Bota

Çfarë fshihet pas riorganizimit të qeverisë greke?

Screen Shot 2015-07-19 at 22.47.08A do të thonë ndryshimet në kabinetin grek që tani iu hap rruga fraksionit të moderuar pro evropian të Syrizës?

Viktima më e shquar e riformatimit të qeverisë është ministri i Energjetikës Panajotis Lafazanis, i cili konsiderohet si udhëheqësi i opozitës brenda partisë. Kohët e fundit ai injoroi në parlament vijën zyrtare të partisë dhe votoi kundër propozimeve të Tsipras për masat e kursimit. Vendin e tij e zuri ministri i Punës dhe ish-zëdhënësi i partisë Panos Skourletis, një i besuar i kryeministrit. Edhe ish-zëvendësministri i Çështjeve Sociale, Dimitris Stratoulis, figura e dytë më e rëndësishme për krahun e majtë të partisë, u lirua nga detyra – ashtu sikurse zëvendësministri i Mbrojtjes Kostas Isichos.

A do të thotë kjo që tani iu hap rruga fraksionit të moderuar pro evropian të Partisë së Majtë në pushtet? Politologu Jorgos Tzogopoulos nga Athina mendon ndryshe: “Në fakt ne prisnim një rikonstruksion të politikës së Athinës dhe një kabinet të ri me shumë fytyra të reja – madje një ekip me ekspertë të pavarur. Por kjo nuk ndodhi,” kritikon Tzogopoulos në intervistë me Deutsche Welle-n.

Në vend të kësaj Kryeministri Tsipras prezantoi një ekip qeveritar që do të mbulojë vetëm periudhën deri në zgjedhjet e reja. Por kjo gjë është helm për ekonominë dhe stabilitetin politik në vend, mendon Tzogopoulos.Sidoqoftë qeveria po ushqen spekulimet për zgjedhje të parakohshme në vjeshtë. Zgjedhje të parakohëshme në shtator ose më së voni në muajin tetor janë një mundësi, tha kohët e fundit ministri i Brendshëm Nikos Voutsis.

Sulm frontal kundër krahut të majtë?

Një mendim më të diferencuar ka analisti politik Stratos Ballis ” Çdo gjë që lidhet me krahun e fuqishëm të majtë të partisë është fshirë. Ky riorganizim shënon ndarjen zyrtare të kreut të qeverisë nga opozita brenda partisë së tij,” tha Ballis për kanali televiziv “Skai”. Por në vend të tyre u shpërblyen me poste të tjera ministrore, populistët e djathtë që janë pjesë e koalicionit në pushtet dhe që pavarësisht rrëshqitjeve verbale janë besnikë ndaj qeverisë, vë në dukje Ballis.

Gazeta e partisë Syriza “Avgi” i kritikon me ton shumë të ashpër 39 deputetët e kësaj partie që votuan të mërkurën kundër apo abestuan në lidhje me masat e kursimit. Teorikisht Tsipras nuk kishte nevojë për votat e tyre, sepse opozita do të votonte pro masave të propozuara prej tij dhe për këtë gazeta aludon që 39 devijatorët duke e ditur këtë donin të profiloheshin në kurriz të kolegëve të tyre në Parlament.

Opozita e paralizuar

Në rast zgjedhjesh të parakohëshme është e paqartë nëse opozita mund të jetë e aftë për të luftuar për pushtet. Konservatorët arritën në anketimet e janarit vetëm 20% dhe edhe socialistët dikur të plotfuqishëm, po e humbasin rëndësisnë.

Vetëm partia me prirje të forta pro evropiane dhe me tipare social-demokrate “To Potami” po shënon rritje. Por edhe partia radikale e djathtë “Agimi i Artë”, aktualisht forca e tretë më të fortë në Greqi, shpreson për më shumë.

Edhe pse shumica e partive opozitare janë të dobta dhe në kërkim të profilit, ato e mbështesin Tsipras veçanërisht për zbatimin e kërkesave për reforma. Prej kësaj kryeministri i majtë po përfiton shumë – ndoshta më shumë se duhet, mendon ish- lideri i Partisë Socialiste, Evangelos Venizelos: “Në këtë shtëpi, me sa duket kemi dy shumica të ndryshme qeveritare: një shumicë për ligje të këndshme, e cila mbështetet nga të gjithë deputetët e majtë – dhe një shumicë tjetër për gjërat e pakëndshme për të cilat janë të nevojshme votat e opozitës. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu dhe është për më tepër në kundërshtim edhe me Rregulloren së Punës të Parlamentit”, deklaroi së fundmi Venizelos në parlamentin grek.

Linku: http://www.dw.com/sq/çfarë-qëndron-pas-riorganizimit-të-qeverisë-greke/a-18593993

Leave a Reply

Back to top button