Bota

Bota, sipas Donald Trumpit… pas 100 ditësh

“Presidenca e Donald Trumpit, është e pangjashme me asnjë presidencë tjetër, në historinë 230-vjeçare të Republikës Amerikane”, shkruan sot në një artikull të zgjeruar Financial Times. Tre gazetarë të të përditshmes prestigjoze, janë ulur dhe kanë biseduar me presidentin e Amerikës, Donald Trump, duke prekur disa prej temave më të nxehta.

Ai është i pari komandant i përgjithshëm që nuk ka mbajtur asnjëherë një detyrë në qeverisje; një manjat pronash të paluajtshme dhe reality tv, që ka ndryshuar pesë herë parti. Shfaqet si populist, por ka punsuar kabinetin më të pasur të historisë. Këshilltarët e tij kryesorë, bashkë me dhëndërrin, kanë së bashku një pasuri prej 2 miliardë dollarësh.

Pavarësisht polemikave të ndezura të ditëve të para, shkruan FT, teksa Donald Trumpi i afrohet 100-ditëshit të parë në detyrë, duket se ka më shumë metodikë prapa “çmendurisë”, se sa mendojnë kritikët.

Trumpi dhe ekipi i tij e shohin botën e 2017-ës, të shenjuar prej nacionalizmit ekonomik dhe politikanëve të fortë si Vladimir Putini i Rusisë dhe Narendra Mondi i Indisë, apo presidenti i Kinës, Xi Jinping. Ata e shohin si një vend, ku SHBA duhet të ndjekë fuqishëm interesat e veta.

“Unë besoj në aleanca. Unë besoj në marrëdhënie. Dhe besoj në partneritete. Por aleancat nuk kanë funksionuar gjithmonë mirë për ne’, u thotë Trumpi gazetarëve të FT.

Aleatët

Për aleatë si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Japonia, qasja e Trumpit është shqetësuese, për shkak se ajo injoron rolin që SHBA ka luajtur në ruajtjen e paqes, nga Europa Perëndimore, deri në Gadishullin Korean dhe perëndimin e Paqësorit. Frika e të gjithëve tashmë është se SHBA, mbrojtësja e rendit liberal të bazuar në rregulla përgjatë shtatë dekadave të fundit, po bë një ndryshim historik, nga një superfuqi altruiste, në një superfuqi egoiste. Në intervistën për FT, Trumpi thotë se nuk po luan aspak me bllofin. “Kemi një problem shumë serioz në botë sot. Madje kemi më shumë se një, por ky nuk është një ushtrim… nuk është se vetëm po flas. SHBA ka folur shumë dhe shihni ku na ka çuar kjo, askund…”.

Presidenti amerikan beson ende se aleatët e kanë patur të lehtë nën ombrellën ushtarake të SHBA.

Konkurrentët

Presidenti nuk është aspak i kënaqur edhe me mënyrën se si kanë shkuar gjërat me konkurrentët e Amerikës. Sidomos me Kinën, presidentin e të cilës do e takojë këtë javë, dhe që sipas Trumpit, ka shfrytëzuar rregullat e tregtisë globale në favorin e vet. Sipas Trumpit, Amerika ka qenë shumë e butë. “Nuk ka funksionuar për paraardhësit tanë. Shihni se ku jemi. Kemi një defiçit tregtar 800-miliardësh”, thotë Presidenti.

Përpara inaugurimit, shumë ekspertë druheshin se Presidenti Trump do të ishte rrezikshëm i luhatshëm në politikën e jashtme. Por kombinimi i disa figurave të forta në ekipin e tij të sigurisë kombëtare, sidomos James Mattis, Sekretar i Mbrojtjes, si dhe roli qetësues i Jared Kushnerit, dhëndërri me shumë influencë, duket se po e stabilizon “anijen”.

E ndërkohë që është tip që nuk kërkon falje, Donald Trumpi nuk ka problem të bëjë ndryshime madhore. Në intervistën që ka dhënë për FT, presidenti amerikan thotë se nuk ka asnjë mëri me Angela Merkelin, edhe pse shumëkush ka parë refuzimin për të shtrënguar duart. “Pata një takim shumë të mirë me Kancelaren”, thotë Trump. “Shtrënguam duart pesë herë. Pastaj kur ishim ulur secili në vendin e vet, një gazetar tha, shtrëngoni duart. Me sa duket nuk e dëgjova”.

Presidenti amerikan nuk ka kursyer as mendimet mbi Brexit. “Kur ndodhi Brexit, mendova se edhe vende të tjerë do të ndiqnin shembullin. Por tani mendoj se Bashkimi Europian po e mbledh veten”, thotë Trumpi në bisedën me gazetarët e FT. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button