Ndërsa numri i rasteve të koronavirusit të Vuhanit vazhdon të rritet, bashkë me të edhe frika për një zgjerim të pandemisë, shkencëtarët dhe zyrtarët e shëndetit publik po përpiqen të kuptojnë shtrirjen dhe rrezikun e shpërthimit të ri. Virusi, 2019-nCoV, tashmë ka infektuar më shumë se 4500 njerëz në 14 vende dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 100 personave në Kinë – dhe këto shifra, padyshim që do të rriten në ditët në vijim. Si përgjigje, Kina ka vënë në zbatim masa drakoniane të paprecedenta në përpjekje për të frenuar përhapjen, por është e mundur që karantina të mos jetë efektive, dhe koronavirusi do të vazhdojë të përhapet.
Fatkeqësisht, shkencëtarët kanë ende më shumë pyetje sesa përgjigje në lidhje me koronavirusin e ri. Më poshtë, një panoramë se çfarë dinë dhe nuk dinë shkencëtarët, deri më tani.
Sa e madhe është realisht përhapja?
Tani për tani, masa e plotë e shpërthimit të pandemisë, vdekshmëria e koronavirusit të ri dhe rreziku i përhapjes mbeten të paqarta – por provat dhe vlerësimet në dispozicion vazhdojnë të alarmojnë ekspertët e shëndetit publik.
Zyrtarisht, të paktën 4515 njerëz në mbarë botën janë infektuar me virusin 2019-nCoV, që nga e marta. Shumica e këtyre rasteve janë nga epiqendra e shpërthimit – qyteti i Vuhanit në provincën qendrore të Kinës, Hubei. Ka gjithashtu raste të shpërndara, të konfirmuara në më shumë se një dhjetë vende të tjera, të cilët përfshijnë njerëz që kishin udhëtuar së fundmi në Vuhan, duke përfshirë raste ku transmetimi nga njeriu tek njeriu tashmë duket se ka ndodhur.
Por numri aktual i infeksioneve është ndoshta shumë më i lartë, sipas ekspertëve që studiojnë epideminë.
Disa ekspertë vlerësojnë se të paktën dhjetëra-mijëra njerëz të tjerë, ka të ngjarë të jenë infektuar në Kinë, sesa raportohet zyrtarisht, dhe ministri i shëndetësisë i Kinës ka thënë që koronavirusi i ri duket se është bërë më i lehtë për t’u transmetuar, edhe mes njerëzve që nuk tregojnë shenja të infeksionit.
Ekspertët e sëmundjeve infektive në Universitetin e Hong Kongut, thanë të hënën se sipas vlerësimeve të tyre, më shumë se 44,000 njerëz ishin të infektuar tashmë në Vuhan, ndërkohë që më shumë se 25,000 shfaqnin simptoma – një numër që mund të dyfishohet, në më pak se një javë. Për më tepër, studimi i tyre tregoi se transmetimi përmes njeriut po ndodhte tashmë në të gjitha qytetet kryesore të Kinës.
Gabriel Leung, studiuesi kryesor i universitetit, rekomandoi që në Kinë “duhet të merren menjëherë masa thelbësore drakoniane, që kufizojnë lëvizjen e popullatës”, përfshirë mbylljet e shkollave, masa për të punuar në distancë dhe anulim i tubimeve masive. Të martën, Hong Kongu vendosi kufizime të reja që kufizonin udhëtimin drejt Kinës kontinentale.
Pyetja tjetër është se si rastet e 2019-nCoV do të jenë jo aq të rënda, sa për t’u zbuluar. Nëse personat e infektuar me koronavirusin e ri shfaqin vetëm simptoma të buta, ose asnjë simptomë, ata nuk ka gjasa të numërohen në numrin e përgjithshëm të rasteve.
Sa i rrezikshëm – dhe vdekjeprurës – është koronavirusi i ri?
Ata që janë prekur nga koronavirusi 2019-nCoV kanë zhvilluar simptoma të ngjashme me gripin, duke përfshirë një kollë të fortë, ethe, dhimbje trupi dhe vështirësi në frymëmarrje. Në disa raste janë raportuar edhe simptoma gastrointestinale. Rastet më të rënda kanë çuar në pneumoni ose probleme në mushkëri. Ashtu si me shumicën e sëmundjeve të frymëmarrjes, të vegjlit, të moshuarit ose ata që kanë një sistem imunitar të dobësuar, ka të ngjarë të jenë më të rrezikuar me zhvillimin e infeksioneve më të rënda.
Të paktën 106 njerëz kanë vdekur tashmë nga koronavirusi, të gjithë në Kinë, por rreziku i vërtetë i virusit ende nuk është përcaktuar përfundimisht. Autoritetet shëndetësore në Kinë raportuan të hënën, se afërsisht 17 përqind e rasteve të konfirmuara ishin sëmundje të rënda, dhe 3 përqind e rasteve rezultuan në vdekje.
Por nëse numri i përgjithshëm i rasteve është shumë më i lartë se numri i atyre të konfirmuara – siç thonë shumë ekspertë – është shumë herët për të vlerësuar me saktësi sa i rëndë është 2019-nCoV, në secilin kuptim.
Për krahasim me epidemitë e mëparshme të koronavirusit, SARS kishte një shkallë vdekshmërie prej rreth 10 përqind, dhe shkalla e vdekshmërisë së MERS, i cili nuk ishte aq kollaj i transmetueshëm midis njerëzve sikurse SARS, ishte afërsisht 35 përqind.
Shkalla e vdekshmërisë së gripit – i cili vret qindra-mijëra njerëz në të gjithë botën, çdo vit – është 0,1 përqind.
Sa kollaj – dhe kur – transmetohet koronavirusi?
Një faktor kritik, kur bëhet fjalë për kërcënimin e 2019-nCoV, apo edhe çdo lloj sëmundje infektive, është se sa lehtësisht transmetohet, dhe kur. Kjo përcakton se sa e kollajtë është për autoritetet shëndetësore, të zbulojnë dhe të frenojnë raste të reja të virusit.
Provat në dispozicion tashmë tregojnë se koronavirusi i Vuhanit mund të transmetohet nga një person tek një tjetër, ashtu si sëmundje të tjera të frymëmarrjes. Sipas një “profili klinik në tentativë” të shpërthimit, shkruar për Foreign Policy, nga mjekja dhe studiuesja e shëndetit publik Annie Sparrou, 2019-nCoV është “shumë i madh për të mbijetuar ose qëndruar pezull në ajër për orë të tëra, apo të udhëtojë për më shumë se disa metra,” por është gjithësesi i lehtë për t’u transmetuar:
Ashtu si gripi, ky koronavirus përhapet edhe në kontakt direkt, edhe indirekt. Kontakti i drejtpërdrejtë ndodh përmes transferimit fizik të mikroorganizmit, midis miqve dhe familjarëve, përmes kontaktit të ngushtë me sekrecionet orale. Kontakti indirekt rezulton kur një person i infektuar kollitet ose teshtin, duke përhapur piklat e koronavirusit në sipërfaqe të afërta, përfshirë doreza dyersh, anët e shtretërve, apo smartphone.
Ajo shton se ato pikla mund të aerosolizohen edhe gjatë procedurave mjekësore, duke rezultuar në një “super përhapje”, ku një person mund të infektojë shumë anëtarë të stafit mjekësor, gjë që ndodhi gjatë shpërthimit të SARS.
Pyetja kryesore është nëse koronavirusi i ri mund të transmetohet, nga njerëzit që nuk tregojnë simptoma të sëmundjes – duke i bërë kështu infeksionet shumë më të vështira për t’u frenuar.
Në epidemitë e mëparshme të koronavirusit, që përfshinin SARS dhe MERS, njerëzit e infektuar me viruse ishin ngjitës vetëm kur shfaqnin simptoma, duke bërë më të kollajtë futjen e tyre në karantinë dhe ngushtuar shtrirjen e viruseve. Por ministri i shëndetësisë i Kinës, ka thënë se ka prova që 2019-nCoV është transmetuar mes njerëzve, pa ndonjë shenjë simptome. Ende nuk është e qartë se sa shpesh ka ndodhur kjo, por është një shqetësim i madh.
Kur shkencëtarët dhe zyrtarët e shëndetit publik vlerësojnë se sa kollaj do të përhapet një infeksion i ri, ata përpiqen të përcaktojnë numrin e riprodhimit të shpërthimit, ose R0 – numri mesatar i njerëzve që do të marrin infeksionin, nga dikush tjetër që e ka atë tashmë. Pra, çdo infeksion me një R0 më të lartë se 1, do të ishte shqetësim i madh.
Vlerësimet e R0-s së virusit 2019-nCoV, kanë filluar nga 1.4 deri në 5.5, dhe vlerësimet më të larta tashmë kanë shkaktuar panik. Por siç e ka shpjeguar Ed Yong në “The Atlantic” të martën, R0 është një tregues i dobët, kur bëhet fjalë për komunikimin tek publiku, të rrezikut real të një shpërthimi, veçanërisht në një fazë të tillë të hershme. Aktualisht, vlerësimet e R0 për virusin 2019-nCoV janë në përputhje me shpërthimet e mëparshme të koronaviruseve, si SARS dhe HIV (4-5), por shumë më ulët se një infeksion i tillë si fruthi, i cili ka një R0 prej 12-16. Për më tepër, një R0 më i lartë nuk do të thotë domosdoshmërisht sëmundje më të rrezikshme ose të transmetueshme, për një sërë arsyesh, duke përfshirë edhe vështirësinë në përllogaritjen e saktë të numrit.
Një faktor tjetër është gjatësia e periudhës së inkubacionit të koronavirusit, që është sasia e kohës midis ekspozimit të një personi ndaj infeksionit, dhe kohës kur shfaqen simptomat e para. Një periudhë më e shkurtër inkubacioni kufizon kohën që u duhet autoriteteve të kujdesit shëndetsor, për të zbuluar dhe izoluar rastet e reja, gjë që është veçanërisht e rëndësishme nëse njerëzit janë më infektues, pasi i shfaqin simptomat. Deri më tani, periudha e inkubacionit të 2019-nCoV ka afërsisht deri në dhjetë ditë, por nuk është e qartë se cila do të jetë koha mesatare në fund. Për krahasim, SARS kishte një periudhë inkubacioni, nga katër deri në pesë ditë.
Dhe së fundi, virusi 2019-nCoV ka të ngjarë të vazhdojë të pësojë mutacione, pasi evoluon dhe përshtatet në pritësit e rinj, gjë që ta bëjë sëmundjen pak a shumë të rëndë ose të transmetueshme.
Si mund të parandalohet, zbulohet dhe trajtohet ky koronavirus i ri?
Në lidhje me pengesat fizike për transmetimin e virusit, higjena e duhur e duarve dhe përdorimin i dorezave, maskave, syzeve dhe veshjeve mjekësore e zvogëlojnë rrezikun e infeksionit, në rast se dikush është i ekspozuar ndaj një personi të prekur nga 2019-nCoV.
Megjithatë, zbulimi i koronavirusit të ri nuk është i lehtë. Zyrtarët e Shëndetit publik në Kinë dhe gjetkë janë përpjekur të identifikojnë këdo që ka temperaturë, dhe pastaj të vërejnë ekspozimin e tyre të mundshëm ndaj 2019-nCoV. Por ka shumë sëmundje që mund të shkaktojnë temperaturë, dhe tashmë duket se ka mungesë të kiteve për teste në vend, si dhe asnjë test – të paktën akoma jo – që mund të nxjerrë rezultate brenda pak orësh.
Nuk ka gjithashtu asnjë ilaç të aprovuar për të trajtuar koronaviruset, dhe nëse mund të zhvillohet një vaksinë për virusin 2019-nCoV, kjo mund të kërkojë disa muaj, në rastin më të mirë. Kjo do të thotë që tani për tani, punonjësit e kujdesit shëndetësor mund të sigurohen vetëm që pacientët e infektuar, të marrin kujdes shëndetësor mbështetës, ndërsa sistemet e tyre imunitare përpiqen të luftojnë kundër sëmundjes.
A do e frenojë virusin reagimi masiv i Kinës?
Më shumë se 50 milion njerëz janë praktikisht nën karantinë në Kinë, ku qeveria ka ndalur udhëtimet për në dhe nga Vuhani, dhe më shumë se dhjetëra qytete të tjera në provincën Hubei. Udhëtimi brenda për brenda qyteteve të tjera është gjithashtu i kufizuar, përfshirë Pekinin. Përhapja dhe karantina kanë ardhur gjatë festave të Vitit të Ri në Kinë, kur qindra-miliona njerëz zakonisht udhëtojnë për të vizituar familjen, brenda dhe jashtë vendit. Kina e ka zgjatur festën deri më 2 shkurt, në një përpjekje për të parandaluar udhëtimin gjatë kësaj kohe kritike.
Përhapja është tashmë një barrë e madhe për sistemin e kujdesit shëndetësor të Kinës, ndërkohë që është raportuar se disa ekspertë të sëmundjeve infektive, tani kanë shprehur frikën, se përpjekjet e vendit për të përmirësuar koronavirusin e Vuhanit nuk do të jenë efektive.
Allison McGeer, një specialist i sëmundjeve infektive në Toronto, paralajmëroi se “sa më shumë të mësojmë rreth kësaj, aq më e madhe është mundësia që transmetimi të mos jetë në gjendje të kontrollohet me masa të shëndetit publik”. Dhe kështu mund të bëhet një virus me të cilin njerëzit do të duhet të mësojnë të jetojnë.
Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se sa njerëz kanë mundur të largoheshin nga zona e karantinës para se të zbatohej. Kryetari i komunës Vuhan ka vlerësuar se rreth 5 milion njerëz mund të kenë udhëtuar jashtë zonës, para se të bllokohej. / NYMag – Bota.al