Analiza

Çështja “Bengazi” / E-mailet që po sikletosin Hilarinë

Dalin në skenë 60 e-maile mbi Libinë, që këshilltari Sidnej Blumental i kishte dërguar ish Sekretares së Shtetit

Screen Shot 2015-06-17 at 09.56.49

Në Amerikë kanë nisur të flasin sërish për sulmin në Bengazi (atentati ndaj ambasadës së SHBA në qytetin libian, që i mori jetën ambasadorit Kristofer Stivëns) dhe për versionin e ofruar nga Hilari Klintoni, në atë kohë Sekretare e Shtetit. Pak orë nga dëshmia e shumëpritur me dyer të mbyllura e Sidnej blumentalit, mik i vjetër i familjes Klinton si dhe këshilltar (jozyrtar) i Hilarisë për Libinë, komisioni hetimor mbi ngjarjet e Bengazit ka siguruar 60 e-maile të rinj që ai i ka dërguar Klintonit. Dhe zbulohet që këta e-maile, që Blumentali i ka dorëzuar në vijim të një urdhëri, nuk ndodheshin në dosjet e komunikimit të Klintonit, që Departamenti i Shtetit i ka dorëzuar pranë komisionit javët e fundit. Pyetja që ngrihet është spontane: A ka fshehur diçka Hilari?

Natyrisht që republikanët nuk kanë lënë të shpëtojë ky rast, për të provuar të vënë në vështirësi Klintonin, duke ngritur dyshimet se ajo dhe Departamenti i Shtetit po përpiqen të mbajnë diçka të fshehtë në lidhje me ngjarjen. Republikanët shpresojnë shumë në dëshminë e Blumentalit, i cili përfundoi në shënjestrën e tyre pas publikimit të 300 emaileve që lidheshin me sulmin e shtatorit 2012, dhe që i ishin dorëzuar Departamentit të Shtetit. Të paktën 25 prej këtyre e-maileve, përmbajnë raporte mbi situatën në Libi, që Sekretarja e atëhershme e Shtetit i mori pikërisht nga Blumentali, i cili kishte kontakte dhe interesa me qeverinë tranzitore të Libisë.

Në javët e fundit, faqja e internetit politico.com ka kujtuar se Klintoni kish dashur ta merrte Blumentalin me vete në Departamentin e Shtetit, por këshilltarët e Obamës kishin ndalur emërimin, sepse nuk i besonin ish këshilltarit të presidentit Klinton. Dhe kështu, nga viti 2009, Blumentali nisi të punojë për Fondacionin e familjes Klinton, me një pagë prej afro 10 mijë dollarë në muaj. Dhe tani punon si këshilltar i dy grupeve të pavarur, të udhëhequr gjithmonë nga klintonianë të besuar, për fushatën elektorale të vitit 2016. Me sa duket atij nuk i besonin as disa funksionarë të Departamentit të Shtetit, tek të cilët Hilari qarkullonte memot e saj. Edhe pse disa herë, siç ka shkruajtur “The Hill”, Klintoni nuk e tregonte se ishte Blumentali burimi i analizave. Në një shkëmbim mes këshilltarit të Klintonit, Jake Sëllivan dhe ambasadorit Stivens, Blumentali përmendej me inicialet “Hcf”, që domethënë “miku i Hilari Klintonit”.

Pasi ngjarja doli në dritë, Hilari minimizoi ndikimin që Blumentali dhe analizat e tij kishin patur për politikën e ndjekur kundrejt Libisë, duke thënë se bëhet fjalë “vetëm për një mik të vjetër, që i ka dërguar e-maile të pakërkuar nga ajo, disa prej të cilave i kam përcjellë gjetkë. Kancelarja e quan vetëm një shkëmbim idesh. Megjithatë, fakti që nuk ka folur më herët, peshon më shumë se sa dyshimi.

Burimi: Il Giornale

Në shqip nga: Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close