Bota

Brukseli pas Parisit. Përse goditën sërish

Screen Shot 2016-03-22 at 21.52.25

Nga Guido Olimpio

Autoritetet prisnin surpriza pas arrestimit të Salah Abdeslam, por nuk mundën të parandalojnë goditjen sepse mbrojtja ishte “tejngopur”, e zhytur në hetime, alarme, indikacione. Një sulm i cili ka mundur të nxjerrë sërish në pah problemet strukturore të aparateve të sigurisë në Belgjikë. Dhe jo vetëm kaq. Ja cilat janë, për momentin, pikat ku mund të ndalemi.

Rrjet shumë i gjerë

Rrjeti aktiv në Europë është shumë i gjerë. Belgët në këta muaj i kanë përqëndruar forcat e tyre në ndjekje të të kërkuarve, kanë kryer shumë operacione në mjedise ekstremistësh por është e qartë se dija e armikut është e kufizuar. Dhe Belgjika është vërtetuar hallka e dobët. Në fund të fundit, fakti që Salah kishte mundur të fshihej për muaj të tërë në vendin ku jetonte, nuk ishte aspak shenjë e mirë.

Aksi Belgjikë – Francë

Kriminelët kanë treguar në të kaluarën se mund të vendosen në shumë vende. Abdeslami, përpara sulmeve në Paris, ka vizituar Italinë, Austrinë, Gjermaninë, Hungarinë. Në secilin prej këtyre vendeve janë shfaqur elementë interesantë mbi praninë e militantëve. E ndërlikuar t’i ndjekësh të gjithë, aq më shumë të përdorësh këta elementë për një panoramë të saktë. Hetimet për masakrën e 13 nëntorit kanë nxjerë në dukje se si vrasësit kanë vepruar në aksin Belgjikë-Francë: janë përgatitur në njërin vend dhe kanë goditur tjetrin. Kjo gjë i ka ndihmuar të kalojnë nën radarë.

Xhihadistë në kthim nga Kalifati

Numri i xhihadistëve të rikthyer nga Kalifati është rritur. Dhe jo vetëm në Europën veriore. Kjo gjë ka detyruar forcat e sigurisë që të ndjekin shumë pista, jo gjithmonë të vlefshme. Disa prej këtyre “veteranëve” kanë riaktivizuar sigurisht kontaktet, duke rritur kështu mundësinë e hedhjes në sulm. Një situatë e cila prodhon një terrorizëm hibrid, i cili kombinon muxhahedinët ekspertë dhe të tjerë më pak të përgatitur, por gjithësesi në gjendje që të vepronin me sulme të njëkohshëm dhe të koordinuar.

90 ushtarë

Abdelamid Abaaoud, koordinator i 13 nëntorit, kishte thënë se në Europë ishin 90 “ushtarë” të Kalifatit, njerëz që janë infiltruar në vitin 2015. Një numër ndoshta i ekzagjeruar, por që ishte sinjali i asaj që do të ndodhte. Ndoshta janë vënë në lëvizje nga frika se mos Abdeslam do të nxirrte hollësi të rëndësishme, apo do jepte emrat e tyre: lajmërimi i avokatit të tij se ai po bashkëpunonte me autoritetet nuk ishte vetëm një lajm, por edhe një mesazh. Të mos harrojmë se dy figurat që konsiderohen më të rëndësishme në rrjet, Mohammed Abrini dhe Soufiane Kayal, janë ende në liri. Dhe bëhet fjalë për personazhe shumë të rrezikshëm./CdS – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button