Bota

Çfarë mund ta ndalë “buldozerin” Trump

Screen Shot 2016-02-26 at 12.11.03

Donald J. Trump arriti tre fitore të njëpasnjëshme, krijoi një avantazh të fuqishëm në sondazhet mbarëkombëtare dhe nxorri disa kundërshtarë nga gara presidenciale. Rruga e tij drejt kandidimit nga Partia Republikane duket më e shtruar se kurrë. Por ende mund të ketë rrëzime dhe pengesa. Ja disa prej mënyrave si mund të gremiset Trumpi.

MILIARDERET HYJNE NE LOJE

Donatorët kryesore republikanë i janë shmangur përplasjes me Trumpin, por në një moment, njerëzit që financojnë partinë mund të bëhen seriozë, për ta shpëtuar atë nga një njeri që e shohin si katastrofë. Nëse e bëjnë, ky mund të jetë kërcënim serioz për Trumpin. Imagjinoni dhjetëra-miliona dollarë për reklama sulmi në shtetet ku zhvillohen primaret.

Por ndërkohë që miliarderë si Robert Mercer dhe Paul Singer kanë financuar bujarisht kandidatët, vetëm një klan super i pasur, familja Ricketts, ka dhënë disa miliona dollarë për një grup kundër Trumpit. Edhe vëllezërit konservatorë Koch, që shihen si thellësisht rezistentë ndaj Trumpit, kanë qëndruar në skaje.

SHFAQJA E NJE ALTERNATIVE

Në një garë që nisi me 17 kandidatë, Trumpi ka përfituar duke i hedhur kundërshtarët e tij kundër njëri-tjetrit. Kur kanë mbetur katër, ai ende mund ta kontrollojë garën me shumë më pak se shumicën e votave. As Senatori Marco Rubio i Floridës dhe as Senatori Ted Cruz i Teksasit nuk ka gjasa të hapin rrugë me dëshirë, apo të bashkojnë forcat mes tyre. Dhe janë dy kandidatë të tjerë që munden ende të bashkojnë përpjekjet për votën kundër Trump: Guvernatori John Kasich i Ohajos dhe Ben Carson kanë vazhduar, pavarësisht se shanset për ta janë zvogëluar shumë. Por nëse fusha tkurret papritur për një apo dy rivalë të Trumpit, ndoshta pas Super të Martës, atëherë kjo gjë do ta testonte si kurrë më parë gjerësinë e mbështetjes për të.

DEBATET BEHEN SHKATERRIMTARE

Trumpi ka arritur deri tani të mbizotërojë në debate, falë forcës së personalitetit, por ndonjëherë duke i bërë dëm real vetvetes. Në Karolinën e Jugut, votuesit ende të pavendosur, e refuzuan për shkak të sulmeve të tij vullkanike kundër ish presidentit Bush në debatin e fundit. Skena mund të bëhet edhe më e vështirë për të, duke filluar nga e marta mbrëma në Hjuston: Ai nuk mund të mbështetet më në një fushë të gjerë kundërshtarësh, për t’u fshehur nga një “luftëtar” i mrekullueshëm si Cruz, apo nga Rubio, i cili gjithashtu po kërkon shkëputjen.

RREZIMI NE NJE SHTET TE MADH

Trumpi ka një avantazh në numrin e delegatëve, por në fund atij do i duhet një shumicë për të siguruar kandidimin përpara konventës. Ai tani ka 81 delegatë, kundrejt më pak se 20 që ka secili prej kundërshtarëve. Për të siguruar kandidimin i duhen 1237 delegatë.

Nëse Trumpi vazhdon të ndërtojë vrull, ai mund t’i afrohet atij numri me një shpejtësi mbresëlënëse, teksa shtetet ku fituesi i merr të gjithë delegatët, mbizotërojnë votimin në fund të marsit. Megjithatë, edhe kundërshtarët kanë një dritare për ta arritur, ose të paktën t’i mohojnë shumicën që i nevojitet, duke fituar në shtetet e mëdha si Florida dhe Ohajo, ku një fitore e Trumpit do ta bënte atë vërtetë të pashmangshëm.

ARMIKU I VETVETES

Republikanët kanë vënë bast prej muajsh se Trumpi do të shkatërronte fushatën e tij, prej mospërmbajtjes apo paaftësisë. Deri tani janë zhgënjyer.

Ai ka fyer pa mëshirë udhëheqës republikanë dhe votues konservatorë, ka sulmuar heronj të partisë si Bushi dhe McCaini, dhe ka mbrojtur kundërshtarë të urryer si Planned Parenthood. Ai ka qenë dorështrënguar, duke refuzuar të hedhë dhjetëra miliona dollarë në reklama televizive, që zakonisht kërkohen për të ftuar zgjedhjet presidenciale.

Por pikërisht se Trumpi nuk ka paguar një çmim për mungesën e disiplinës, nuk do të thotë se nuk do të paguajë kurrë. Një gafë monumentale mund të jetë më e kushtueshme tani, nga sa do të kish qenë më herët gjatë garës. Për shumë udhëheqës republikanë, pyetja është nëse vetëshkatërrimi i Trumpit do të vijë përpara se të fitojë kandidimin, apo në nëntor./NYT

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button