët,përtojnë të hapin dhe shfletojnë disa libra historie. Edhe ky do të ishte një akt shumë pragmatik, dhe pasi të ndodhë kjo, është shumë e lehtë të kuptosh ligjin e  pashmangshëm në politikë:sjellja tolerante me diktatorët dhe tiranët, nuk funksionon asnjëherë.

Nuk ka rëndësi se sa njerëz përpiqen ta gënjejnë veten, duke shpresuar se një tjetër i çmendur që është kapur me thonj pas pushtetit, do të sillet më me dinjitet në përgjigje të lëshimeve dhe flirteve me liderët e vendeve demokratike. Vetë thelbi i pushtetit autoritar përfshin një rritje të qëndrueshëm të sjelljeve agresive dhe kërkimin e armiqve të rinj.

Dhe ata që dikur thoshin: “Të mos e kundërshtojmë Lukashenkon, dhe të vazhdojmë dialogun me të”, kur ai rrahu dhe burgosi qytetarët e tij, vetëm tani e kuptuan se për të dënuar dikë, Lukashenko duhet t’i rrëmbejë ata së bashku me një avion pasagjerësh.

Pragmatistët nuk duan të veprojnë për disa arsye, të bazuara kryesisht tek shpenzimet dhe humbjet ekonomike. Por unë u them:merrni një moment makinën llogaritëse dhe shihni sa u kushton qasja juaj taksapaguesve evropianë, dhe veçanërisht pragmatizmi i tyre.

Vitet e flirtimit me Putinin, e inkurajuan këtë të fundit të rrisë ambiciet e tij, deri në mundësinë e nisjes së një lufte të re. Sa do t’i kushtojë Evropës lufta Rusi-Ukrainën? Edhe tani që ka kaq shumë raportime mbi trupat ruse në kufirin ukrainas, askush nuk po reagon me seriozitet.

Asnjë bashkëpunim pragmatik i biznesit, nuk do të rikuperojë dot pjesën e kostove që do të shkaktohen nga kjo sjellje apatike. Një nga liderët e opozitës – Boris Nemtsov – u qëllua për vdekje pas shpine nga Kremlini. Dhe pastaj del pragmatisti që ngre supet dhe thotë: Ngjarje e rëndë, por s’kemi çfarë të bëjmë! Le të bëjmë ndonjë deklaratë të fortë, dhe pastaj të vazhdojmë dialogun me Moskën!

Dhe pastaj ata vrasin të dytin dhe të tretin, dhe i katërti vritet në qendër të Berlinit. I pesti në Britaninë e Madhe. Pastaj hedhin në erë edhe disa kazerma ushtarake në Evropë. Më pas nisin të vrasin njerëz me armë kimike. Dhe ajo që dimë janë vetëm atentatet e pasuksesshme.

Po sa të tjerë kanë qenë të suksesshëm? Ne tashmë e dimë se brenda shërbimeve speciale të Putinit është krijuar një grup i vërtetë terrorist. Ata vrasin pa gjyq qytetarët e vendit tim. Ata desh më vranë nënën, për pak më vranë babanë, dhe askush nuk mund të garantojë se nesër politikanët evropianë nuk do të fillojnë të vdesin sapo të prekin dorezën e derës së shtëpisë së tyre.

Dhe tani ju po shtoni buxhetin e policisë. Po paguani më shumë para për shërbimet speciale. Po shpenzoni miliarda për metodat e reja për të zbuluar substanca toksike. Dhe që të gjitha këto masa janë pasoja të pragmatizmit.“Duhet të veprojmë me kujdes që të mos i zemërojmë ata!”- thotë pragmatisti.

Dhe nesër, diktatorët e frymëzuar nga masat gjysmake të Perëndimit, do të transportojnë mijëra njerëz në kufirin e Bashkimit Evropian, duke i detyruar gratë dhe fëmijët e dëshpëruar të sulmojnë gardhet me tela me gjemba, dhe duke ëndërruar fshehurazi që dikush do të qëllohet për vdekje ose të shkelet nga turma.

Le të na thonë pragmatistët se sa do t’i kushtojë Polonisë, Lituanisë apo gjithë Bashkimit Evropian e gjitha kjo. Atëherë do të më përgjigjen: “Çfarë doni? Këto janë vende sovrane me qeveritë e tyre. Aftësitë tona janë të kufizuara. Apo mos po propozoni një luftë bërthamore për të liruar të burgosurit politikë?”.

Natyrisht, unë nuk propozoj fillimin e një lufte. Mirëpo, vëre se edhe pse i pasuksesshëm, tashmë ka filluar një konflikt dhe ai po shkakton viktima të vërteta. Dhe armiqtë tuaj po përdorin armë kibernetike dhe kimike.

Fakti që bankat evropiane pastrojnë lirshëm miliardat e Putinit dhe miqve të tij të fituara nga korrupsioni, jahtet e oligarkëve të Putinit vazhdojnë të mirëpriten në Mesdheun Evropian, apo 99 për qind e zyrtarëve të lartë në Rusi dhe Bjellorusi të përfshirë drejtpërdrejt në krime, mund të udhëtojnë ende lirisht në Evropë, ashtu si familjet e tyre, është një shenjë se shumë nga ata që marrin vendime nuk janë duke u përpjekurqë të fitojnë qoftë edhe një betejë të vogël në këtë luftë.

Mua me duket se dëshira për ta “qetësuar” diktatorin herë pas here, për të mos e zemëruar atë, për të shpërfillur sa më gjatë krimet e tij, nuk është aspak një qasje pragmatike. Ka ardhur koha ta themi qartë:Nën flamurin e pragmatizmit ka cinizëm, hipokrizi dhe korrupsion.

Ekziston një luftë e vazhdueshme midis idealizmit dhe pragmatizmit. Këto janë beteja të ashpra në politikën evropiane. Por edhe të zgjedhësh anën e pragmatizmit, nuk do të thotë të tradhtosh idetë e dikujt. Kur i shkrova babait tim dhe e pyeta:çfarë do që të them para Parlamentit Evropian. Ai mu përgjigj: “Thuaju atyre se askush nuk guxon që ta barazojë Rusinë me regjimin e Putinit. Rusia është pjesë e Evropës, dhe ne po përpiqemi të bëhemi pjesë e saj. Por ne duam gjithashtu që edhe Evropa të angazhohet. Pikërisht liderët e saj fantastikë. Ne jemi të përkushtuar ndaj Evropës së ideve, që mburret me respektin ndaj të drejtave të njeriut, demokracinë dhe integritetin. Por ne nuk duam Evropën e kancelarëve dhe ministrave, të cilët ëndërrojnë të zënë një vend në bordin e drejtorëve të kompanive shtetërore të Putinit,apo të lundrojnë në jahtin e një oligarku”.

Duke ju falënderuar për mirënjohjen e madhe që keni shprehur për babain tim, ju them se mezi pres të shoh në veprim Evropën e ideve dhe parimeve. Bashkimi Evropian – është një mrekulli e pabesueshme e krijuar nga kombet, e gjithë historia e së cilës është një luftë e pafundme mes tyre.

Me gjithë vështirësitë dhe problemet që ka dhe me të cilat do të duhet të përballet, unë besoj në të ardhmen e unionit, dhe besoj se një ditë vendi im do të bëhet pjesë e BE-së. Dhe në fund, dua të citoj bashkatdhetarin tim të madh, emrin e të cilit mban ky çmim: “Fati im ishte në njëfarë kuptimi i jashtëzakonshëm. Jo nga një modesti e rreme, por nga dëshira për të qenë specifik, unë vërej se fati im ka rezultuar të jetë më i madh se personaliteti im. Unë thjesht u përpoqa të isha në lartësinë e fatit tim”. Shpresoj që të gjithë të kemi forcë për ta bërë këtë. Liri për Alexey Navalny!

Back to top button