Bota

Ç’duhet të dini mbi koronavirusin e Vuhanit, dhe a ka vend për panik

Nga Roni Caryn Rabin

Një shpërthim epidemik ndërkombëtar i sëmundjeve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga një koronavirus i ri, ka vrarë deri tani të paktën 18 njerëz, dhe sëmurur mbi 600 të tjerë. Virusi u lokalizua fillimisht në qytetin e Vuhan në Kinë, saktësisht në një treg që shet shpendë të gjallë, prodhime deti dhe kafshë të egra.

Tashmë virusi është përhapur në Japoni, Korenë e Jugut, Tajlandë, Singapor, Tajvan dhe Shtetet e Bashkuara. Eksprtët në vende të tjera si Meksika dhe Arabia Saudite, po vlerësojnë rastet e mundshme. Zyrtarët në Kinë, kanë filluar mbylljen e linjave të transportit nga dhe për në Vuhan, dhe qyteteve të tjera të prekura.

Kjo masë cilësohet drastike, në kushtet kur miliona kinezë kanë nisur pushimet e Vitit të Ri Hënor. Rasti i parë në SHBA u njoftua të martën, kur zyrtarët federalë konfirmuan se një burrë nga Uashingtoni që kishte udhëtuar së fundmi në Kinë, ishte shtruar i sëmurë në spital.

Po çfarë është një koronavirus?

Koronavirusi quhet kështu për shkak të qimeve që dalin rreth e rrotull membranës së tyre. Ato mund të infektojnë si kafshët ashtu edhe njerëzit, dhe mund të shkaktojnë sëmundje të traktit respirator, duke filluar nga të ftohurit e zakonshëm, deri në kushte të rënda si Sindromi i Frymëmarrjes së Rënduar ose SARS, që preku mijëra njerëz në gjithë botën në vitin 2003, duke i marrë jetën gati 800 prej tyre.

Ku nisi shpërthimi i ri i koronavirusit?

Më 8 janar, “New York Times” raportoi se studiuesit kinezë kishin identifikuar një koronavirus të ri, si patogjenin e një sëmundjeje misterioze që kishte sëmurur 59 njerëz në Vuhan, një qytet me 11 milion banorë në Kinën Qendrore. Rastet lidheshin me punëtorët e një tregu ku shiten peshq, kafshë dhe zogj të gjallë. Më vonë, tregu u mbyll vonë dhe u dezinfektua.

Sa njerëz janë infektuar, dhe sa kanë vdekur deri tani?

Të paktën 600 njerëz dihen zyrtarisht se janë infektuar, dhe të paktën 18 prej tyre kanë vdekur. Shumica e të infektuarve jetonin në Vuhan, ose kishin udhëtuar së fundmi atje. Nga ata që vdiqën, shumica ishin të moshuar me probleme shëndetësore kronike si diabeti dhe presioni i lartë i gjakut, çka që i bëri ata më të ndjeshëm ndaj komplikacioneve. Të paktën 17 nga ata që vdiqën ishin nga Hubei, provinca kineze kryeqyteti i të cilës është Vuhan.

Cili është burimi i shpërthimit?

Burimi kryesor më i mundshëm i shpërthimit të kësaj epidemie janë kafshët. Edhe pse nuk është ende e qartë se cila. Përhapjet e sëmundjeve të ngjashme në të shkuarën, përfshirë SARS-in, besohet se kanë ndodhur nga tregjet e kafshëve të gjalla. Një koronavirus tjetër, që shkakton Sindromën e Frymëmarrjes së Rënduar të Lindjes së Mesme ose MERS, transmetohet tek njerëzit nga devetë.

Edhe pse në fillim u mendua se pacientët e parë e kishin marrë sëmundjen në treg, autoritetet kineze thonë se sëmundja mund të transmetohet edhe nga një person tek tjetri. Një numër njerëzish në rritje, përfshirë stafin mjekësor që kujdeset për pacientët, janë infektuar. Kjo e bën më të vështirë kontrollin e këtij virusi.

A është përhapur virusi në vendet e tjera?

Shumica e viktimave janë shënuar në Kinë. Por virusi është përhapur në disa vende të tjera, përfshirë në 5 vende aziatike:Tajvani, Tajlanda, Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori, si dhe në Shtetet e Bashkuara, një burrë në të 30-at. Ndërkohë, ekpertët në Meksikë janë duke shqyrtuar rastin e një burri të sëmurë që ishte kthyer kohët e fundit nga Vuhan.

Si transmetohet sëmundja?

Shkencëtarët nuk e dinë ende me saktësi se si përhapet ky virus. Por fakti që ai mund të transmetohet nga personi në person, e bën më të rrezikshëm sesa po të transmetohej vetëm nga kafshët tek njerëzit, thotë dr.Peter Rabinovic, drejtor i Qendrës për Përgatitjen ndaj Pandemive dhe Sigurinë Globale të Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit.

Ndërkohë dr.Xhuli Vaishampajan, kryetare e Komitetit të Shëndetit Publik në Shoqatën Amerikane të Sëmundjeve Infektive, thotë se ka shumë gjasa që ai të transmetohet nëpërmjet kollitjes dhe teshtitjes, ashtu siç ndodh me gripin dhe viruset e tjera që prekin rrugët e frymëmarrjes.

Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, analizoi 198 raste të konfirmuara në Vuhan. Studiuesit zbuluan se 22 për qind e tyre, kishin pasur një ekspozim të drejtpërdrejtë në tregun e mishit, dhe 32 për qind kishin pasur kontakte me njerëz që ishin sëmurë me ethe ose sëmundje të frymëmarrjes.

Por gati gjysma e tyre nuk kishin qenë as në treg, dhe as nuk kishin pasur kontakte me ndonjë të sëmurë. Nga 198 të infektuar, 25 janë shëruar, 3 kanë vdekur, dhe 170 të tjerë janë ende duke u kuruar. Nga këta të fundit, vetëm 9 ishin në gjendje kritike për jetën.

Sa i rrezikshëm është ky virus?

Zyrtarët e shëndetit në mbarë botën janë alarmuar. Por është e vështirë të vlerësohet me saktësi vdekshmëria e një virusi të ri. “Kur kemi një sëmundje të re infektive, ne mësojmë në fillim për rastet më të rënda, ose për majën e piramidës. Teksa vazhdon hetimi, ne mësojmë shpesh se ka njerëz më pak të infektuar, apo edhe njerëz të infektuar që nuk sëmuren”- thotë dr.Uilliam Shafner, profesor i mjekësisë parandaluese dhe sëmundjeve infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt.

Sa për krahasim:gati 200 mijë njerëz shtrohet çdo vit në spital në Shtetet e Bashkuara për shkak të gripit, dhe rreth 35 mijë prej tyre vdesin. Por ndërsa disa shkencëtarë thonë se virusi duket të jetë më pak i rrezikshëm sesa koronaviruset e tjerë, si SARS dhe MERS, nuk është e qartë nëse autoritetet kineze kanë qenë plotësisht transparente, mbi numrin e të infektuarve apo të vdekurve.

Çfarë mjekimi është në dispozicion kundër këtij virusi?

Për momentin, ndaj koronavirusit të Vuhanit nuk përdoret asnjë medikament. Trajtimi kryesor është kujdesi mbështetës, përfshirë sigurimin që pacienti të thithë mjaftueshëm oksigjen, dhe përdorimin e një ventilatori për të shtyrë ajrin në mushkëri nëse është e nevojshme, thotë dr. Vaishampajan.

Pacientët duhet të pushojnë, dhe të pijnë sa më shumë lëngje, “ndërsa sistemi imunitar bën punën e tij dhe shëron veten” tha ajo. Asnjë ilaç nuk është rekomanduar për t’u përdorur kundër ndonjë koronavirusi, edhe pse një ilaç antiviral i quajtur remdesivir, ka dhënë efekte pozitive tek kafshët.

Cilat janë simptomat e infeksionit nga ky virus?

Simptomat kryesore të infektimit nga ku virus përfshijnë ethet, kollën e fortë, dhe vështirësitë në frymëmarrje. Sëmundja shkakton dëmtim të indeve në mushkëri dhe pneumoni. Rastet më të lehta mund të ngjajnë me gripin ose një ftohje të rëndë, duke e bërë të vështirë zbulimin e virusit. Periudha e inkubacionit, koha nga ekspozimi tek fillimi i simptomave, besohet të jetë rreth 2 javë.

“The New Tork Times” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button