“The Economist”
Voltaire ishte aq shumë i magjepsur nga perandoria ruse në zhvillim e sipër, saqë i shkroi shumë letra Katerina e Madhe. Gjatë viteve 1760-1770, mendimtari iluminist francez dhe perandoresha ruse shkëmbyen 197 letra të shkruara me dorë, që të gjitha në frëngjisht, një gjuhë që preferohej shumë nga fisnikëria ruse.
Volteri e lavdëronte Katerinën si një “despote e shkolluar” dhe i tha asaj:”Po të isha më i ri, do të bëhesha rus!”. Në vitin 1773, ajo priti në Shën Petersburg Denis Diderot, një tjetër filozof francez. Kështu Rusia zuri vendin e saj në imagjinatën franceze si simboli i një mendësie të njëjtë në artet dhe letra, dhe i triumfit të qytetërimit mbi kaosin.
Nëse lufta e Rusisë ndaj Ukrainës nxori në pah varësinë industriale të Gjermanisë nga Moska, në Francë ajo ka treguar një lloj tjetër varësie:një magjepsje fatale pas Rusisë. Në të majtën ekstreme, ajo është një relike e Revolucionit Bolshevik, antiamerikanizmit dhe komunizmit.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Partia Komuniste Franceze kishte kokën nga Moska, dhe e hoqi vetëm në vitin 2013 çekiçin dhe draprin nga tesera e saj. Në të djathtën ekstreme, kjo simpati buron nga admirimi për nacionalizmin patriotik dhe udhëheqjen autoritare. Fushatat e Marine Le Pen janë financuar pjesërisht nga një bankë ruse.
Por kjo magjepsje nuk kufizohet vetëm në ekstremet e politikës franceze, por edhe sallonet e establishmentit politik të Parisit. Kur ishte i ri, Jacques Chirac, që si presidenti kërkoi ndërtimin e një botë shumëpolare për të kundërpeshuar hegjemoninë amerikane, përktheu në frëngjisht kryeveprën e Pushkin “Eugene Onegin”.
Atij iu dha titulli më i lartë i ndetrit në Rusi, ndërsa Vladimir Putin mori medaljen e Legjioni të Nderit. François Fillon, një kryeministër i qendrës e djathtës, ishte një i mysafir i rregullt i Putin. Një ditë pas hyrjes së tankeve ruse në Ukrainë, ai dha dorëheqjen nga postet e tij në bordin e dy kompanive ruse, teksa në vitin 2014 nuk e kishte parë pushtimin e Krimesë si ndonjë pengesë për pranimin e tyre.
Aleatët e ngushëlluan për një kohë të gjatë veten me mendimin se simpatia e francezëve ndaj rusëve nuk ishte as e rrezikshme dhe as e turpshme, por fryt i një mirëkuptimi të veçantë kulturor. Për gati një dekadë që nga viti 2008, Alexandre Orlov, në atë kohë ambasadori i Rusisë në Paris, pati raporte të ngushta me elitën e Parisit, dhe mbikëqyri ndërtimin e një katedrale ortodokse ruse me kupolën e artë në bregun e majtë të lumit Senë.
Kur Orlov botoi kujtimet e tij në vitin 2020, parathënia u shkrua nga Hélène Carrère d’Encausse, “sekretarja e përhershme” e Akademisë së Shkencave të Francës. Libri i tij, sugjeroi ndër të tjera ajo, do t’i ndihmonte lexuesit të kuptonin “pështjellimin” e rusëve sovjetikë pas kolapsit së vendit të tyre.
Natyrisht, në arenën e debatit të trazuar politik të Francës, si brenda korridoreve të heshtura të shërbimit diplomatik, konkurrojnë rrymat gjeopolitike rivale. Një simpati për Rusinë nuk është as universale dhe as e parezistueshme. François Hollande, një ish-president socialist, anuloi një kontratë për t’i dorëzuar Rusisë dy lufta-anije “Mistral”, pasi ajo aneksoi Krimenë.
Bernard-Henri Lévy, një filozof francez, që nuk ka lënë pa vizituar asnjë fushëbetejë dekadat e fundit, i ka kërkuar prej vitesh Francës të bëjë më shumë për t’i bërë ballë agresionit rus në Ukrainë. Filmi i tij i dokumentar “Slava Ukraini” del në kinema më 22 shkurt. Edhe narrativa e Francës së pasluftës mbi barazinë strategjike midis Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik ka rolin e vet në këtë mitologji.
Sikurse thotë Benjamin Haddad, një nga parlamentarët e Emmanuel Macron-it “magjepsja gjeopolitike ndaj Rusinë, është e rindërtuar pjesërisht në prapavijë”. Sepse sa herë kishte një krizë serioze, Charles de Gaulle qëndronte përkrah aleatëve të tij transatlantikë.
Sa i përket popullit francez, qëndrimi duket të jetë më i qartë:60 për qind thonë në sondazhe se kanë një opinion pozitiv mbi Volodymyr Zelensky të Ukrainës, ndërsa më pak se 10 për qind thonë të njëjtën gjë për Putinin. Ky është sfondi përkundër të cilit duhet të vendoset diplomacia e Francës nën presidentin Macron.
Pikërisht në Versajë, aty kur kishte shkelur edhe Pjetri i Madh, i sapozgjedhuri Macron e ftoi fillimisht Putinin dhe e lavdëroi “Rusinë që dëshiron të hapet ndaj Evropës”. Më shumë se çdo udhëheqës tjetër evropian, presidenti centrist francez mendoi se mund ta bindte Putinin të mos hynte në luftë, edhe kur ky i fundit i grumbulloi tanket e tij në kufijtë e Ukrainës, dhe kur shërbimet sekrete të SHBA-së po paralajmëronin se pushtimi ishte i afërt.
Pothuajse i vetëm, Macron deklaroi se një ditë Rusia mund të përfshihej në një “arkitekturë të re evropiane të sigurisë”, në mënyrë që të mos hidhej në krahët e Kinës. Pushtimi, masakrat, bombardimet e civilëve dhe fëmijëve:të gjitha tmerret e papërshkrueshme të luftës së Putinit, e kanë detyruar me kalimin e kohës liderit francez të pranojë një formë humbjeje.
Qasja e tij ka dështuar keqazi. Ky është një moment delikat për Macron. Ai vazhdon të dëgjojë si zërat që e këshillojnë të ketë kujdes dhe të shfaqë vetëpërmbajtjen tradicionale të Parisit, ashtu edhe ata që e nxisin të tregojë më shumë lidership në lidhje me ndihmën ndajUkrainës, dhe t’i japë fund iluzioneve për një Rusi të ardhshme.
Synimi i tij për të përqafuar kompleksitetin e luftës dhe paqes, do të sjellë pa dyshim paqartësi të mëtejshme. Presidenti francez nuk ka komunikuar me Putinin që nga shtatori i vitit 2022, por thotë se linjat janë ende të hapura. Vetëm 2 muaj më parë ai foli për “garancitë e sigurisë” e pasluftës që i duhen dhënë Rusisë.
Macron dëshiron ta mbështesë Ukrainën në luftë, dhe njëherazi të jetë një zë ndërmjetësues në tryezën e negociatave për paqen. Megjithatë, javët e fundit ai është shprehur si rrallëherë i qartë, duke deklaruar se Franca do të jetë në krah të Ukrainës “deri në fitore”, duke ofruar gjithnjë e më shumë armatime të rënda, edhe pse nuk premton tanke, në dallim nga shumë prej aleatëve të tij.
“Unë mendoj se ai ka ndryshuar, dhe këtë herë realisht”- deklaroi Zelensky në një intervistë për francezën “Le Figaro” më 8 shkurt, ditën kur udhëtoi në Paris nga Londra për një darkë zyrtare me Macron dhe Schloz. Kur të nesërmen në mëngjes, të dy liderët hipën në avionin presidencial francez për të shkuar në Bruksel, i shoqëronte edhe Lévy, i veshur me një këmishë të bardhë.
Veshët e zotit Macron janë të hapura. Por tek e fundit, për diplomacinë ashtu si për të gjitha çështjet, ai është këshilltari i tij. Mund të jetë e tepërt të pritet që presidenti francez të zhdukë tërësisht magjepsjes ruse që ka ende vendi i tij ndaj Rusisë; por po ecën në drejtimin e duhur.