BotaMAIN

Britani e Madhe / Gratë, së shpejti në pushtet

Liz Truss përgjegjëse për Punët e Jashtme, Nadine Dorries, Ministrja e Kulturës, Angela Rayner numri dy i Punës … Të gjitha ambicioze dhe në garë për poste drejtuese. Sigurisht, shumë varet nga fati i Boris Johnson. I cili është në duart e një gruaje tjetër, Sue Grey: zyrtarja që heton festat e ndaluara në Downing Street.

Tetorin e kaluar, kamerat e kapën tek vizitonte Bristol Aerospace, duke buzëqeshur me publikun, së bashku me Boris Johnsonin, e zhvendosur pak më përpara, si në një garë. Liz Truss është një nga gratë kryesore në politikën britanike, e gatshme për të rrëzuar liderët e vet. Në një vend që ka pasur dy herë gra në krye të qeverisë, ato presin vetëm rastin e duhur dhe nuk kanë frikë nga asgjë, për të shkuar në vendin e parë.

Ndërsa kryeministri Boris Johnson lëkundet, i trazuar nga skandalet e festave në shoqëri, kur bashkatdhetarët e tij ishin mbyllur në shtëpi në izolim, ministrja e Jashtme, me përgjegjësi për Brexit vazhdon të vrapojë dhe është gati të përdorë arritjet e saj, për të fituar sfidën e radhës për lidershipin e partisë. Sondazhet e tregojnë krah për krah me Rishi Sunak i cili vetëm pak muaj më parë ishte i paracaktuari si pasardhës në krye të partisë.  

Por Liz, 46 vjeç, gjithmonë ka menduar se mund t’ia dalë, edhe kundër heroit që shpëtoi ekonominë britanike. Ajo mund të mburret me një nga karrierat më të gjata aktuale politike, me poste ministrore nën të gjitha qeveritë konservatore, nga Cameron tek May e deri te Johnson.

E rritur në një familje të arsimuar dhe të qendrës së majtë (babai i saj ishte mësues matematike, nëna e çoi në protestat anti-bërthamore), zonja tashmë është riemërtuar nga analistët politikë si “Thaçeri i ri”, një pseudonim që herët a vonë prek të gjitha femrat në karrierë në parti. Jo se ajo nuk bën të vetën, për të theksuar ngjashmërinë me Zonjën e Hekurt: me rastin e Krishtlindjeve të fundit, kartolina e saj e urimit fotografonte një ambicie të pamasë, e shfaqur pa turp: ulur në dhomën e punës të shtëpisë së saj në Greenwich, kompletuar me oxhak të ndezur dhe flamurin kombëtar që pikasej qartë pas shpine, ajo dukej se kishte arritur tashmë në vijën e finishit. Në të njëjtën Krishtlindje, Boris Johnson zgjodhi të uronte zgjedhësit e tij me një foto të qenit të tij të vogël e shumë të dashur.

Por zonja nuk është ajo që përqendrohet te humori për të fituar, ajo preferon qasjen pragmatike me të cilën ndjek qëllimet, cilatdo qofshin ato. Zgjidhja e nyjës irlandeze, në frontin e Brexit, është arma e saj më e fuqishme, për të zëvendësuar një Johnson që shumë e konsiderojnë të jetë në fund të radhës. Pas braktisjes së paraardhësit të tij Lord Frost, ai adoptoi një praktikë më të butë me Evropën për të thyer ngërçin në negociata, për të rivendosur qetësinë e përkohshme në Irlandën e Veriut dhe për të lejuar Londrën dhe Brukselin të rifillojnë të flasin, pa spektrin e çarjeve të reja, për të hapur më pas një front të përbashkët kundër kërcënimeve nga Kina dhe Rusia.  

Ditët e fundit, politika e tij ka çuar në një konferencë të përbashkët shtypi – e para pas disa muajsh grindjesh – në të cilën nënkryetari i Komisionit Evropian Maros Sefcovic ka folur për mundësinë e “një marrëveshjeje në kohë, nëse ruhet vullneti i mirë politik”.

Në fund të fundit, Liz, në referendumin e 2016-ës kishte votuar për të qëndruar në BE; më shumë sepse mendonte se do ta fitonte këtë rol, sesa me bindje, thonë thashethemet. Por tani ajo duhet të jetë e kujdesshme që të mos imitojë anëtarët më të ashpër të Brexit, nëse vërtet dëshiron të fitojë kreun e partisë. Ndërkohë, teksa në shtëpi po masakrohej shefi i saj nga polemikat, ajo qëndroi në distancë, duke dhënë përfundimisht mbështetjen e saj, vetëm që të mund të bënte publikisht thirrje për “një ndryshim kulture në Downing Street”.

Një lëvizje që Nadine Dorries, Ministre e Arteve, Dixhitalizimit dhe Kulturës, sigurisht që i qorton, duke pasur parasysh se sa shumë po bën ajo për të mbajtur BoJo në post. Media kombëtare rrëfen se meqë shpërtheu “bomba” e gjoja shantazhit nga kamxhikët (deputetët që bëjnë lidhjen mes deputetëve të tjerë dhe kreut të partisë), ajo po punon furishëm në prapaskenë për të bindur rebelët që të mos i paraqesin kryeministrit kërkesat e mosbesimit, të cilat po grumbullohen në tryezën e komisionit të brendshëm parlamentar.

Dhe në të njëjtën kohë arriti kulmin e përplasjes me BBC-në, e cilësuar si “fajtore” për armiqësi ndaj qeverisë, duke ngrirë shumën e tarifës së licencës për dy vitet e ardhshme, dhe duke kërcënuar me anulimin e saj menjëherë më pas. Nga kjo ish-infermiere e klasës punëtore, në të kaluarën e pezulluar përkohësisht nga partia për shkak të pjesëmarrjes në versionin televiziv britanik të Ishullit të të Famshmëve, Boris Johnson nuk ka frikë nga goditja, të paktën në të ardhmen e afërt. Trashëgimia e saj kulturore dhe familjare forcon lidhjen me shtresat më të varfra dhe më populiste të elektoratit. Nëse Johnson mund të përballojë të injorojë çmimin e qumështit, kjo ndodh sepse ajo e di dhe mburret se mund të thotë atë që mendon, edhe kur nuk është aspak e vërtetë. Dhe ka shumë afërsi karakteriale dhe personale midis kësaj “ushtareje të kryeministrit” dhe koleges së saj në sportelet përballë Westminster, numri dy laburist, Angela Rayner.

Vetëm se ajo, të moderuarin Sir Keir Starmer, e frikëson më shumë se djalli. Tani për tani, lideri i opozitës është i zënë me frenimin e ambicieve të nxënëses së tij, e cila po rezulton shumë më e rrezikshme se sa pritej. E rritur në Stockport, në një banesë sociale në lagjet e varfëra të Mançesterit, me një prind bipolar për të cilin ajo kujdeset që në moshën 10-vjeçare, kjo nënë beqare që e la shkollën kur mbeti shtatzënë në moshën 16-vjeçare, u zgjodh në Westminster në vitin 2015. Vullneti prej çeliku!

Ministre hije me Jeremy Corbyn, ajo kandidoi për nënkryetare pas katastrofës zgjedhore të vitit 2019, duke u bërë krahu i djathtë i Starmerit, me një mandat të brendshëm unanim. Ajo bëri “punën e pistë” për të, duke thënë atë që Sir Keir nuk mund ta kishte thënë kurrë. “Konservatorët janë llum, një tufë mizogjinësh, racistësh” ishte një nga deklaratat e saj më të ndezura dhe më kontroverse. Starmer u përpoq ta nxirrte jashtë në një riorganizim, për të cilin ajo as nuk ishte në dijeni, por ishte i pasuksesshëm. Dhe tani që partia ka erën në velat e veta, zonja i ka thënë transmetuesit amerikan CNBC: “Do të ishte një nder për mua të hyja në Downing Street me Keir”. Dhe nëse ajo shkon atje si kryeministre, e pyeti gazetari.  “Kurrë mos thuaj kurrë”, ishte përgjigja.

Sigurisht, gjithçka do të varet nga fati i Boris Johnsonit, i cili është në duart e një gruaje, më e fuqishmja: Sue Grey, nëpunësja e lartë civile e ngarkuar me hetimin e festave në Downing Street gjatë izolimit. Emri i saj më parë ishte i njohur vetëm për personat e brendshëm, por ish-ministri i kabinetit Oliver Letwin e ka quajtur atë “personi që drejton Britaninë e Madhe”.  

Dhe nëse ajo e drejton si pijetoren e Irlandës Veriore që zotëronte prej disa vitesh, në periudhën e trazirave, me burrin e saj, ku katolikët dhe protestantët mblidheshin për të pirë, atëherë do të shohim disa të mira. Grey mund të mos jetë në gjendje të largojë Johnsonin, por raporti i saj (i cili tashmë ka nisur një hetim policor për rastin) mund t’i japë fund karrierës së tij politike. Edhe për faktin se, kryeministri me shtatë jetë do të duhet ta bëjë publike herët a vonë. / Panorama Italia – Bota.al

Back to top button