Shendeti

Çfarë i ndodh trupit kur ndalon së piri duhan?

Ndryshimet që ndjen trupi kur ndalon së piri duhan, janë të shumta dhe mund të ndihen që në fillim. Sigurisht, janë fenomene të përgjithshme që varen nga një sërë faktorësh, si nga mosha, nga koha që është konsumuar duhani, dhe nga intensiteti i duhanpirjes. Por disa nga ndryshimet e përgjithshme janë si më poshtë, dhe fillojnë të ndihen që nga momenti i parë që ndalohet konsumi i duhanit.

– 20 minuta: Presioni arterial kthehet në nivelet si përpara se të pihej duhan.

– Pak orë më vonë: Nivelet e larta të monoksidit të karbonit fillojnë të ulen.

– Disa ditë më vonë: Ndjesia e nuhatjes dhe shijes fillojnë të përmirësohen.

– 2-3 muaj: Përmirësohet mjaft mirë funksioni i mushkërive, deri në 30%.

– 3-4 muaj: Në këtë periudhë, ka kaluar faza e vështirë e abstinencës. Humori, mirëqenia psikologjike dhe vetëkontrolli përmirësohen në mënyrë drastike.

– 1 vit: Risku për sëmundjet kardiake ishemike reduktohet deri në 50%.

– Disa vite më vonë: Reduktohet me rreth 50% risku për tumortë fshikëzës së urinës.

– 5 vite më vonë: Reduktohet me rreth 50% risku për tumoret e kavitetit oral dhe ezofagut.

– 5-15 vite më vonë: Risku për hemorragji cerebrale barazohet me personat joduhanpirës.

– 15 vite e më tepër: Risku për infarkt në zemër dhe për sëmundje të enëve koronare barazohet me atë të joduhanpirësve.

Përdorimi i cigareve elektronike deri në eliminimin total të duhanpirjes është një metodë e mirë për heqjen dorë nga duhanpirja. Një praktikë e tillë redukton grumbullimin e substancave toksike, por nuk i zeron ato. Irritimi i rrugëve respiratore dhe kavitetit oral mbetet, edhe pse në nivel më të ulët krahasuar me konsumin e duhanit normal.

Të heqësh dorë nga duhanpirja nuk është e lehtë, sidomos për ata persona që e konsumojnë duhanin prej vitesh dhe në sasi të lartë. Në këto raste nevojitet një karakter i fortë dhe një vetëkontroll i pacënueshëm. Shanset shtohen nëse i drejtohemi specialistëve për ndihmë, si mjekëve pneumologë dhe psikologëve.

Back to top button
Close
Close