Letersi

“Ç’është jeta për ty? Flluska sapuni”. Fragment filozofik nga romani “Pse” i Sterjo Spasse

– Ç’është jeta për ty? – e pyeta.
– Flluska sapuni, – m’u përgjigj.
– Po vdekja?
– Shpërblimi i jetës!
– Ç’është bota?
– Një pikë helm në hapësirë!
– Ç’është me e kuptuar në Botë?
– Vdekja?
– Cila është kafsha më e egër?
– Njeriu!
– Po më e butë?
– Ajo që s’ka lindur!
– Cili njeri ju duket më i poshtër?
– Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!
– Ç’është budallallëku?
– Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!
– Po puna më e mençme?
– Te gëzosh të tanishmen!
– Ç’është më e afërme?
– Vdekja!
– Po më e largët?
– Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.
– Çfarë është e pavdekur?
– Hapësira!
– Çfarë është më e bukur?
– Fantazia!
– Po më e shëmtuar?
– Sëmundja!
– Më e hidhur?
– Jeta!
– Më e ëmbël?
– Hiçi!
– Ç’gjë e është më e madhe?
– Libri i Botës!
– Po më e rëndë?
– Fjala!
– Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:
– Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?
– Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?
– Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!
– Kur shpërblehet njeriu?
– Kur e kujton veten të lumtur!
– Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?
– Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!
– Çfarë gjë ju duket më e vështirë?
– Të jesh njeri!
– Po më e lehtë?
– Të krijosh krijesë njerëzore!
– Cili është ngushëllimi i të pasurit?
– Pesha e qeses!
– Po i të vobektit?
– E ardhmja!
– Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.
– Vdekja! -mu përgjigj serioz
– Po ç’përmban jeta e njeriut?
– Vetëm dyshime!….

Leave a Reply

Back to top button