Nga Pierre Briançon
Paris – Kushdo që ka jetuar në Londër e di se “Evropa” për britanikët, si ferri për Zhan Pol Sartrin, është diçka tjetër:Kontinenti, përgjatë Kanalit. Pastaj, nuk ka gjë tjetër, veçse Bashkimit Evropian, në të cilin Mbretëria e Bashkuar është formalisht pjesë, dhe përherë me një status ambivalent. Draft-marrëveshja mbi ndryshimet në union, të kërkuara nga Mbretëria e Bashkuar dhe e zbuluar të martën nga Donald Tusk, ka për qëllim të zgjidhur problemin e Britanisë në BE.
Në këmbim, evropianët janë duke u kërkuar britanikëve të zgjidhin problemin e tyre të Evropës.
Donald Tusk, ish-kryeministri polak që tashmë ëshë President i Këshillit Evropian, e lexoi letrën e tij si një kartolinë të hershme për Shën Valentinin nga Brukseli për Londrën. Marrëveshja është pritur me tallje nga shtypi tabloid britanik, me zhgënjim nga euroskeptikët në partinë e kryeministrit konservator Dejvid Kameron, dhe ironi nga ana e Partisë Laburiste në opozitë. Por nëse shihet nga afër propozimi, përtej zhargonit të tij teknik, dhe pavarësisht sesa të kufizuara mund të duken “lëshimet” e BE-së, Evropa është duke u përpjekur t’i tregojë Londrës se sa shumë dëshiron ta mbajë atë në union.
Ankthet kontinentale
Rritja në muajt e fundit të kampit të “Brexit” në sondazhet e zhvilluara në Mbretërinë e Bashkuar, filloi të shkaktojë shqetësime të mëdha në kryeqytetet e tjera evropiane, në kushtet kur largimi i Britanisë qe një mundësi reale, dhe jo vetëm një kërcënim. Ato sinjale shkaktuan paralajmërime të tmerrshme, siç qe ai i kryeministrit francez Manuel Vals , i cili e quajti largimin e mundshëm të Mbretërisë së Bashkuar si një “tragjedi”, apo nga ish-komisioneri i BE-së dhe drejtori aktual i Organizatës Botërore të Tregtisë, Paskal Lami, i cili tha se do të ishte thjesht “katastrofike”.
Ajo gjithashtu shkaktoi një përshpejtim të bisedimeve në javët e fundit, ndërmjet Kameron dhe Tusk dhe ndihësve të tyre, dhe që ka prodhuar tashmë marrëveshjen që gjendet në tryezë. Tanimë që debati Brexit është ekspozuar deri në rrënjë:A duan britanikët të qëndrojnë në BE apo jo?”
“Debatet nuk kanë qenë mbi aspektet teknike të kërkesave britanike”- është shprehur një diplomat i lartë francez. “Ato qenë vetëm një justifikim për t’i dhënë Kameronit një shans për të bërë fushatë në temën ‘e reformimit’ të BE”. Homologët e kryeministrit britanik ishin gati, në pjesën më të madhe, për të lënë atë ta paraqesë veten si promotor i ‘reformave’ tashmë gati për dritën jeshile – duke përfshirë një ngrirje të ekuilibrit rregullator, ironikisht i mbrojtur nga kreu i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, emërimin e të cilit në vitin 2014, kryeministri britanik e kundërshtoi ashpër.
Udhëheqësit evropianë ishin gjithashtu të gatshëm të pranonin se Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për risigurime, të mos jetë në pakicë sa i përket çështjeve financiare. Ky mund të ishte rasti, nëse eurozona e integruar do të ishte tubuar kundër anëtarëve që s’janë pjesë e euros. Është një shqetësim që edhe ministri francez i Financave Mishel Sapin, është shprehur se e “kupton”. Propozimi i BE-Britani, përjashton mundësinë që diferencat në politikat ekonomike në nivelin e ministrave të Financave të mund të ngrihen në Këshillit Evropian – klubin e udhëheqësve kombëtarë të BE-së, që tanimë takohet me një shpeshtësi dhe urgjencë në rritje.
Të gjitha detajet nuk janë trajtuar, dhe të gjitha hapësirat e zbrazëta nuk janë plotësuar, kështu që disa vatra grindjesh janë ende aktive. Mënyra se si Mbretëria e Bashkuar do të lejohet për të aplikuar në të ashtuquajturin “pezullimin emergjent” të përfitimeve në punë për emigrantët, mbetet e kontestuar nga vendet e Evropës lindore, sidomos nga Polonia. Edhe Parlamenti Evropian mund të dëshirojë të përfshihet në një fare pikë, çka do t’i komplikojë gjërat.
Asnjë nga hapat që janë duke u konsideruar nga bashkimi monetar, nuk duhet të paraqesin probleme për Londrën. Në formën akrtuale “pezullimi emergjente” i jep Mbretërisë së Bashkuar të drejtën e papranueshme dhe të njëanshme për të diskriminuar qytetarët e BE-së. Këtu sërish, letra e Tusk thjesht ofron premtim për të folur, negociuar, gjetur kompromisin dhe ecur përpara- shumë nga ajo që procesi evropian ka qenë që nga krijimi i Komunitetit të Qymyrit dhe Çelikut Europian në vitin 1951.
Tusk dhe udhëheqësit e tjerë evropianë, të cilët kanë punuar mbi marrëveshjen, kanë qenë mjaftueshëm të zgjuar për të lënë disa hëpësira manovrimi në projekt-propozimin për Kameron për të kërkuar disa lëshime shtesë – duke i dhënë atij një shans për t’u pare nga publiku britanik si një hero pushtues.
Brexit si çmenduri
Strategjia është dëshmuar si parashikuese, në dritën e reagimit ndaj propozimit në Britanisë, nga e majta në të djathtë. Pasi Kameron tha se mund të “bashkohej me BE-në” mbi këto kushte – një zgjedhje e çuditshme e fjalëve, për një vend që mbetet “brenda” të paktën për momentin – ai ende mund të shpresojë të marrë pak më shumë nga udhëheqësit e BE-së, në samitimin e 18-19 shkurtit në Bruksel.
Nëse një marrëveshje do të arrihet në atë mbledhje, apo do të vonohet deri në mars, kjo mbetet për t’u parë, edhe pse janë shtuar shpresat se pakti mund të arrihet brenda këtij muaji, ka thënë një burim diplomatik francez. Por në letrën e Tusk ka një tjetër mesazh për Britaninë e Madhe:Ne mund t’iu duam shumë, jeta s’do të ishte e njëjtë pa ju- por kjo nuk ka të bëjë vetëm me ju. As Franca dhe Gjermania nuk dëshirojnë – apo mund ta përballojnë – të bëjnë Brexit një çështje kryesore në këtë moment.
Situata e refugjatëve, sulmet terroriste, dhe një krizë ekonomike e vazhdueshme, e rrëmbejnë të gjithë përparësinë. Përveç kësaj, thonë zyrtarët, rasti për Evropën mund të jetë e besueshëm në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm nëse shqytohet veçmas kërkesave aktuale britanike. Mbështetësit e fushatës për qëndrimin në union, kanë argumentuar se rasti për të mbetur në BE qëndron më vete, pa marrë parasysh sa prej reformave të Kameron mund të pranohen.
Ndërkohë avokatët e linjës së ashpër të Brexit, ku përfshihen disa prej ministrave të vetë Kameron, kanë treguar prej kohësh se do të bëjnë fushatë për ta lënë BE-në, pavarësisht rezultatit të bisedimeve me Brukselin. Përqëndrimi tek çështja kryesore, ndodh të përkojë me mesazhin e Brukselit për Londrën:Lëri mënjanë për një moment aspektet teknike, dhe tregoji Evropës si ndihesh realisht!
“Politico.eu” – Në shqip nga bota.al