Analiza

Cfarë mësova nga Vladimir Putini

putin gunPërvoja personale nga një takim i hershëm

Chris Patten
A është Presidenti rus, Vladimir Putin, ashtu si shumica e politikanëve, i prirur që të vërtisë të vërtetën në dobinë e tij? Apo ai shkon përtej kësaj, duke qeverisur Rusinë dhe duke qenë në një marrëdhënie të gënjeshtërt me fqinjët dhe pjesën tjetër të botës, i mbështetur prej një medie kombëtare të plogësht? Ndonjëherë, kur u përgjigjemi pyetjeve të tilla, ne mund të mbështetemi jo vetëm tek ato që kemi dëgjuar dhe parë, por edhe mbi eksperiencat personale.
E kam takuar për herë të parë Putinin në tetor 1999 në Helsinki, ku merrja pjesë në një samit BE-Rusi, në cilësinë e komisionerit të jashtëm të Bashkimit Europian. Presidenti Boris Jelsin e anuloi pjesëmarrjen e tij në momentin e fundit: ishte “i padisponueshëm”. Në vend të tij, Jelsini dërgoi kryeministrin e ri në detyrë, Vladimir Putin, sjellja e të cilit konfirmoi mençurinë e mendimit që mund të nxjerrësh njeriun nga KGB-ja, por nuk mund të nxjerrësh KGB-në nga njeriu.
Teksa përgatitej për takimin herët në mëngjes, ekipi i BE-së mësoi se kishte patur një shpërthim në Grozni, kryeqyteti i Ceçenisë, ku ishin vrarë disa vetë. Kur mbërriti Putini, ne e pyetëm në lidhje me ngjarjen. Ai pretendoi se nuk dinte asgjë, por premtoi që deri në drekë do e mësonte se çfarë kishte ndodhur.
Gjatë diskutimit tonë në kohën e drekës, ai tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga terroristë çeçenë, të cilët kishin pazarin e tyre të armëve. Tashmë ne e dinim që vdekjet ishin shkaktuar prej një sulm ushtarak të rusëve. Më vonë doli në dritë fakti që një seri raketash balistike ruse (ndoshta Scud) kishin vrarë shumë njerëz.
Putini na kishte parë në sy dhe kishte gënjyer, pothuajse me siguri i vetëdijshëm që po gënjente. Komunikata atë ditë nuk e përmendi Ceçeninë, por u parashtruan “bla-bla”-të e zakonshme për vlerat e përbashkëta, besimin tek demokracia, të drejtat e njeriut, dhe sundimin e ligjit, si dhe nevojën për bashkëpunim strategjik.
Mund të përmend disa raste kur Putini dhe kolegët e tij e kanë vërtitur të vërtetën në një shkallë spektakolare. Për Ceçeninë, ata raportonin rregullisht se, ose nuk kishin marrë ankesa nga ana e BE në lidhje me ndihmat humanitare, ose që po zbatonin kodin e Kombeve të Bashkuara për përpjekjet endihmës. Në të dy rastet mashtronin. Fshehje të ngjashme të të vërtetës karakterizonin negociatat për tregtinë, marrëveshjet e partneritetit, zgjerimin e BE në Europën Lindore dhe aksesin në Kaliningrad.
Në këtë sfond, e kam të vështirë të besoj ndonjë prej fjalëve të Putinit për atë që ka ndodhur në Ukrainë – një këndvështrim që e ndaj me shumë vëzhgues me përvojë në Poloni dhe në shtetet balltike. Putini nuk dëshiron të udhëheqë një vend me një popullsi në rënie dhe një gjurmë që është kryesisht aziatike. Ai dëshiron, si një car modern, që të rikrijojë shtetin historik sllav të Rusisë, duke përfshirë Ukrainën, dhe të ndërtojë, ndonëse në nëj tjetër formë, perandorinë e humbur të Kremlinit. Bashkimi Euraziatik – Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani – është në qendër të kësaj perandorie.
Për këtë qëllim, Putini i ka rezistuar gjithmonë kthesës historike të Ukrainës drejt Perëndimit, gjë për të cilën edhe vetë BE ka qenë hezituese në të kaluarën. BE ishte e përgatitur të pranonte “vokacionin europian të Ukrainës”, por bëri shumë pak për të nxitur këtë gjë.
Kur ukrainasit rrëzuan presidentin e tyre të korruptuar, Viktor Janukoviç, në fillim të këtij viti, pasi ai u spraps nga firmosja e një marrëveshje asociimi me BE, Rusia nisi ta destabilizojë vendin. Krimea u aneksua me pretendimin e rremë se dikur kish qenë pjesë e Rusisë – një justifikim që, nëse gjen zbatim gjetkë, do të ndryshojë kufij në shumë pjesë të Europës.
Më pas erdhi nxitja dhe pjesëmarrja e Rusisë në përpjekjet e separatistëve të armatosur për të marrë pjesë të Ukrainës lindore, gjë që shkaktoi direkt rrëzimin e MH17 muajin që kaloi si dhe vdekjen e 298 vetëve që ndodheshin në avion. Ndonëse me gjasë ka qenë aksident, ky ishte një aksident që ndodhi vetëm për shkak të përfshirjes së Rusisë.
Kështu që, ndonëse jam i trishtuar prej sjelljes së regjimit të Putinit, nuk jam i befasuar prej saj. Shpresoj të jem i befasuar prej pranimit nga Europa që, ajo çfarë ka ndodhur në Ukrainë kërkon që Europa të ngrohet fort në emër të njerëzimit dhe sundimit të ligjit. Nuk duhet të ketë më fjalë të bukura për vlera të përbashkëta. Kjo është kohë për parime të hekurt.
Kjo nuk do të mirëpritet nga e djathta ekstreme e Europës, që nga Jobbik në Hungari tek Fronti Nacional në Francë. Ata e duan Putinin.
Por Ukraina është vërtetuar një teprim i madh për disa admirues të tjerë, si Nigel Farage, kryetari i UKIP në Britani. Nëse këta do të kishin përvoja personale me Putinin, me siguri që do të kishin mbërritur shumë më herët në një vlerësim të saktë të tij.
http://www.project-syndicate.org/commentary/chris-patten-explains-why-he-doesn-t-believe-anything-russia-s-president-says#9gMPW08KOKzTJv9c.99
Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close