Mark Zuckerberg është duke u përgatitur për “provimin” e tij më të madh si CEO i Facebook, duke u përballur jo me një, por me dy seanca nga Kongresi.
Disa i shohin këto seanca si pak më shumë sesa një teatër politik, një shans për politikanët që të shihen në televizion, duke qortuar të pasurit dhe të fuqishmit.
Mund të ketë diçka të vërtetë në sa u tha më sipër. Por kurrë nuk kemi pasur një qasje të tillë pa filtra, te një njeri i cili zakonisht “strehohet” nga ekipi i tij përgjegjës për marrëdhëniet me publikun dhe përfaqësuesit.
Deklaratat e tij që do të mbahen në fillim të fjalimit tashmë janë publikuar. Por në sesionet maratonë të planifikuara të martën dhe të mërkurën do të thuhet shumë më shumë.
Zuckerberg në mënyrë të pashmangshme do të japë llogari për privatësinë e të dhënave, me fokus të veçantë në skandalin e Cambridge Analytica, edhe pse u desh një media që të zbulonte shkeljen e sistemeve të saj. Dhe ai do të presë disa pyetje të vështira rreth ndërhyrjes në zgjedhje si edhe për të ardhmen e tij dhe të Facebook.
Më poshtë janë listuar shtatë gjëra të cilat priten të ndodhin ndërsa Zuckerberg shkon për në Capitol Hill këtë javë.
1. Nxjerrja në pah e anëve pozitive
Komuniteti, komuniteti, komuniteti. Është një fjalë që do ta dëgjoni shumë nga Zuckerberg i cili do të hapë deklaratat e tij duke theksuar se Facebook sjell të mira në botë.
Dhe në fakt ai ka të drejtë. Organizimi i jetës së përditshme, qoftë ditëlindje ose protestë, është bërë shumë më i lehtë falë Facebook-ut. Ashtu edhe shpërndarja e fotografive dhe videove me familjen dhe miqtë.
Ai do të flasë për mënyrën si Facebook përdoret nga bizneset e vogla në të gjithë botën, për të fituar klientë në mënyrë efikase dhe me çmim të ulët.
Mes rreshtave ai nënkupton që të mos sulmohet ashpër biznesi i tij, pasi në këtë mënyrë mund të ndikojë te miliona biznese të tjera.
2. Ai nuk do e japë veten
Për 33-vjeçarin, duke ditur mirë si funksionon kompania e tij, nuk do të jetë një problem. Ai nuk është një shef ekzekutiv që fshihet në sallën e mbledhjeve. Ai mund të udhëzojë edhe inxhinierin e tij më të mirë.
Sfida e tij do të shfaqet si njerëzore dhe do të serviret si keqardhje, edhe pse ai thellë- thellë beson se, siç e tha edhe kompania fillimisht, që përdoruesit hoqën dorë me dëshirë nga të dhënat e tyre.
Zuckerberg ka luftuar gjithmonë me anën e tij emocionale. Në fakt, edhe në një video të tij si adoleshent tregohen shenja të hershme të një ftohtësie robotike që mund ta ndrydhin atë në këto seanca.
Një fakt interesant rreth fëmijëve të tij mund të ndihmojë në lidhje me këtë. Në një intervistë për CNN, një fllad emocionesh pushtoi studion ndërsa Zuckerberg fliste për ndikimin që fëmijët kanë pasur në jetën e tij. Duke qenë baba, Zuckerberg mund të ndihmojë të lërë pas Zuckerberg-un e universitetit, i cili kishte pikëpamje të tjera për të dhënat private të përdoruesve.
3. Do ia vërë fajin Kogan-it
Është e rëndësishme të mbani mend se megjithëse Facebook ka pranuar gabime rreth politikës së saj të të dhënave dhe se si e ka sistemuar (ose jo) rrëmujën e shkaktuar, kompania pohon se ishtë Aleksandr Kogan, hulumtuesi i Universitetit të Cambridge, ai që ishte për t’u fajësuar në këtë mes.
Ishte Kogan ai që krijoi aplikacionin i cili depërtoi në të dhënat e përdorura në Cambridge Analytica. Dhe ishte Kalifornia ajo që tha se i kishte fshirë të dhënat kur me sa duket nuk ishin fshirë.
Zuckerberg do të jetë në vijën e hollë ku do të përpiqet të sigurohet që politikanët e dinë se sistemet e Facebook janë abuzuar, në të njëjtën kohë duke u përpjekur të mos duket sikur po shmang përgjegjësinë.
4. Përfshirja e kompanive të tjera
Në një pikë para këtyre seancave, ligjvënësit kishin kërkuar që shefat e Google dhe Twitter të paraqiten së bashku me Zuckerberg, një mënyrë pohimi që shumë nga çështjet e hapura janë të përbashkëta. Për shembull, në Twitter ka shumë propagandë ruse dhe problemet e YouTube janë të dokumentuar mirë.
Kjo nuk do të ndodhë tani. Facebook është vetëm fare. Por kjo nuk do të ndalojë përpjekjet e Zuckerberg për të tërhequr kompani të tjera në këtë debat edhe pse jo në formë të drejtpërdrejtë.
Facebook nuk ishte kompania e parë që bëri miliarda nga mbledhja e të dhënave personale dhe nuk do të jetë e fundit.
5. Shfaqje politike dhe pyetje të këqija
“Është një pyetje me po ose jo”, është një shprehje e dashur nga politikanët në këto lloj seancash. Është më efektivja, natyrisht, kur bëhen pyetje që kanë si përgjigje çdo gjë tjetër përveç se po ose jo.
Politikanët do të duan të jenë zhurma në lajmet e mbrëmjes, ose në videot, që për ironi, do të shpërndahen nga miliona njerëz, pikërisht në Facebook.
Do të vija bast për të paktën një prej përfaqësuesve i cili do të pyeste, “a mund të betoheni këtu sot që Facebook nuk do të shesë kurrë të dhënat e përdoruesve”? Përgjigja me siguri do të jetë “patjetër”. Facebook nuk ka shitur asnjëherë të dhënat e përdoruesve, por thjesht u jep qasje drejt tyre.
6. Mungesë replikash mbi rregullimin
Zuckeberg do të sjellë projektligjin “Akti Rregullator i Reklamave” që do të rriste transparencën rreth reklamimit politik në internet. Do të sillte legjislacionin në përputhje me atë që ndodh në televizion, ku bëhet e qartë se kush e ka paguar reklamën.
Mbështetja e këtij projektligji është një veprim i matur nga zyra e marrëdhënieve me publikun. Ai i jep Zuckerberg mundësinë që të thotë se është i hapur për rregullimet nga ana e qeverisë, duke shmangur çdo impakt kryesor në mënyrën si drejtohet Facebook.
Ndryshimet rreth fushatës Zuckerberg tashmë i ka vënë në vend dhe do të thotë që ata ndoshta janë në përputhje me masat që “Akti Rregullator i Reklamave” dëshiron të prezantojë.
Mos prisni shumë progres kur është fjala për ndonjë lloj tjetër debati rregullator.
Në vend të kësaj, ne mund të marrim disa hapa të vegjël në drejtim të asaj që mund të duket ndryshe llojet e tjera të rregullores, por Zuckerberg padyshim do të theksojë punën që kompania e tij tashmë po bën.
7. Një vështrim mbi dekretin e nënshkruar
Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) po heton nëse Facebook ka shkelur një dekret të nënshkruar në vitin 2011. Është një dokument që detajon një marrëveshje për t’u kujdesur për të dhënat në mënyra të caktuara.
Shkurtimisht, Facebook nuk pranoi të paraqiste në ndonjë mënyrë, shprehimisht ose duke e nënkuptuar, se si do të përdoreshin të dhënat e mbledhura.
Kompania gjithashtu premtoi të ishte absolutisht e sinqertë me përdoruesit për mënyrën se si përdoren të dhënat e tyre private.
Duke pasur parasysh atë që dimë tani, ligjvënësit mund të kenë ndërmend të pyesin Zuckerberg nëse kompania e tij i ka përmbushur këto zotime të rëndësishme.
Burimi: Dave Lee, BBC
Shqipëroi: klan