HistoriMAIN

Baza e dominimit të perëndimit ishte teknologjia. Hendeku teknologjik mund të eleminohet

Felipe Fernández-Armesto

Përse perëndimi dominoi për një kohë kaq të gjatë? Varet se çfarë kuptojmë me dominim dhe ‘perëndim’, por për pjesën më të madhe të së kaluarës ai që ne zakonisht e quajmë perëndim ishte një cep i largët dhe i përbuzur i Euroazisë, ndërsa ekonomitë më të pasura, politikat më të fuqishme dhe popullsia më e madhe, më e dendur ishin përqendruar në Azinë Jug-Perëndimore, Jugore dhe Lindore.

Përfshirja e Amerikave ndryshoi ekuilibrin global të pasurisë, fuqisë dhe potencialit demografik, por efektet u desh shumë kohë të vërehen. Rilindja ishte, mbase, lëvizja e parë globale – ajo arriti në pjesë të Amerikave, Afrikës dhe Azisë – por ndikimi i saj ishte i butë dhe kryesisht i kufizuar tek elitat. Krishtërimi është feja më e adaptueshme nga ana kulturore në botë, por kam dyshime, nëse duhet ta klasifikojmë si perëndimor këtë besim-mister oriental, që filloi si një herezi hebraike. Në shekullin e 17-të, respekti kinez për astronominë dhe kronometrinë jezuite ishte një shenjë që shkenca dhe teknologjia perëndimore ishin në ngjitje, por Kina ndikoi në perëndim në shekujt 17 dhe 18, të paktën aq sa e anasjellta.

U deshën Luftërat e Opiumit për të ndryshuar ekuilibrin e tregtisë me Kinën, në favor të perëndimit. Ndërkohë, ekonomitë e industrializuara dhe post-industriale filluan të përhapeshin nga perëndimi, së bashku me politikën shoqëruese dhe estetikën, duke plotësuar, por duke mos zëvendësuar mënyra rivale të jetës. Edhe kur avantazhet perëndimore – energjia e avullit, armët Maxim, kitet tropikale – ishin në kulmin e tyre në fund të shekujve 19 dhe fillim të 20, ato të vetme nuk mund të garantonin dominimin: nga britanikët, për shembull, tek Boerët dhe Maorët; nga italianët në Etiopi; ose nga çdo i huaj në Japoni.

Nëse ne lejojmë bujarisht ‘dominimin’ perëndimor, një term jo më i vjetër se 200 vite, periudha ngjan me një të hapur e të mbyllur të syve, në krahasim me 200,000 apo më shumë vite të ekzistencës së Homo sapienëve. Baza e këtij dominimi ka qenë teknologjike, dhe hendeqet teknologjike janë të eleminueshme. Me rimëkëmbjen e Kinës, shfaqjen e Indisë si një superfuqi e mundshme dhe ngritjen e sfidantëve të tjerë në një botë shumëpalëshe dhe të ndërvarur, duket sikur po i kthehemi normalitetit: ndikim i ndërsjellë midis qytetërimeve të barabarta – dhe perëndimi është thjesht një prej tyre.

BBC – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button