Shtatë bombardues B-2 Spirit, 125 avionë luftarakë, rreth tridhjetë avionë-çisternë, një nëndetëse, njëzet raketa Tomahawk (75 raketa në total), dhe një operacion mashtrimi me avionë amerikanë që fluturonin si drejt Lindjes së Mesme, ashtu edhe nga fronti Lindor e Paqësori.
Kështu Uashingtoni planifikoi dhe më pas realizoi sulmin – i pari në histori – ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Isfahan, Fordow dhe Natanz. Plani ishte zhvilluar për javë të tëra dhe të gjitha njësitë ishin zhvendosur paraprakisht për t’u aktivizuar menjëherë sapo të jepej urdhri nga Shtëpia e Bardhë.
Ky është sulmi i parë ku janë përdorur bombat “bunker buster” me peshë 14 ton – GBU-57 MOP – armë me depërtim të thellë, të afta për të hyrë në shkëmbinj dhe për të goditur në thellësi deri në 100 metra, me qëllim shkatërrimin e centrifugave që pasurojnë uraniumin në Fordow.
Pak pas mesnatës së të premtes, 7 bombarduesit B-2 (të përdorur për herë të parë pas sulmeve të 11 shtatorit në Afganistan) u nisën nga baza Whiteman në Missouri. Avionë të tjerë përshkuan Paqësorin duke fluturuar në drejtimin e kundërt për të shpërqendruar armikun, sipas gjeneralit Dan “Razin” Caine, shefit të Shtabit, i cili foli në një konferencë shtypi në Pentagon me sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth.
Fluturimi drejt objektivave zgjat 18 orë, gjatë të cilave B-2 nuk rimbushen më me karburant. Disa nga avionët cisternë u nisën nga baza europiane që kishin mbërritur aty ditë më parë.
Kur bombarduesit strategjikë iu afruan hapësirës ajrore të Iranit, një nëndetëse amerikane e pozicionuar në Gjirin Persik lëshoi mbi 20 raketa Tomahawk drejt impiantit të Isfahanit – zemra logjistike e programit bërthamor iranian, ku ruhej uraniumi i pasuruar.
Në qiell ngrihen edhe avionët luftarakë për të shoqëruar B-2-at dhe për t’i mbrojtur nga mbrojtja ajrore iraniane. Caine theksoi se (edhe pse nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur) disa nga avionët amerikanë kanë qëlluar mbi radarët në fazat e para të sulmit. Dhe ashtu siç ndodhi me sulmet izraelite dhjetë ditë më parë, Republika Islamike u kap në befasi.
Këtë herë, nuk kishte as mundësinë për të reaguar. Pas dy ditësh konflikti, forcat ajrore izraelite kishin arritur të merrnin kontrollin e hapësirës ajrore dhe në dhjetë ditë, bazat raketore, rampat e lëshimit dhe sistemi i mbrojtjes ajrore të integruar iranian ishin në pjesën më të madhe të deaktivizuara. Premisa e sulmit amerikan mbështetet pikërisht në këtë punë përgatitore të bërë nga izraelitët, thotë Caine.
Operacioni – i quajtur “Midnight Hammer” (Çekani i Mesnatës) – është tërësisht “i menaxhuar nga SHBA”. Izraelitët janë lajmëruar vetëm për të pasur hapësirë ajrore të lirë dhe për të shmangur aksidentet. “Vetëm një grup i kufizuar personash në Uashington ishte në dijeni të planeve dhe kohës,” – tha Caine.
Gjatë ditës, Shtëpia e Bardhë sqaroi se operacioni synonte vetëm t’i hiqte Iranit mundësinë për të pasur armë bërthamore, dhe jo ndryshimin e regjimit. Por në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump u shpreh ndryshe: “Nuk është politikisht korrekte të flitet për ndryshim regjimi, por nëse regjimi aktual i Teheranit nuk është i aftë “për të bërë Iranin sërish të madh”, atëherë përse të mos ketë një regjim të ri?”
Të gjitha impiantet u goditën midis orës 6:40 dhe 7:05 (me orën e Uashingtonit, në Iran midis orës 2:40 dhe 3:05 të mëngjesit të së dielës). Katërmbëdhjetë prej bombave ishin GBU-57 MOP. Të parat u hodhën mbi Fordow. Mbikëqyrja nga hapësira ajrore iraniane zgjat rreth një orë, dhe vetëm kur B-2-të ishin në pozicion sigurie, u njoftua Kongresi amerikan për nisjen e sulmit. Sipas Hegseth: “Respektuam ligjin.”
Shefi i Pentagonit foli për një vlerësim paraprak të dëmeve. “Është ende herët për të ditur saktësisht ku do të shkojmë”, – tha ai, duke iu referuar imazheve satelitore të kompanisë Maxar mbi Fordow. Sipas të dhënave të para, “vrima” e krijuar nga GBU-57 mbi sipërfaqen e malit është e dukshme. Hegseth theksoi se synimi ishte të eliminoheshin “kapacitetet e mbetura të regjimit për të pasuruar uraniumin”. Sipas burimeve të Pentagonit, të gjitha qendrat kryesore të programit bërthamor të regjimit “nuk janë asgjësuar plotësisht”.
Megjithatë, burime të Pentagonit, pak orë më vonë, i thanë New York Times se kompleksi i Fordow “është dëmtuar rëndë, në mënyrë të pakthyeshme”.
JD Vance nga Partia Republikane i quajti sulmet një “ngadalësim” të programit bërthamor dhe jo një shkatërrim. Rubio, sekretari i Shtetit, ngriti alarmin: “Prej ditësh nuk e dimë se ku ndodhet urani i pasuruar i Iranit. Pak para sulmit, u përhap lajmi se mund të ishte dërguar në një vend të sigurt dhe sekret, por ende nuk kemi konfirmime të besueshme.”
Drejtori i AIEA-s, agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore, Rafael Grossi, njoftoi se mëngjesin e së dielës “nuk është regjistruar asnjë sinjal” nga monitorimet e vendosura në impiantet iraniane. Ai tha se as sistemi i regjistrimit nuk ka dhënë shenja jete. Tani, kontrolli i OKB-së mbi programin bërthamor iranian, në fazën e vet “mbrojtëse”, është ndërprerë. Në këtë moment, Irani është zyrtarisht në terr, dhe si rrjedhojë, më i rrezikshëm se kurrë. / bota.al