Bota

BRITANI E MADHE / Raporti mbi Irakun gozhdon Blairin: “Lufta ndaj Sadamit armatosi terroristët”

Sipas komisionit anglez, të kryesuar nga Sir John Chilcot, lufta e Britanisë së Madhe në anën e Shteteve të Bashkuara në vitin 2003 nuk ishte e nevojshme. Blair paraqiti prova “të pasakta” për armët kimike

Screen Shot 2016-07-07 at 09.09.11

Pushtimi nga Mbretëria e Bashkuar e Irakut në vitin 2003 nuk ishte “opsioni i fundit.” Në këtë përfundim ka arritur komisioni britanik i kryesuar nga Sir John Chilcot, vendimi i të cilit pritej prej shtatë vjetësh, dhe ka të ngjarë të shkaktojë një tërmet në politikën ndërkombëtare të Britanisë dhe SHBA-së.

Sipas raportit, Britania e Madhe hyri në luftë “pa u përpjekur për të gjetur një zgjidhje alternative”. Në Uestminster, Chilcot tha se rrëzimi i Sadam Huseinit “minoi autoritetin e OKB-së” dhe se veprimet ushtarake u vendosën me ndihmën e raporteve “të mangëta” të inteligjencës. Për të mos përmendur se planet e ndërhyrjes ishin “të pamjaftueshme”. Praktikisht, Tony Blair paraqiti si të sigurta, disa të dhëna të zbulimit si dhe vlerësime “të pabazuara”, sipas të cilave Sadam Husseini zotëronte armë të shkatërrimit në masë. “Nuk u vunë në dyshim – tha Chilcot – por duhej të ishin vënë”.

“Lufta nxiti terrorizmin”

Më tej, kreu i Komisionit ka akuzuar qeverinë e kryesuar nga Tony Blairi se kishte nënvlerësuar pasojat e mundshme të konfliktit. “Në qoftë se lufta – tha ai – do të ishte e drejtë, Mbretëria e Bashkuar mund (dhe duhej) të ishte më e përgatitur për ngjarjet që pasuan”, pavarësisht Blairi u paralajmërua nga disa shenja të qarta, se veprimet ushtarake do të rrisnin rrezikun nga al-Kaeda në Mbretërinë e Bashkuar dhe ndaj interesave britanike. Ai ishte paralajmëruar gjithashtu se një pushtim mund të bënte që armët dhe kapacitetet luftarake irakene, mund të përfundonin në duart e terroristëve”. Ta themi thjesht, me pak fjalë, lufta kundër Sadamit shërbeu vetëm për të nxitur terrorizëm, duke i siguruar armë. Dhe këtë, Mbretëria e Bashkuar e dinte.

“Pushtimi britanik i Irakut në vitin 2003 ishte një fatkeqësi, dhe ka pasur pasoja negative deri në ditët e sotme: ka shkaktuar, që nga 2009, vdekjen e mbi 150 mijë irakianëve, ndoshta shumë më tepër, kryesisht civilë, ndërsa më shumë një milion kanë lënë shtëpitë e tyre”. Pa marrë parasysh trashëgiminë e terrorizmit ndërkombëtar.

Por Blairi vazhdon edhe sot që të hedhë poshtë akuzat: “Unë nuk mendoj – tha ai në përgjigje të raportit – se heqja e Sadam Huseinit është shkaku i terrorizmit që ne shohim sot në Lindjen e Mesme, apo diku tjetër”. Më tej, ai mbrojti sërish “vendimin e vështirë dhe të dhimbshëme”, duke thënë se “bota ka qenë dhe është një vend më i mirë pa Sadam Huseinin”./Il Giornale-bota.al

Leave a Reply

Back to top button