Bota

Çfarë pushteti ka presidenti i SHBA-së?

Presidenti i SHBA-së është njëkohësisht edhe kryeministër dhe komandant i forcave të armatosura. Çfarë mund të bëjë ai?

Presidenti amerikan ka në duar një fuqi të jashtëzakonshme politike. Por Gjykata Kushtetuese parashikon edhe parimin “Checks and Balances” nga Kongresi dhe Gjykata më e lartë në vend, e cila mund t’i pezullojë vendimet e tij. Qëllimi është që të ruhet balanca e veprimit të organeve më të larta të shtetit. Po çfarë do të thotë kjo?

Postet drejtuese

Presidenti mund të emërojë anëtarët e kabinetit të tij. Por postet e ministrave duhet të miratohen nga Senati me shumicën e thjeshtë. Ndërsa presidenti ka të drejtë edhe t’i largojë ministrat. Për këshilltarët dhe bashkëpunëtorët nuk i duhet miratimi i Senatit.

Presidenti i SHBA-së ka të drejtë të propozojë gjykatësit e Gjykatës Supreme (Supreme Court). Por për emrimin duhet shumica prej 3/5 e votave në Senat, pra 60 nga 100 senatorë. Gjykatësit e Supreme Court, i cili në rastet kontestuese ka fjalën e fundit, emërohen për tërë jetën. Kjo do të thotë që një president mund të influencojë punën e Gjykatës për një kohë shumë më të gjatë se sa mandati i tij.

Presidenti emëron edhe gjykatësit në mbi 100 gjykata federale, në rastet kur ndonjë gjykatës vdes apo largohet, sepse edhe ata emërohen për tërë jetën. Për emërimin e tyre i duhet shumica e thjeshtë në Senat.

Presidenti vendos edhe për mijëra vendet e punës në autoritetet e ndryshme, si për shembull Banka Amerikane (US Federal Reserve). Kjo është një pjesë e vogël e gati tre milionë nëpunësve, por presidenti vendos për postet drejtuese.

Ligjet

Presidenti i SHBA-së nuk mund të nxjerrë ligje. Kongresi e ka këtë të drejtë. Por Trumpi mund të kërkojë nga deputetët që të shqyrtohen projektligjet e tij. Ndërsa përmes prezencës së tij në media dhe opinion, presidenti ka një influencë të jashtëzakonshme në përcaktimin e agjendave në SHBA.

Presidenti ka të drejtën e vetos dhe mund të kthejë mbrapsht çdo ligj të mirautar në Kongres. Në rastin e një vetoje normale, presidenti e kthen ligjin në Kongres për rishqyrtim. Por në rast se ligji sërish miratohet nga të dy dhomat me shumicën prej 2/3, atëherë ligji hyn në fuqi. Vetot janë shumë të rralla, sepse parimisht presidenti dhe shumica në Kongres merren vesh për normat kontestuese.

Dekretet

Presidenti mund të qeverisë përmes dekreteve, të cilat shpesh kanë karakterin e ligjeve. Përmes dekreteve Donald Trump ka filluar menjëherë ndryshime të mëdha që kanë të bëjnë ndër tjera edhe me ndalimin e futjes së myslimanëve nga shtatë vende në SHBA. Presidenti mund të fusë në fuqi përmes dekretit edhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga qeveria, por të cilat Senati refuzon t’i miratojë, përmes të ashtuquajturve – “Executive Agreements”. Presidenti Obama e ka miratuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Por Kongresi ka të drejtë të miratojë një ligj, me të cilin mund të nxirret nga fuqia një dekret  – një “Executive Agreement”. Ndërsa qytetarët, politikanët apo grupet e interesave mund ta dërgojnë ndonjë çështje në gjykata nëse mendojnë se dekretet janë kundër Kushtetutës. Presidenti mund të shfuqizojë me një nënshkrim dekretet e lëshuara nga presidenti i mëparshëm.

Fuqia në politikën e jashtme

Ndryshe nga politika e brendshme, ku Kongresi mund ta frenojë, presidenti amerikan ka shumë më tepër hapsirë manovrimi në politikën e jashtme. Ai vendos vet se me cilët politikanë mban kontakte më të ngushta dhe kështu i jep kahjen politikës amerikane. Presidenti vendos, se cilat shtete janë partnere të SHBA-së e cilat jo. Ai mund të legjitimojë vendet e tjera me hapjen p.sh. të ambasadave në ato vende, apo dhe të degradojë diplomacinë në një nivel më të ulët.

Kontrolli i ushtrisë dhe i shërbimeve sekrete

Presidenti është komandanti suprem i forcave të SHBA-së. Sipas Kushtetutës, të drejtën për t’i shpallur luftë ndonjë vendi tjetër e ka Kongresi. Në realitet megjithatë është presidenti dhe kabineti i tij ai që vendos për misionet ushtarake jashtë vendit. Nëse vendi rrezikohet, presidenti ka të drejtën e fillimit të një lufte pa miratimin më parë të vendimit nga Parlamenti. E ashtuquajtura “War Powers Resolution” parashikon që presidenti brenda 48 orësh duhet të informojë Kongresin ndërsa brenda 60 ditësh duhet të marrë pëlqimin e tij për ndonjë luftë. Kongresi gjithmonë deri më sot i ka miratuar misionet ushtarake të presidentit – si për shembull luftërat e Irakut apo Afganistanit.

Të gjitha 16 shërbimet e mëdha sekrete të SHBA-së i nënshtrohen presidentit, ndër to edhe FBI, NSA dhe CIA. Ato raportojnë çdo ditë për gjendjen.

Përdorimi i armëve bërthamore

Presidenti është i vetmi, i cili mund të urdhërojë përdorimin e armëve bërthamore. Por nëse jep urdhërin për ndonjë sulm, ai duhet të kalojë nëpër disa instanca: Ministri i Mbrojtjes kontakton ushtrinë, gjeneralët duhet të kalojnë urdhërin tek ushtarakët më të ulët dhe ata japin komandën për goditje.

Që ministri mund të ndalojë ushtrinë nga përdorimi i armëve bërthamore, e dëshmon edhe rasti i Richard Nixonit. Në ditët e fundit të mandatit të tij, presidenti Nixon pinte shumë dhe është vërejtur sjellja e tij i pazakonshme. Ministri i Mbrojtjes ka kërkuar nga ushtarakët, që të gjitha urdhërat që kanë të bëjnë me armët bërthamore, duhet të kalohen tek ai dhe Ministria e Jashtme. Juridikisht ishte ky një vendim i kontestueshëm por praktikisht askush nuk e vuri në pikëpyetje.

Amnestia

Presidenti ka të drejtë të amnestojë të dënuarit nga Gjykata Federale. Presidenti Obama ka amnestuar për shembull Chelsea Manning, të dënuar për tradhëti. Të përjashtuar nga amnistia janë politikanët dhe autoritetet federale, të cilët largohen nga puna.

Nuk ka të drejtë buxheti

Presidenti ka të drejtën e kontrollit ndaj autoritetit ekzekutiv, por Kongresi e ka të drejtën e kontrollit të financave. Në këtë mënyrë, të dy dhomat e Parlamentit mund të bllokojnë vendimet e presidentit, përmes bllokimit të buxhetit. Në rastet ekstreme, autoritetet thjesht mbeten pa para dhe nuk kanë mundësi të zbatojnë urdhërat e presidentit. Një “Government Shutdown” kërcënonte së fundi edhe në tetor të vitit 2013.

Largimi nga posti

Nëse sipas mendimit të Kongresit apo kabinetit qeveritar sjellja e presidentit bëhet e padurueshme, ekzistojnë dy mënyra për largimin e presidentit nga posti i tij.

Së pari: mund të niset procedura e largimit nga posti për shkak të sjelljes së gabuar. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të largohet nga posti nëse bën ndonjë tradhëti, korruptohet, apo bën ndonjë krim të rëndë. Procedurën e nis Dhoma e deputetëve me shumicën e thjeshtë. Më pas presidenti merret në pyetje në Senat, i cili mund ta largojë nga posti vetëm nëse sigurohen 2/3 e votave.

Në këtë mënyrë nuk është shkarkuar kurrë ndonjë president. Vetëm tri herë është nisur një procedurë e tillë. Në rastet e Andrew Johnson (1868) dhe Bill Clinton (1999), Senati ka votuar kundër shkarkimit të presidentit. Ndërsa Richard Nixon në vitin 1974 dha dorëheqjen vullnetarisht pas skandalit “Watergate”, para se të fillonte procedura e largimit.

Dhe mundësia e dytë për nxjerrjen e një presidenti amerikan nga Shtëpia e Bardhë: Presidenti mund të largohet nga posti nëse kabineti qeveritar apo Kongresi me mbështetjen e zëvendëspresidentit konstatojnë, se presidenti nuk është në gjendje që t’i përmbushë detyrimet dhe të drejtat e tij. Kjo parashikohet në nenin 25 të Kushtetutës. Presidenti mund ta kontestojë një vendim të tillë, por në fund Kongresi është ai që vendos. Në një rast të tillë, e domosdoshme është shumica prej 2/3 e votave në Kongres dhe në Senat. /Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button