Fragment nga “Xha Gorio” i Balzakut
– Asnjë nga bijat nuk do të vijë! – tha Rastinjaku. – Do t’u shkruaj nga një pusullë të dyjave.
– Asnjëra! – u përgjigj plaku, duke u ulur shesh. Kanë punë, flenë, nuk do të vijnë. E dija unë. Duhet të vdesësh, që të kuptosh se ç’janë fëmija… Ah, miku im, mos u martoni, mos bëni fëmijë…! Ne u japim atyre jetën, ata na japin vdekjen. Ne i sjellim në botë, ata na dëbojnë. Nuk do të vijnë, jo! Unë kam dhjetë vjet që e di këtë. E thosha nganjëherë me vete, po s’kisha guxim ta besoja.
Dy pika lot iu rrokullisën nga sytë e i mbetën në zgavrat e skuqura.
– Ah, po të isha i pasur, po ta kisha ruajtur pasurinë time e të mos ua kisha dhënë, ato do të ishin këtu, do të më lanin faqet me të puthura! Do të banoja në një pallat, do të kisha dhoma të bukura, shërbëtorë, zjarr për t’u ngrohur dhe ato do të ishin këtu, me lot për faqe, me gjithë burrat dhe fëmijët e tyre. Do t’i kisha të gjitha. Kurse tani s’kam asgjë! Paraja të jep gjithçka, edhe vajzat. Oh! ku janë paratë e mija? Sikur të kisha thesare për të lënë, ato do të më rrinin te koka, s’do të dinin ç’të më bënin më parë, do t’u dëgjoja zënë, do t’i shikoja. Ah, biri im i dashur, djali im i vetëm, më mirë që mbeta i braktisur dhe në mjerim! Të paktën, kur e duan fatzinë, ai është i sigurt që e duan me gjithë shpirt. Jo, desha të isha i pasur, do t’i kisha parë! Për besë, kushedi? Ato të dyja kanë zemër prej guri. Kaq e madhe ishte dashuria ime për to, saqë s’mbetej vend për dashurinë e tyre ndaj meje. Një atë duhet të jetë gjithmonë i pasur, duhet t’i mbajë për freri fëmijët e tij, si kuajt e hazdisur. Kurse unë rrija në gjunjë para tyre. Faqezezat! Po e kurorëzojnë denjësisht sjelljen që kanë treguar ndaj meje këto dhjetë vjetët e fundit. Nuk e dini ju se sa kujdeseshin ato për mua kohët e para të martesës së tyre! (Oh! ç’martirizim mizor!) U dhashë të dyjave nga tetëqind mijë franga, s‘kishin si të silleshin keq me mua, as ato, as burrat e tyre. Pa t’i shikoje si më prisnin: “Këtu, babush, atje babaçko“. Gjithnjë shtruar do ta gjeja tryezën tek ato. Me një fjalë, haja bashkë me burrat e tyre, që më nderonin shumë. U dukej se unë diç kisha akoma. Pse vallë? Unë s’kisha folur kurrë për tregtinë time. Një njeri që u jep të bijave nga tetëqind mijë franga prikë, e vlen që të përkujdesesh për të. Dhe ato më s’dinin ç’të më bënin, po u bënin nder parave të mia, jo mua. Ç’botë e qelbur!