Bota

Coronavirusi / Si kurohet sot dhe shpresa për një vaksinë

Sars2-Cov-19 është i ri. Krejt i ri. I panjohur për sistemin human të mbrojtjes. Për këto aryse frymëzon frikën dhe përhapet kaq shpejt. Në praktikë, nuk ka asnjë person që ka antitrupa kundër këtij virusi.

Prandaj, kur flasim për terapi, i referohemi para së gjithash kontrollit të situatës dhe simptomave dhe çdo asistence të frymëmarrjes në spital. Për dallim nga bakteret, për të cilat ka antibiotikë, viruset rrallë kanë ilaçe specifike. Dhe për fat të keq, për një virus të ri këto nuk ekzistojnë.

Por kini kujdes: kjo nuk do të thotë se nuk duhet të tentohen qasje terapeutike. Kjo është ajo që ndodhi në Institutin Spallanzani në Romë, me një ilaç eksperimental, Remdesivir, dhe me një koktej ilaçesh të njohura tashmë për përdorimin e tyre kundër virusit HIV.

Terapitë që synohen

Viruset kanë një aftësi dramatike efektive: ata arrijnë të implantohen me trashëgiminë e tyre gjenetike në atë të qelizave njerëzore dhe t’i përdorin ato për t’u riprodhuar. Kjo është arsyeja pse trajtimi i tyre direkt është kaq i vështirë.

Për Sars2-Cov-19, në çdo rast ka pasur disa përpjekje trajtimi, në bashkëpunim me masat klasike “indirekte” të asistencës dhe kujdesit, të cilat po ofrojnë rezultate inkurajuese. Për shembull, u përqëndruam te klorokuina, një ilaç që përdoret prej kohësh tek malarja, por mbi të gjitha, siç ndodhi në rastet e trajtuara në Romë, në një ilaç të quajtur Remdesivir. Ky është në thelb një protrug, i cili aktivizohet në trup dhe tashmë është studiuar me një virus të frikshëm siç është Ebola, e që ofron përgjigje premtuese.

Në të njëjtën mënyrë, pa shkuar në disa terapi të zhvilluara në Kinë, në Itali po studiojnë dhe përdorin ilaçe që tashmë përdoren gjerësisht në trajtimin e infeksionit me virusin HIV. Në këtë rast, padyshim, përqendrimi nuk është tek ngjashmëritë midis dy viruseve, por përkundrazi te enzimat e veçanta që u duhen viruseve në procesin e tyre të përsëritjes.

Ilaçet e përdorura në Spallanzani në Romë (për aq sa dihen lopinavir dhe ritonavir), si dhe darunavir, për të cilin flitet shpesh, janë të gjithë frenues të proteazave të virusit HIV. Proteazat virale kryejnë veprimin e tyre përmes një lloj “prerjeje sipas masës” të padukshme, pak a shumë si rasti i një rrobaqepësi, mbi proteina, që lejon që këto të kenë një pamje që favorizon mbledhjen normale të virusit dhe rrjedhimisht formimin e një “armiku” të ri.

Edhe pse proteazat e virusit HIV shfaqen të ndryshme nga ato të koronavirusit, qëllimi është të parandalohet që virusi të “rimodelohet” vetë në një kopje të re dhe për këtë arsye të zgjerohet në trup.

Më në fund, edhe pse vetëm në Kinë, ka filluar të ketë rezultate inkurajuese përdorimi i plazmës së njerëzve të shëruar si terapi. Në këtë rast, natyrisht, qëllimi është të ofrohen një seri antitrupash të gatshme për trupin e pacientit, të prodhuar nga ata që janë shëruar.

Shpresa e një vaksine

Lajmi i mirë në këtë kuptim vjen nga Kina dhe Australia. Studimet e para eksperimentale mbi kandidatët për vaksina, të ngritura në dy institute, do të fillojnë, me shpresën për të identifikuar një përgatitje që mund të jetë në dispozicion në kohën më të shkurtër të mundshme.

Por duhet kujdes: sado e shpejtë, vaksina mund të mos jetë e disponueshme para një viti, sipas ekspertëve si Giovanni Rezza, drejtor i departamentit të sëmundjeve infektive të Institutin e Lartë të Shëndetit. Sidoqoftë, në të gjithë botën, është një garë e vërtetë për profilaksinë e së nesërmes.

Përveç kompanive të vogla amerikane dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, një vaksinë po studiohet në Universitetin e Queensland, Rusi dhe gjithashtu në Itali.

Mënyrat “strategjike” për të përgatitur vaksinën janë të ndryshme: ato shkojnë nga platformat që përdorin ARN-in mesazhere, deri në përdorimin e ADN-së për të krijuar gjenet sintetike tek të tjerët, që synojnë të bëjnë proteinat e sipërfaqes virale më lehtësisht të njohshme.

Në Itali, përveç Takisit, duhet të theksohet puna e kombinuar midis Institutit Jenner të Universitetit të Oksfordit dhe Advent Srl, të grupit IRBM Spa. Në këtë rast strategjia është të krijohet një kalë Troje që ndihmon sistemin imunitar përmes një virusi (adenovirus), i cili mund të transportojë antigjene koronavirusi direkt në trup e që mund të shkaktojë një përgjigje imune. Në këtë mënyrë, me shpresë, antitrupat do të jenë në dispozicion për të aktivizuar një përgjigje kur virusi të hyjë në trupin e atyre që nuk kanë kontraktuar infeksionin. Por do të duhet kohë… / bota.al

Leave a Reply

Back to top button