Analiza

Brzezinski: NATO duhet ta ndalë Putinin

Nuk duhet ta lejojë që të rikthejë perandorinë cariste. Rusia po e dobëson kaq shumë veten, saqë një prej pasojave do të jetë që do të bëhen satelitë të kinezëve! Dhe kjo do të jetë në dobi të Perëndimit. Udhëheqja kineze është racionale dhe përllogaritëse. Udhëheqja ruse me Putinin është irracionale, emocionale, e gabuar dhe e rrezikshme

Russia KremlinZbigniew Brzezinski, i cili ka qenë këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit Jimmy Carter, mbetet një prej strategëve më të mirë të Amerikës, që prej kohërave të Luftës së Ftohtë. Në këtë intervistë me Nathan Gardelsin e Huffington Post, ai flet një natë para samitit të NATO-s në Uells.
Në dritën e krizës në Ukrainë, aleatët e NATO-s në samit do të shpallin krijimin e një force të dërgimit të shpejtë prej 4000 trupash, për t’iu përgjigjur çdo rreziku ndaj ndonjë prej anëtarëve të saj në periferinë e Rusisë. Bashkë me sanksionet, a mjafton kjo për të frenuar Putinin?
Varet se si do të zgjidhet vetë situata në Ukrainë. Nëse dërgimi i forcave potenciale në shtetet balltike rrit sigurinë e tyre në të ardhmen e afërt, siguria e tyre do të vihet në pikëpyetje në muajt që do të vijnë, nëse kriza e Ukrainës do të zgjidhet në një mënyrë që e bën Putinin fitimtar dhe forcat demokratike në Ukrainë, humbëse dhe viktima. Dhe kjo ngre më pas pyetjen se sa të sigurtë do të jenë në terma kohëgjatë vendet përreth Rusisë, sidomos shtetet balltike.
Cfarë doni të thoni me “zgjidhet në një mënyrë që e bën Putinin fitimtar”?
Ajo që Putini po kërkon të bëjë është që të krijojë kaq shumë vështirësi dhe kaq shumë trazirë në Ukrainë, saqë qeveria ukrainase të bjerë dhe disa elementë banditë të mbështetur nga Putini të marrin pushtetin dhe të braktisin përpjekjet për ta çuar Ukrainën drejt perëndimit demokratik. Më pas, ata që do të marrin pushtetin do t’i bashkohen Putinit në marshimin për krijimin e Bashkimit Euraziatik. Ai Bashkim Euraziatik nuk është asgjë përveçse një emër i ri për ish Bashkimin Sovjetik, ose për ish perandorinë cariste.
Si do të ishte, sipas jush, një rezultat demokratik i krizës së Ukrainës?
Një lloj marrëveshjeje, në të cilën Ukraina shkon drejt një angazhimi më të thellë me Europën – por nuk kërkon të hyjë në NATO – ndërkohë që ruan një marrëdhënie ekonomike me Rusinë. Kjo do të ishte në dobi si të Ukrainës, ashtu edhe të Rusisë, pasi mund të rivendosen lidhjet normale tregtare.
A duhet të furnizojë NATO UKrainën me armë?
Nëse nuk e bën, do i dërgojë një sinjal Putinit se ai mund ta përshkallëzojë situatën si të dojë, me qëllim që të destabilizojë krejt Ukrainën.
A mendoni se është e drejtë pikëpamja e reformatorëve të epokës së Gorbaçovit – përfshirë edhe vetë Gorbaçovin, që ndihen “të tradhëtuar”, siç më ka thënë vetë Gorbaçovi, nga zgjerimi i NATO-s deri në kufijtë e Rusisë? Ky nuk ishte “mendimi i ri” për të cilin ai kishte rënë dakord me Perëndimin në fund të Luftës së Ftohtë, por një rikthim tek “mendimi i sferës së influencës”. Prandaj Gorbaçovi dhe të tjerë si ai mbështesin kundërveprimin e Putinit në Ukrainë.
Eshtë e kuptueshme që ata mendojnë sinqerisht se ky është një version i saktë i asaj që u diskutua në fund të Luftës së Ftohtë, e si pasojë është një argument legjitim që ata mund ta ngrejnë. Por duhet ngritur pyetja: “Cila ishte dëshira e një populli që, pas më shumë se 40 vitesh shtypjeje sovjetike, më në fund ndjeu lirinë?” Ata nuk donin që të ishin gurë shahu mes një Perëndimi që merrte fund diku në kufijtë e Gjermanisë Perëndimore të dikurshme dhe një Rusia që po ringrihej. Ata donin të ishin pjesë e perëndimit demokratik, dhe me kalimin e kohës, edhe të Bashkimit Europian. Këto janë aspirata legjitime. Ky nuk është kërcënim për Rusinë – përveç se për ata rusë që nuk e konceptojnë dot Rusinë, përveçse si një perandori dominuese që sundon jo vetëm mbi popullin rus, por edhe të gjithë ata popuj në fqinjësinë e Rusisë.
Sado të justifikuara të jenë sanksionet, apo edhe veprimi ushtarak i NATO-s kundër Rusisë, a nuk është pasoja e kësaj një shtytje e Rusisë drejt Kinës, në një bllok antiperëndimor?
A nuk do të ishte gjë e mençur që Rusia të “rihapej” me Kinën – siç bëri Niksoni në kohën e sovjetikëve – me qëllim që të krijojë një hendek në këtë bllok, përpara se ai të konsolidohet?
Pikësëpari, ne nuk jemi në një pozicion që të manipulojmë politikën kineze. Megjithatë, unë nuk e mbështes argumentin që, ajo që po ndodh, po krijon një marrëdhënie më të fortë kino-ruse. Mendoj se kinezët po shikojnë me shumë kujdes atë që po ndodh. Ata nuk e mbështetën Rusinë në OKB, kur ishte një votim shumë i rëndësishëm sa i përket sjelljes së Rusisë. Në të njëjtën kohë, ata po rrisin heshturazi ndikimin e tyre mbi Azinë Qendrore dhe nuk mbështesin përfshirjen e vendeve si Kazakistani, në një union të ri me Rusinë. Kinezët po luajnë një lojë të zgjuar dhe po përfitojnë nga kriza e Rusisë me Perëndimin. Ata arritën nëj marrëveshje fantastike me rusët për energjinë, sepse rusët nuk kishin zgjidhje tjetër, përveçse t’u dorëzoheshin kushteve të tyre.
Pra, çdo rus që mendon se Kina do të reshtohet krah tyre kundër Perëndimit, do të zhgënjehet?
Po, po kërkojnë më kot. Rusia po e dobëson kaq shumë veten, saqë një prej pasojave do të jetë që do të bëhen satelitë të kinezëve! Dhe kjo do të jetë në dobi të Perëndimit. Udhëheqja kineze është racionale dhe përllogaritëse. Udhëheqja ruse me Putinin është irracionale, emocionale, e gabuar dhe e rrezikshme.

Leave a Reply

Back to top button