Analiza

Bukuria e momentit

1_momentum-716

T’i dorëzohesh çastit është madje e drejtë. E dinin mirë indianët e Amerikës. Zakonet dhe tregu na shtyjnë që të djegim eksperiencat dhe objektet në një moment, duke iu kundërvënë një tradite të tërë perëndimore, e dedikuar ndaj idesë së qëndrueshmërisë në kohë. Por mund të mos jetë domosdoshmërisht kështu

“Çdo moment ka një vlerë të pallogaritshme”. Janë këshillat e një mësuesi të Zen, që quhej Takuan, dhe të cilat ia dërgonte një zotërie të madh, i cili mërzitej.

Gjenden në njërin prej atyre librave shumë të rrallë, të cilët në disa dhjetëra faqe, arrijnë të përmbledhin, nëse mund ta thuash, gjithë sa ka për të ditur: 101 histori zen, të mbledhura në vitin 1957 nga Nyogen Senzaki dhe Paul Reps. Një ungjill i vërtetë i tranzitores dhe të përkohshmes. Eshtë një dije shumë e lashtë, që përkthehet në rrëfime të këndshëm, shumë të shpejtë, iluminues. Por duke qenë vërtetë dije, pak rëndësi ka që është shumë e lashtë. Dhe akoma më pak peshë ka fakti që studiohet, e kuptuar si një prej abstraksioneve të shumtë të inteligjencës. Në fund të fundit, mund edhe ta injorojmë konceptin e “Zen”-it, që është një fjalë si cilado fjalë tjetër. Thelbësorja është që dikush, atë përvojë, ta eksperimentojë në mënyrë efektive, ta përjetojë vetë.

Më shumë se sa të transformojë një informacion, pra, një mësues i zoti si Takuan ka për qëllim të shkundë një burrë të rëndësishëm, i cili i ka kërkuar ndihmë. Ky person është i detyruarqë të rrijë me orë të tëra duke marë lëvdatat e personave që ka nën vete, ndërkohë që ditët i duken gjithnjë e më të gjata, pothuaj të patolerueshme. Ndërlikimet e etiketës japoneze kanë përfunduar duke e gënjyer shpirtin e tij, dhe mësuesit i duhet ta zgjojë nga një iluzion i keq.

E vërteta, i kujton Takuani zotërisë së pushtetshëm, është se koha është e cmuar, është si një gur i cmuar me vlerë të pallogaritshme, dhe nuk është asnjëherë më e gjatë nga sa duhet të jetë. Sekreti i vlerës së saj qëndron pikërisht në të zhdukurit pa lënë gjurmë. Jeta jonë është e përbërë nga ditë, mund të themi se duke jetuar nuk bëjmë gjë tjetër, vecse kalojmë nga një ditë tek tjetra, secili edhe më kalimtarse sa një fluskë sapuni. Nëse do të kishim mundësi ta ruanim në akull, një ditë, apo ta fusnim në kasafortë, nuk do të ishte kaq me vlerë.

Por këto histori orientale, ndonëse kaq të kristalta, kanë gjithmonë nevojë që të kuptohen në mënyrën e duhur, e cila nuk është gjithmonë ajo më e dukshmja. Nëse Takuani do të ishte mjaftuar duke i mësuar dishepullit të tij të mërzitur, dicka në lidhje me natyrën e luhatshme të kohës, nuk do të kish arritur asgjë të dobishme. Një hap përtej dijes, është mundësia për t’u shëruar. Nuk mjafton të vetëdijësohesh se cdo “schieggia di tempo” është speciale, dhe që është e vyer për arsye se është e luhatshme, dhe e anasjellta, është e luhatshme sepse është e vyer. Nëse kjo lloj dijeje është e rëndësishme, do të thotë që shërben për të korrigjuar një kundërthënie, e cili nuk është në botë, por tek njeriu që e percepton. Sepse mërzia jonë, apo trazira jonë, varen prej faktit që nuk arrijmë t’i ngjajmë kohës.

Iluzioni i vazhdimësisë që qeveris unin tonë, na pengon të shijojmë momentin, “gurin e cmuar”. Prej këtu burojnë mërzia dhe ankthi, dy motrat binjake që humbja jonë nuk lodhet kurrë së prodhuari. Dhe e bukura është që, për mendjen perëndimore, sëmundja është transformuar në një motiv krenarie. Qëndrueshmëria dhe koherenca e karakterit dhe reagimet e tij konsiderohen të denja për t’u respektuar, ndërkohë që cdo gjendje e përkohshme e identitetit, futet në sferën e aksidentales dhe kapricios. Jo vetëm kaq, por të gjitha besimet fetarë që parashikojnë një bilanc në jetën e përtejme, të fajeve dhe meritave të akumuluara gjatë jetës, na dënojnë të jemi vetja jonë edhe përtej kufijve të vdekjes, që në fakt duhet të na clirojë një herë e mirë nga të gjithë barrat. Por edhe kultura laike, rrallëherë është lëshuar nga ideja që, kohëzgjatja e identitetit dhe gjatësia e proceseve të tij janë një garanci, madje një patentë për fisnikëri. Sikur të jetë e mundur të demonstrosh që, ajo gjë vërtetë e rëndësihsme që ndodh brenda nesh ka nevojë për një kohë të gjatë si dhe për guximin, me të cilin kapemi fort pas idesë fikse të asaj që ne jemi. Zhvlerësimi moral i të përkohshmes dhe kohëshkurtërës, pra, ka rrënj teologjike në gjendje të hedhë rrënjë  edhe në një botë të laicizuar.

Një ide shumë të qartë ilustruese e jep tmerri i të bardhëve të një herë e një kohe, misionarë dhe udhëtarë, përballë disa lloj tipareve psikologjike dhe sjelljeve të qytetërimeve indigjenë, që konsideroheshin “primitive”. Në një studim të tijin mbi imazhin e indianëve në letërsinë amerikane, Elemire Zolla ndalet në faqet e një prej këtyre vëzhguesve, i cili shprehet i indinjuar për ndryshimin e shpejtë dhe të shpeshtë të ndjenjave të lëkurëkuqve, të cilët brenda pak minutash mund të kalojnë nga dhimbja për një mik të vdekur, tek dëshira për hakmarrje dhe më pas, tek gëzimi i festës. Në këndvështrimin e kolonëve puritanë, kjo dhënie pas momentit është një shenjë e dukshme e inferioritetit moral të vendasve. Sic e shpjegon shumëmirë Zolla, “indiani e refuzon “koherencën tonë të organizueshme, të shfrytëzueshme të kohës, të cilën ai përkundrazi, dëshiron ta mbajë jo të vazhdueshme”.

Nuk ekziston një motiv në botë për t’i atribuuar më shumë dinjitet ndryshimeve të ngadaltë të humorit. Dhe megjithatë, nëse e mendojmë më thellë, gabimi në vlerësim i atyre eksploratorëve të vjetër të Amerikës mbijeton, ndoshta pa konotacione raciste, në arsyen tonë të përbashkët. Për një person që e merr shumë shpejt veten nga dhimbja, kemi prirjen të mendojmë që është sipërfaqësor, që e tija nuk ka qenë dhimbje e vërtetë. Dhe nëse merr për një kohë të gjatë një lajm të mirë, apo nuk ka një fat të papritur, ne themi: “Nuk e meritonte”.

Në debatin politik apo kulturor, fakti që ke menduar dicka që njëzetë apo pesëdhjetë vjet më parë, që e ke menduar para të gjithëve, është një motiv krenarie dhe propagande. Eshtë shumë më e rrallë frika që, fiksimi i tepruar i një opinioni mund të jetë tregues budallallëku: e megjithatë, përvoja duhej të na kish treguar të kundërtën. Për një figurë mashkulli të admirueshëm themi që, nga lindja deri në vdekje, “ka qenë i njëjti”. Dhe në mënyrë të ngjashme, e vetmja dashuri vërtetë e rëndësishme është ajo që shpallet e përjetshme. Në etiketat e biskotave apo pijeve, lexojmë që ai produkt është i mirë, sepse e prodhojnë që nga viti 1880. Dhe besojmë kollaj. Por këta reflekse të kushtëzuar të mendimit dhe të moralit janë të bazuar mbi bindje krejt arbitrare. Në realitet, cdo formë mosvazhdimësie korrespondon me një nevojë jetike të papërmbajtshme, dhe dhe nuk ka sens faji që mund të na pengojë të pranojmë që ata lëkurëkuqtë, që aq shumë skandalizonin të tjerët prej karakterit të përkohshëm të gjejndjeve të tyre shpirtërore, në të vërtetë e jetonin plotësisht jetën e tyre, dhe ndoshta duhet të përpiqemi t’i imitojmë.

La Lettura – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button