BE-ja kërkon ndihmën e Turqisë për të ndaluar fluksin e refugjatëve nga Siria dhe Iraku. Por koncesionet që kërkon Erdogani për këtë janë të papranueshme
Barbara Wesel
Evropianët e kanë vetë fajin për gjendjen e vështirë politike në të cilën janë të mbërthyer tani për shkak të krizës së refugjatëve. Ky është një nga mesazhet e Rexhep Erdogan për BE-në. Me të drejtë presidenti turk e kritikon BE-në se, ajo e kishte injoruar gjatë dramën e refugjatëve të luftës në Siri, pasi besonte se nuk do të prekej prej saj. Rreth katër milionë refugjatë janë strehuar tashmë në vendet fqinje, rreth gjysma e tyre në Turqi. Dhe presidenti turk ka gjithashtu të drejtë kur ai vë në dukje se në Bruksel paniku shpërtheu vetëm kur gjithnjë e më shumë njerëz morën rrugën drejt Evropës. Tani Erdogani është në pozicion të favorshëm, dhe përpiqet për t’i bërë shantazh BE-së me të gjitha format.
A do t’i hedhë Evropa poshtë të gjitha parimet?
Takimi në Bruksel ndërmjet shefave të BE-së dhe pushtetmbajtësit në Ankaraja ishte spektakël i trishtuar. Ata sa nuk ranë përtokë, që t’i bënin nder Erdoganit dhe ta merrnin me të mirë atë. Sidomos Presidenti Jean-Claude Juncker përmendi me forcë miqësinë e tij të ngushtë me Erdogan, duke e quajtur atë si një reformator të madh të Turqisë. Sigurisht mirësjellja dhe madje edhe një shkallë hipokrizie janë pjesë e diplomacisë. Por në një shteg të tillë lëpirjesh vetëm mund të rrëshqasësh. Si është e mundur që presidenti turk që po bëhet gjithnjë e më tepër autokratik dhe është kritikuar për vite me radhë për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe politikës së tij antidemokratike, të transformohet brenda natës në partnerin më të rëndësishëm të evropianëve? Arsyeja janë dështimet tona dhe frika prej paqëndrueshmërisë politike të brendshme. Ndërkohë që lufta në Siri vazhdon me tërbim prej katër vjetësh dhe pasojat duhet të ishin të qarta për të gjithë.
Edogani bërë të qartë në Bruksel se për të kooperuar në çështjen e refugjatëve kërkon çmimin më të lartë të mundshëm. BE-ja duhet të pranojë që ai do të rifillojë si në Irak edhe në Siri luftën e tij kundër turqve. Ai madje shkoi aq larg sa i barazoi organizatat e kurdëve me IS-in dhe bëri thirrje për luftë të përbashkët kundër të gjithëve që i quan terroristë. Dhe kjo kur vetë Erdogani ishte ai që fillimisht e kishte mbështetur IS-in ngaqë shpresonte për një sukses të dyfishtë: rënien e Asadit në Siri dhe shtypjen e kurdëve. Tani ai e ka kthyer fletën dhe kërkon mbështetjen e evropianëve për luftën kundër IS-it dhe njëkohësisht kundër kurdëve. Pikërisht të atyre kurdëve që në luftën për Kobanen ishin për bashkësinë ndërkombëtare të mirët dhe morrën edhe ndihma ndërkombëtare me armë.
Evropa nuk mund të bashkohet me Erdoganin
Realpolitika do të thotë që të heqë dorë nga vlerat. Por evropianët duhet ta shikojmë me kujdes se sa lirë duan ta shkapërderdhin besueshmërinë e tyre. Shumica e masave për të cilat ka mosmarrëveshje politike tani janë sa për të larë sy e faqe: si lufta kundër trafikantëve në Turqi – ajo nuk do të ketë kurrë sukses, sepse bëhet fjalë për shumë para. Apo idja që kërkesat për azil në BE të bëhen në kampet e refugjatëve në Turqi – e cila është faktikisht dhe ligjërisht e vështirë për t’u zbatuar. Dhe si mund t’i detyrojmë të gjithë sirianët për të qëndruar në Turqi dhe të presin atje në kampe deri sa lufta të marrë fund? Dhe pse Erdogan duhet të pajtohet me këto, ndërkohë që qëllimi i tij është të dërgojë në Evropë edhe rreth 500,000 refugjatë?
Fund qarravitjeve për krizën
Turqia nuk mund ta zgjidhë për ne problemin e refugjatëve, ne duhet ta bëjmë vetë atë. Dhe është absolutisht e pamundur dhe e pakonceptueshme që Erdoganit t’i bëhen lëshime për gjëra për të cilat ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi. As nuk është në interes të Evropës që ta mbështesë Erdoganin në rrugën e tij drejt diktatorit të madh. Dhe ne nuk mund të bëhemi në asnjë mënyrë xhelatët e tij, në qoftë se ai dëshiron të nxisë një luftë civile në rajon kurd.
Përveç kësaj ndoshta do të ishte e dobishme që t’i japim fund vajtimit për krizën. Në mbarë botën ka 50 milionë vetë që janë në arrati nga lufta, persekutimi dhe fatkeqësitë natyrore. Vetëm një pjesë e vogël e tyre ka ardhur deri tani në Evropë. Ne nuk do të fundosemi edhe nëse drejt nesh janë nisur edhe një milionë njerëz nga Siria dhe Iraku. Kontinenti ynë ka një gjysmë miliardi banorë dhe nuk është i mbingrakuar. Kjo është një çështje e vullnetit politik, e humanizimit dhe në të njëjtën kohë e realizueshme. Allish-verishet me qeverinë e Ankarasë, nuk duhet të kenë vend në plan.
Linku: http://www.dw.com/sq/be-ja-dhe-turqia-%C3%A7mimi-politik-%C3%ABsht%C3%AB-shum%C3%AB-i-lart%C3%AB/a-18762982