Nga Mark Sedwell
“The Economist”
Vladimir Putin nisi një vit më parë pushtimin e parë në shkallë të plotë të një vendi sovran evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. E keq-planifikuar dhe me ushtarë të udhëhequr keq, të pajisur dobët dhe pa ndonjë motiv të fortë, ofensiva e Rusisë ngeci përballë rezistencës së guximshme të Ukrainës.
Ukrainasit u frymëzuan nga presidenti i tyre Volodymyr Zelensky dhe të ndihmuar në të dhëna inteligjente, armatime dhe trajnim nga amerikanët, britanikët dhe aleatët e tjerë.
E dëmtuar rëndë nga kundër-ofensivat ukrainase, Rusia është bllokuar tashmë në një fushatë ushtarake zhgënjyese, me shpresën se mos dobëson aftësinë e ushtrisë ukrainase dhe durimin e perëndimorëve për ta vazhduar ndihmën ndaj saj.
Putin po mobilizon në front gjithnjë më shumë trupa. Doktrina e Valery Gerasimov, që tani por drejton operacionet e ushtrisë ruse në Ukrainë, flet për një luftë të gjithanshme, që përfshin gjithçka, nga lufta kibernetike deri tek shantazhi ekonomik. Gerasimov do të synojë të arrijë ndonjë avantazh përpara futjes në fushën e betejës së tankeve të NATO-s. Ndërkohë, forcat ruse e kanë konsoliduar kontrollin e tyre në urën tokësore për në Krime. Moska ka hedhur në luftë rezervistë të pa trajnuara dhe mercenarë, ka blerë armë nga shtetet e tjera diktatoriale dhe ka lëshuar pa fund raketa mbi qytetet dhe infrastrukturën civile të Ukrainës.
Nëse lufta do të mbetet në një ngërç deri në fund të vjeshtës së këtij viti, atëherë mund të pritet që disa qeveri perëndimore të sugjerojnë se ka ardhur koha për të negociuar dhe luftuar në të njëjtën kohë. Putin mund të ngushëllohet nga planet e disa republikanëve në SHBA për të kufizuar mbështetjen ndaj Ukrainës.
Me sa duket ai shpreson që zgjedhjet e vitit 2024 të prodhojnë një president që është i gatshëm të lëshojë një pjesë të territorit ukrainas në këmbim të paqes. Megjithatë pas një lufte për jetë a vdekje për mbijetesë kombëtare, Zelensky nuk do të heqë dorë nga territori ukrainas. Ndonëse rezultati i kësaj lufte mbetet i pasigurt, qeveritë perëndimore mund të nxjerrin tashmë 5 leksione të mëdha.
Së pari, ashtu si personazhet negative në filmat me me James Bond, autokratët i përshkruajnë shpesh paraprakisht planet e tyre. Sadam Husseini e pretendoi Kuvajtin si provincën e 19-të të Irakut, para se të niste pushtimin e tij. Ndërkohë Putin e ka parë gjithnjë Ukrainën (dhe Bjellorusinë) si pjesë të Rusisë së Madhe.
Sado të pamatura duken këto deklarata, ne duhet t‘i marrim ato seriozisht, dhe t’u ofrojmë vendeve të cënueshme mjetet për të mbrojtur veten e tyre, duke e penguar në këtë mënyrë agresionin. Njëherazi duhet të investojmë në industritë tona të mbrojtjes, që edhe pa mbajtur stoqe të mëdha armësh në kohë paqeje, të kemi mundësi ta rritim me shpejtësi prodhimin e municioneve në nivele luftarake kur mund të jetë e nevojshme.
Së dyti, NATOP duhet të ri–balancojë forcat për të mbrojtur Evropën Lindore dhe Skandinavinë me ushtri konvencionale më efektive por edhe me ombrellën e armëve bërthamore dhe ta zgjerojë këtë të fundit përtej kufijve të saj. Pranimi në aleancë i Suedisë dhe Finlandës do të dyfishojë kufirin e saj me Rusinë, dhe do të rrisë aftësitë e saj ushtarake në pjesën veriore.
Kohët e fundit kam qenë me komandot britanike në Norvegjinë Veriore, që trajnoheshin në njësi të vogla, të shkathëta dhe të specializuara me taktika guerile të ngjashme me ato të përdorura nga Ukraina për të penguar pushtimin rus. Britania do të ishte zgjedhja e natyrshme për të udhëhequr Komandën Veriore, pasi është fuqia më e madhe ushtarake në rajon. Po kështu, forca më efektive dhe në gatishmëri më të lartë duhet të dislokohen në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Ndërkohë, NATO duhet t’ia bëjë të qartë Rusisë se çdo përdorim i armëve bërthamore në tokën ukrainase mund të përballet me forcën. Parandalimi bërthamor është i frikshëm, por më i tmerrshëm është një autokrat i izoluar dhe i dëshpëruar që e gjykon gabimisht vendosmërinë tonë dhe shtyp butonin e armëve të tij atomike.
Se treti, Perëndimi duhet të ri-investojë në marrëdhëniet e tij me vende të tilla si Brazili, India, Afrika e Jugut, Turqia dhe shtetet e Gjirit Persik. Ndonëse shumë vende kanë frikë nga fqinjët agresivë, dhe pak prej tyre e mbështesin pushtimin e Putinit, ato ankohen gjithashtu edhe për arrogancën perëndimore dhe për standardet e dyfishta.
Miqtë e vjetër, që ne i kemi lënë pas dore, po mirëpresin investimet e Kinës dhe oreksin e saj të pakufishëm për lëndët e para, nga të cilat varet ekonomia moderne dhe tranzicioni drejt një ekonomie më miqësore me mjedisin. Ndaj duhet të ketë më shumë investime private perëndimore në hemisferën jugore.
Së katërti, kriza ofron një mundësi për të stabilizuar marrëdhëniet tona me Kinën. Megjithëse Kina i ka bërë jehonë ankesave të Putinit ndaj NATO-s, ajo nuk i ka dhënë Rusisë asnjë armë. Po ashtu presidenti Xi Jinping ka paralajmëruar mbi pasojat e rënda në rastin e përdorimit të armëve bërthamore.
Nga ana tjetër Kina ka blerë naftën dhe gazin rus me çmime të leverdishme, dhe ka abstenuar në OKB ndaj rezolutave që dënojnë Rusinë, në vend se të mbështesë aleatin e saj në aleancën e “pakufishme”. Duke parë ecurinë e luftës në Ukrainë, Xi duhet të kuptojë se sido që të jetë përgjigja ushtarake ndaj një pushtimi kinez të Tajvanit, ajo do të përballet në mënyrë të pashmangshme me sanksione ekonomike, të cilat do të kishin pasoja të rënda si për ekonominë kineze ashtu edhe për atë perëndimore, si dhe dëme anësore për jugun global, ku Kina ka investuar kaq shumë.
Ashtu siç parandalimi ushtarak ishte themeli i stabilitetit strategjik në Luftën e Ftohtë, një kombinim i parandalimit ekonomik dhe ushtarak mund të ishte sot themeli i stabilitetit strategjik dhe detantës (paqes) midis Perëndimit dhe Kinës në këtë shekull.
Së fundi, një vendosmëri e unifikuar e Perëndimore është shumë e rëndësishme nëse duam që të zbatojmë vërtet mësimet që kemi marrë nga lufta e Ukrainës. Sepse pavarësisht nga bashkëpunimi i admirueshëm deri më tani, uniteti perëndimor është në rrezik.
Masat proteksioniste si Akti për Reduktimin e Inflacionit në SHBA, zinxhirët kritikë të furnizimit në vend të “mbrojtjes së miqve: përdorimi i dispozitave të sigurisë kombëtare në legjislacionin e tregtisë dhe investimeve kundër aleatëve dhe nën-investimi i vazhdueshëm në mbrojtje në vende evropiane, janë që të gjitha fërkime që kundërshtarët tanë duan t’i shfrytëzojnë.
Partneritetet tona të mbivendosura, përfshirë G7, BE, NATO dhe “Five Eyes” përfaqësojnë gjysmën e ekonomisë globale dhe akoma më shumë investime botërore në mbrojtje dhe zhvillim. Kjo forcë kolektive është vendimtare nëse shoqërohet me unitetin e qëllimit. Duhet ta kujtojmë këtë në marrëdhëniet tona me Rusinë dhe Kinën gjatë dekadës së ardhshme.
Shënim: Mark Sedwill, ka qenë Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Britanisë në vitet 2017-2020, dhe Sekretar i Kabinetit gjatë viteve 2018-2020.