Bota

Çfarë ndodhi me Katedralen e Notrë Dame?

Notre Dame, Katedralja e famshme e Parisit është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të hëne. Shkaqet nuk janë ende të qarta, megjithatë zyrtarët thonë se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e punës restauruese.

Zjarrfikësit ndërmorën një operacion masiv për të shuar flakët në ndërtesën 850-vjeçare, por maja e saj sëbashku me çatinë nuk u arritën të shpëtoheshin. Vetëm pas disa orësh autoritetet mundën të konfirmonin se struktura kryesore e katedrales u shpëtua.

Vitin e shkuar, Kisha Katolike në Francë lëshoi një apel urgjent për fonde për të shpëtuar Katedralen, që kishte nisur të rrënohej.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i nisur drejt vendit të ngjarjes, tha se me mendje ishte me “të gjithë katolikët dhe popullin francez.” “Njësoj si gjithë bashkëkombasit e mi, jam i trishtuar që shoh një pjesë tonën që digjet”, tha Macron, i cili anuloi fjalimin e planifikuar përpara kombit.

Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo e përshkruajti atë si “një zjarr të tmerrshëm” dhe u bëri thirrje njerëzve në vendin e ngjarjes që të respektonin perimetrin e vendosur nga punonjësit e zjarrfikëses, në mënyrë që të jenë të sigurt dhe askush të mos pësojë asnjë dëmtim.

Për ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili sugjeroi se për shuarjen e zjarrit ndoshta do të ishte ide e mirë përdorimi i avionëve cisternë.

Katedralja e Notre Dame, e cila vizitohet nga miliona njerëz çdo vit, po restaurohej për shkak të çarjeve që kishin nisur të shfaqeshin në gurë, duke ngjallur frikën se struktura mund të bëhej e paqëndrueshme.

Ajo është 69 metra e lartë dhe ndërtimi i saj nisi në vitin 1163. E konsideruar si një prej shembujve më të mirë të Arkitekturës Gotike Franceze, Katedralja e Notre Dame, sëbashku me Kullën Eiffel është një prej monumenteve më të famshme të Parisit.

Për ngjarjen prokuroria e kryeqytetit francez njoftoi nisjen e hetimeve.

Leave a Reply

Back to top button