Nga Fareed Zakaria
Më 16 gusht 2021, Inspektori i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit publikoi një raport me titull “Çfarë duhet të mësojmë: Leksione nga 20 vitet e rindërtimit të Afganistanit”. Por ky raport u la në hije nga lajmet dramatike në terren.
Pasi vetëm një ditë më parë qeveria afgane ishte rrëzuar dhe talebanët morën me shpejtësi pushtetin. Por një vit më vonë, është një tjetër dokument – i bazuar në 13 vite punë, një mal me të dhëna dhe më shumë se 760 intervista – që ia vlen të studiohet me kujdes.
“Në 20 vite qeveria amerikane ka shpenzuar 145 miliardë dollarë në përpjekje për të rindërtuar Afganistanin”- nis ky dokument. Më pas në të përmenden të gjitha kostot e tjera, përfshirë 837 miliardë dollarë për luftimet, 3.587 ushtarët amerikane dhe të vendeve aleate që kanë humbur jetën, dhe të paktën 66.000 ushtarë afganë të vdekur.
Por raporti thekson se “nëse synimi ishte vërtet rindërtimi dhe mundësia që ai të mbante veten duke paraqitur pak kërcënim për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, tabloja e përgjithshme është e zymtë”. Përse? Si ka mundësi që kaq shumë energji, përpjekje, gjak dhe para dhanë kaq pak rezultate pozitive?
Raporti rendit shumë arsye – strategjitë jo koherente, mungesën e durimit, pritshmëritë jorealiste, monitorimin e pamjaftueshëm – ku të gjitha ato hedhin dritë mbi dështimet specifike. Një nga përfundimet e raportit, është se qëllimet e SHBA ishin shpesh kontradiktore.
Për shembull, Shtetet e Bashkuara investuan miliarda dollarë në ekonominë afgane, në përpjekje për t’i dhënë fund korrupsionit. Ajo donte që të dobësonte pozitat e komandantëve lokalë të luftës dhe milicive, por nga ana tjetër do të mbështetej vazhdimisht tek ata kur donte të vendoste me shpejtësi rendin e cënuar.
Po ashtu, donte t’i jepte fund prodhimit të opiumit, por jo të prekte të ardhurat e fermerëve.
E megjithatë këto nuk ndihen sikur janë në thelbin e problemit. Pas humbjes së tyre në vitin 2001, talebanët u rigrupuan dhe fituan në mënyrë të qëndrueshme terren, nga viti 2005 e tutje.
Raporti dokumenton se “sulmet e armikut” u rritën nga rreth 2.300 në vitin 2005 në thuajse 23.000 në vitin 2009, dhe nuk ranë më kurrë nën 21.000 në vit, pavarësisht ndryshimeve të ndryshme në strategji, taktika apo numrin e trupave amerikane në terren.
Një këshilltar civil i ushtrisë amerikane për Irakun dhe Afganistanin, Karter Malkasian, shkroi një libër që unë besoj se i afrohet më së shumti një shpjegimi gjithëpërfshirës mbi dështimin e madh të SHBA-së në Afganisatan.
“Talebanët përfaqësonin diçka që frymëzonte, diçka që i bënte ata të fuqishëm në betejë, diçka që lidhej ngushtë me atë që do të thoshte të jesh afgan. Thënë thjeshtë, ata luftuan për Islamin dhe rezistencën ndaj pushtimit, vlera këto të mishëruara në identitetin afgan. Në linjë me pushtuesit e huaj, qeveria afgane nuk rrezatoi asnjëherë asnjë frymëzim të ngjashëm”- shkroi ai.
Shtetet e Bashkuara ishin gjithnjë të huajt, në mesin e një lufte civile komplekse në Afganistan, ndërsa qeveria e re afgane nuk qe asnjëherë në gjendje të fitonte legjitimitetin që i nevojitej. Ajo u pa si tejet e korruptuar dhe e varur plotësisht nga Amerika. Dhe që të dyja akuzat ishin të vërteta.
Kur një qeveri ka një legjitimitet të brendshëm – si për shembull Ukraina sot – të huajt mund ta ndihmojnë atë në mënyrë efektive. Por kur i mungon forca dhe mbështetja e brendshme, ndihma e jashtme e dobëson shpesh besueshmërinë e saj.
Kësaj mund t’i shtohen të gjitha llojet e arsyeve të tjera të rëndësishme. Talebanët kishin një bazë të sigurt në Pakistan. Historikisht, ka qenë praktikisht e pamundur të mposhtet një kryengritje e mirë-armatosur dhe që ka si strehë një vend fqinj. Amerikanët nuk i kuptojnë vendet dhe kulturat e huaja.
Lufta e Irakut ishte për ta një shpërqendrimi madh. Agjencitë amerikane punonin ndonjëherë për qëllime të kundërta me njëra-tjetrën. Por rënia e Kabulit një vit më parë, ka edhe një leksion tjetër të rëndësishëm për Amerikën: rrezikun e të mos parit me kujdes të realitetin dhe nënshtrimin ndaj mendimit kolektiv.
Për një kohë të gjatë, elitat e Uashingtonit e panë Afganistanin si “luftën e mirë”, të justifikuar moralisht dhe të miratuar edhe nga Kombet e Bashkuara. Njerëzit u investuan për të besuar se gjërat po funksiononin, dhe shumë prej tyre e “verbuan veten” për të mos parë se në fakt gjërat ishin ndryshe.
Ushtria është shpesh e kthjellët në raport me një konflikt. Por pasi përfshihet në luftë dhe i jepet një mision, ajo do të sigurojë një rrjedhë raportesh që vërtetojnë se po ia del mbanë. Në Vietnam, detyra ishte numërimi i trupave armike të vrara.
Në Afganistan, ishte numri në rritje i Ushtrisë Kombëtare Afgane (që rezultoi të ishte tejet i ekzagjeruar). Pavarësisht të metave të tij në organizimin e tërheqjes nga ky vend, Xho Bajden, si senator dhe zëvendëspresident, ishte një nga të paktët njerëz në pushtet që ishin të gatshëm të ngrinin disa pyetje të pakëndshme, dhe për të parë përtej bisedave plot entuziazëm.
Në një artikull të shkëlqyer të botuar në “The Atlantic”, gjenerali amerikan Dejvid H. Petreus bën një pasqyrë të luftës dhe argumenton se “gabimi themelor” i Amerikës në Afganistan ishte “mungesa e angazhimit”. Dhe në një aspekt ai ka të drejtë.
Ishte e qartë se mbështetja e SHBA-së ndaj kësaj lufte ka qenë me luhatje. Por vlen të përmendet se Amerika qëndroi në Afganistan më gjatë sesa britanikët gjatë tre Luftërave Anglo-Afgane të marra bashku. Për më tepër, qëndroi për një kohë dyfish më të gjatë se Bashkimi Sovjetik në fundin e viteve 1970-1980.
Në librin e tij të ri mbi luftën 20-vjeçare, “Akti i Pestë: Fundi i Amerikës në Afganistan”, Eliot Akerman vëren se shumica e asaj që ndërtuan Shtetet e Bashkuara në Afganistan ishte prej kompensate, një metaforë për hezitimin tonë në atë mision.
Nëse e krahasojmë atë me sjelljen e britanikëve më herët, që mbërrinin në një vend dhe ndërtonin me shpejtësi monumente prej guri për të simbolizuar perandorinë e tyre të qëndrueshme. Unë dyshoj se Amerika do të jetë gjithmonë një fuqi plot ndërdyshje, një imperialiste e fiksuar pas fasadave prej kompensate. / “The Washington Post” – Bota.al