BotaMAIN

Bota sipas Volfgang Shojbles

Nga Matthew Karnitschnig

Gjermania duhet të fillojë të shfaqë më shumë respekt ndaj Evropës Qendrore dhe Lindore, dhe të ndalojë dhënie leksione, apo të veprojë sikur është më e ditura e kontinentit. “E pse mendojnë gjermanët se mund t’u mësojnë polakëve se çfarë është demokracia?”- pyet kreu i parlamentit gjerman Volfgang Shojble, nga zyra e tij me pamje nga lëndina gjigante e Bundestagut, para se të vlerësojë lart “guximin dhe këmbënguljen” e qytetarëve të Evropës Qendrore.

“Mendoni pak për Vasllav Havelin! Po të mos ishin polakët, hungarezët, çekët, sllovakët etj, asgjë nuk do të ishte e mundur”- shtoi Shojble duke ngritur në ajër gishtin e tij tregues. Shojble nënkupton jo vetëm fundin e komunizmit në Evropë, por edhe ribashkimin e Gjermanisë, dhe dekadat e paqes dhe prosperitetit që ka gëzuar rajoni që prej asaj kohe (pavarësisht disa pengesave rrugës).

Po çfarë thotë ai në lidhje me sundimin e ligjit, që është nën kërcënim në disa nga këto vende? “Është tërësisht e ligjshme të ndash mendime të kundërta mbi disa gjëra. Kur unë takoj kryeministrin hungarez Viktor Orban, i them saktësisht se çfarë mendoj se ai po bën gabim”- thotë kryeparlamentari gjerman.

Sipas tij në fund u takon gjykatave evropiane të vendosin se ku janë kufijtë, madje edhe kur bëhet fjalë për Gjermaninë. Në këtë kohë pjesa më e madhe e Evropës Qendrore është në kulmin e shkeljeve të normave demokratike, duke sulmuar komunitetin LGBTQ + dhe duke minuar në përgjithësi imazhin progresiv që po përpiqet të projektojë BE-ja në pjesën tjetër të botës.

Por sipas botëkuptimit të tij, ndarja në rritje Lindje-Perëndim, paraqet një rrezik më të madh për të ardhmen e Evropës, sesa çdo gjë që ndodh në një shtet anëtar të caktuar. “Ne duhet të ndryshojmë qëndrimin, sipas të cilit dikush bën gjërat më të mira, dhe të tjerët nuk janë aq të shkëlqyer”- thekson ai.

Kushdo e mban mend Shojblen si “xhelatin financiar” të Greqisë dhe shkelësve të tjerë të rregullave të eurozonës gjatë krizës së borxhit, e cila gati e shkatërroi monedhën e përbashkët një dekadë më parë. Në atë kohë, si ministri gjerman i Financave, u sulmua nga e gjithë Evropa Jugore si një cinik dhe arrogant.

Madje ai u bë një tabelë qitje nga e majta ekstreme greke, në fushatën e saj të suksesshme në referendumin e vitit 2015, për të hedhur poshtë kushtet e shpëtimit të Greqisë. Por atëherë, ashtu si tani, veprimet e Shojbles burojnë nga një impuls fisnik (të paktën në mendjen e tij):atë të mbrojtjes dhe ruajtjes së Evropës.

Pavarësisht se çfarë mendon shumëkush për Shojblen – dhe ai ka shumë kritikë si brenda ashtu edhe jashtë Gjermanisë – pak njerëz do të vënë në diskutim faktin që ai është shumë i përkushtuar ndaj detyrave që mban. Ai ka qenë pa ndërprerje deputet që nga viti 1972, duke qenë aktualisht deputeti më i vjetër në Bundestag.

As një atentat i kryer nga një i sëmurë mendor gjatë fushatës elektorale të vitit 1990, nuk arriti që ta ndalë karrierën e tij politike. Edhe pse që nga ajo kohë ai lëviz mbi një karrocë me rrota, atentati ndaj tij duket se vetëm sa ia forcoi ndjenjën e qëllimit në jetë.

Pas atentatit, Shojble, që ashtu si shumë kolegë të tij studionte për drejtësi, menaxhoi ribashkimin e Gjermanisë Perëndimore dhe Lindore, udhëhoqi ministri të ndryshme, dhe madje shërbeu si drejtues i partisë së tij, Kristiandemokrate (CDU).

Shumë njerëz e panë atë si pasardhësin e Helmut Kol. Por, ëndrra e tij për t’u bërë kancelar, u shkatërrua nga skandali i financimit të CDU, që e detyroi atë të dorëhiqej nga drejtimi i partisë në vitin 2000. Ai u pasua nga një politikane shumë ambicioze, Angela Merkel.

Pavarësisht përplasjeve të përsëritura me Merkel mbi gjithçka, që nga debati nëse Greqia duhej të largohej apo jo nga eurozona tek politika mbi refugjatët, Shojble i ka qëndruar besnik kancelares.

Por kjo devotshmëri nuk ka qenë gjithmonë e ndërsjellë. Merkel ia mohoi Shobljes ëndrrën e tij për t’u bërë president i vendit, duke e anashkaluar vazhdimisht. Pastaj në vitin 2017, ajo i kërkoi atij të hiqte dorë nga posti i ministrit të Financave për t’u bërë drejtues i Bundestagut.

Edhe pse posti i dytë më i lartë për sa i përket protokollit (pas presidentit), ai është një rol kryesisht administrativ. Por falë staturës së tij, Shojble i ka dhënë këtij posti një prestigj të ri.

Po ashtu ai ka arritur të demaskojë retorikën e Alternativës për Gjermaninë të ekstremit të djathtë, aktualisht grupi më i madh opozitar në Bundestag. Shojble ka mbetur aktiv edhe në politikën e brendshme të CDU-së. Pasi nuk arriti të vendoste në krye të partisë njeriun e tij të afërt, Friedrih Merc, ai mbështeti fituesin Armin Lashet të siguronte nominimin e bllokut konservator për postin e kancelarit, në kushtet e një sfide nga udhëheqësi i CSU-së, partia simotër bavareze.

Edhe nëse Shojble mishëron një ushtar të mirë proverbial, ai nuk heziton që t’i tregojë botës se si ndihet vërtet. Gjatë intervistës që zhvillova me të në sallën e pritjeve, ai vuri në shënjestër politikën e emigrimit që ka sot Evropa, duke thënë se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare kanë rënë shumë poshtë.

Sipas tij Evropa duhet të jetë më fleksibile në qasjen e saj ndaj realiteteve në vendet individuale anëtare, sidomos kur bëhet fjalë për refuzimin e grupeve të caktuara etnike ose fetare. “Nëse dikush thotë:Në traditën e vendit tonë është e vështirë t’i shpjegohet popullatës se do të pranojmë një numër të madh myslimanësh, duhet të thuhet “Ok”, atëherë le të bisedojmë rreth mënyrës se si mund të kontribuosh”- thotë Shojble.

Ndërkohë, ai përsëriti shqetësimin e tij rreth mënyrës se si vendet anëtare kanë planifikuar të shpenzojnë paratë, që do të marrin nga fondi i BE për rimëkëmbje nga pandemia. “Nëse ne i përdorim këto 750 miliardë euro për të hapur vrima në buxhet, në vend të investimeve mbi të ardhmen, atëherë ky fond nuk do të sjellë ndonjë ndryshim”- paralajmëroi ai.

Nga ana tjetër ai shprehet optimist mbi të ardhmen e Evropës, dhe e mirëpret normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara nën presidentin Xho Bajden. Ai sinjalizoi mbështetje për një qasje më të ashpër kundër Kinës, sesa ajo e shprehur nga Merkel apo Lashet.

“Askush nuk duhet të përpiqet që të sundojë botën”-deklaroi tha ai, duke shtuar se Kina duhet t’i përmbahet marrëveshjeve të saj ndërkombëtare. ”Amerika ka nevojë për më shumë partneritet evropian, por kur amerikanët kanë të drejtë, ata kanë të drejtë”- shtoi ai.

Ai është i pari në listë në zonën elektorale të tij në Gjermaninë Jugperëndimore në zgjedhjet parlamentare të shtatorit. Edhe pse më popullor se kurrë më parë në Gjermani, Shojble është i bindur se ka ndërmend të mbetet kryetar i Bundestagut, duke thënë vetëm:”Më pëlqen puna që bëj!”. / “Politico.eu” – Bota.al

Back to top button