Analiza

Çorodia komunikuese e Putinit e ka rënduar krizën

Mesazhet e Vladimir Putin ndaj publikut rus dhe atij të huaj kanë përshkallëzuar tensionet me vendet perëndimore, duke e detyruar shefin e Kremlinit të shtojë aksionet, nga frika se mos shfaqet i dobët në shtëpi

Nga John Lough

“Chattam House”

Screen Shot 2015-03-25 at 09.24.10

Presidenti rus, Vladimir Putin, përballet me një sfidë të madhe të komunikimit, për shkak të nevojës për të ruajtur mbështetjen e brendshme për veprimet e tij në Ukrainë – si në mesin e elitës, ashtu edhe shoqërisë në përgjithësi – ndërsa gjithashtu po përpiqet të parandalojë shfaqjen e një përgjigje më të unifikuar të Perëndimit ndaj politikave të tij.

Kjo axhendë është e komplikuar nga nevoja e Putinit për të përshtatuar elementë të ndryshëm brenda bazës së tij të pushtetit të brendshëm, të cilat nuk janë darkod me politikën rreth Ukrainës. Për opinionin e brendshëm rus, që është në fakt prioriteti i Putinit, mesazhi mbetet

parashikueshmërisht nacionalist dhe triumfal. Në 15 mars, televizioni shtetëror transmetoi një dokumentar prej dy orë e gjysmë të titulluar “Krimea: Udhëtimi drejt Mëmëdheut”, për të shënuar përvjetorin e parë të aneksimit të Krimesë nga Moska.

I parë nga një prej audiencave televizive më të mëdha në Rusi në vitet e fundit, filmi jepte një përshkrim hagjiografik të presidentit rus, si arkitekti dhe menaxheri i operacionit për të shpëtuar popullatën me shumicë ruse të Krimesë. Tregimi ndërpritej nga mesazhe grafike, rreth qëllimeve gjoja të dhunshme të Perëndimit, përmes mbështetjes së nacionalistëve ukrainas. Dokumentari ishte një vazhdimësi e shpifjeve të pamëshirshme të medias shtetërore ruse gjatë vitit të kaluar mbi ukrainasit dhe mbështetësit e tyre perëndimorë. Por filmi habiti edhe për disa arsye të tjera. I strukturuar rreth fragmenteve të një interviste të gjatë me Putinin menjëherë pas aneksimit të Krimesë, filmi përmbante detaje pikante mbi mënyrën sesi operacioni u krye, pasi Putini dhe shefat e tij të sigurisë gjykuan se mund të shfrytëzonin trazirat revolucionare në Ukrainë, për të rifituar kontrollin e territorit, që në pikëpamjen e tyre nuk kishte pushuar kurrë së qëni pjesë e Rusisë.

Duke pasur parasysh redaktimin e kujdesshëm që duhet të ketë ndodhur, vendimi i Kremlinit për të përfshirë deklaratën e Putinit se plani ushtarak për rimarrjen e Krimesë u mbështet nga masat e parandalimit të sulmeve bërthamore, ishte veçanërisht i habitshëm. Ai detaj tregoi një tjetër audiencë për filmin: SHBA- në dhe aleatët e saj të NATO-s. Kjo audiencë ndërkombëtare do të nxjerrë përfundimet e veta nga filmi.

Vendet e NATO-s do të vënë re se arsyetimi i Putinit për ndërhyrjen në Krime ishte gjoja për të shpëtuar jetën e bashkëatdhetarëve rusë. Shqetësim për qeveritë perëndimore është se kjo alibi mund të zbatohet edhe për të gjitha qytetet e mëdha në Ukrainën Lindore (jo vetëm territoret, aktualisht nën kontrollin e forcave separatiste).

Për më tepër, pranimi i sinqertë i Putinit në kundërshtim me mohimet e mëparshme, se kishte dërguar forca të rregullta ushtarake në Krime si pjesë e planit për të marrë nën kontroll kontrollin e gadishullit, e minoi linjën e Kremlinit, se Rusia nuk ka ndërhyrë ushtarakisht në rajon e Donbasit.

Gjithashtu kryeqytetet perëndimore, do t’i kushtojnë vëmendje provave të dukshme të problemeve të komandës dhe kontrollit, gjatë operacionit mbi aneksimin e Krimesë. Putini tha se një njësi ushtarake nuk u vendos në vendin e përcaktuar, sepse ai besonte se komandanti i përgjithshëm kishte ndryshuar mendje. Presidenti deshi të ndërhynte personalisht për të zgjidhur këtë problem.

Kur u pyet për “alarmin” e dragaminës amerikane “Donald Cook” në Detin e Zi, si pasojë e inkursionit të një avioni luftarak rus SU-24, Putini tha se nuk kishte dhënë urdhër për këtë dhe se komandantët e tij ushtarakë “ishin sjellë si huliganë”. Më gjerësisht, audienca perëndimore do të vërë re se edhe përkundër mbështetjes publike të Putinit, për një zgjidhje paqësore në Donbas, propaganda ruse vazhdon të ruajë një frymë anti-perëndimore dhe anti- ukrainase. Ajo vijon të përsërisë akuzat se vendet perëndimore e orkestruan revolucionin në Ukrainë në vitin 2014, me synimin e hapur për të shkaktuar dëme në Rusi.

Së bashku me deklaratat e Putinit në film, fillimi i fundit i ushtrimeve ushtarake që përfshinte elementë të flotës ruse të veriut, balltike dhe Detit të Zi, dërgon një sinjal të qartë për audiencën ruse, si edhe vendet e NATO-s dhe Kievit, se Moska nuk është duke u përgatitur për të hequr dorë nga Ukraina.

Natyrisht, kjo bie ndesh me përpjekjet e Rusisë për të kryer një ofensivë elegante, drejt disa vendeve jugore evropiane, që përdorin lajka ekonomike. Këto përpjekje synojnë të përçajnë BE-në dhe të minojnë vullnetin kolektiv të Perëndimit për të mbajtur sanksionet kundër Rusisë, dhe të sigurojë mbështetje politike dhe financiare ndaj Ukrainës.

Mesazhet e Putinit në shtëpi dhe jashtë vendit pasqyrojnë një mungesë shqetësuese të opsioneve të politikave, përtej ruajtjes dhe presionit, si ndaj Kievit, ashtu edhe ndaj Perëndimit, për të parandaluar Ukrainën të ketë një qasje perëndimore në krahasim me modelin rus. Referencat e tij të vazhdueshme ndaj rusëve dhe ukrainasve si një popull i vetëm, tregojnë gjithashtu se ai po e mohon tjetërsimin që kanë krijuar politikat e tij mes dy vendeve.

Brenda bazës së tij të pushtetit, Putini duket se po tenton të pajtojë qëndrimet e dy grupeve të ndryshme, mbi strategjinë e Rusisë ndaj Ukrainës: një grup favorizon marrjen e të gjitha masave të nevojshme tani, për të penguar në mënyrë përfundimtare procesin e integrimit të Ukrainës në Perëndim, duke përfshirë haptazi testimin e garancive për sigurinë e NATO-s në shtetin balltik.

Një grup më i vogël dhe më pak i fuqishëm do të preferonte të luante një lojë më të gjatë, duke kërkuar një marrëveshje paqeje në Donbas dhe tërhequr Ukrainën në sferën e influencës ruse në një periudhë afatgjatë, por pa thyer të gjitha lidhjet me Perëndimin.

Në një përpjekje për të balancuar interesat e dy grupeve, Putini e ka pozicionuar veten si mbështetës i diplomacisë në bazë të marrëveshjeve të Minskut, duke mos treguar asnjë shenjë sesi Rusia mund të arrijë një marrëveshje më të gjerë të paqes me Ukrainën. Heshtja e Putinit për këtë çështje është e zëshme, megjithëse e paqëllimtë, dhë përbën një mesazh për audiencat në Rusi, Ukrainë dhe Perëndim, se ai ka krijuar një krizë e cila është zgjeruar përtej kontrollit të tij.

a.g./www.bota.al


Leave a Reply

Back to top button